Koordinatori i PD-së, Shano: Sfida e madhe e liderit të ri të PD-së, të…

Koordinatori i Partisë Demokratike, Dritan Shano një ditë para zgjedhjeve në PD ka analizuar se cili është lideri i duhur për te drejtuar PD-në në vitet e ardhshme.

Ai në një status në faqen e tij në “Facebook” ka thënë se sfida e parë me të cilën do të ndeshet kryetari i ri i Partisë Demokratike duket se do jetë paqtimi dhe garantimi i bashkëjetesës mes demokrateve. Dhe të mos lejoj që PD nga partia e shpresës së të gjithë shqiptarëve të kthehet në një azil politik luksoz, për vetëm disa prej tyre.

Statusi i plotë

Garë Kontributesh apo Lexim Horoskopi.

Reflektim personal për garën për kryetar të PD-së, dhe raportin e Kryetarit me anëtarët e Partisë Demokratike.

Sipas statutit të PD-së, nesër votojmë për Kryetarin. Të gjendesh para zgjedhjes midis Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit, dhe të votosh njërin prej tyre, nuk të bën as njeriun e Lulit dhe as të Edit, por është thjesht një shprehje preference krahasimore midis këtyre dy demokratëve, që ishin të vetmit që donin të bëheshin kryetar të partisë. Kushdo që të zgjidhet prej tyre, ka përballe një PD të përçarë si kurrë ndonjëherë. Arsyeja kryesore e përçarjes është se shumë demokratë mendojnë se ua kanë ngrënë hakun shumë demokratë dhe jo demokratë të tjerë, dhe se po u vazhdua kështu PD nuk vjen më kurrë në pushtet. Sfida emergjente për kryetarin e ardhshëm, përpara se të arrijë të krijojë një produkt politik të besueshëm, në gjendje ta sjellë PD në pushtet, duket do jetë paqtimi dhe garantimi i bashkëjetesës mes demokrateve. Që PD të mos shdërrohet me shpejtësi të pakthyeshme nga partia e shpresës së të gjithë shqiptarëve në një azil politik luksoz, për vetëm disa prej tyre.

Por, si mund të bashkëjetojnë dhe mos përçahen në një parti njerëz nga me të ndryshmit, me ambicje nga më të ndryshmet? Përmes ekzistencës së rregullave të qarta, transparente, të njëjta për të gjithë. Si avancojnë këta njerëz në karrierën politike? Përmes gares e cila zhvillohet duke respektuar rregullat e qarta, transparente, të njëjta për të gjithë. Çfarë bën kryetari i partisë? Garanton zbatimin e rregullave të qarta, dhe transparente, të njëjta për të gjithë.

Mendoj se mospasja e rregullave brenda një partie politike, apo më keq akoma mos-repspektimi i tyre në mënyrë të qëllimtë për t’i pasur duart e lira për të marrë vendime politike apo ushtruar pushtet mbi njerëzit brenda partisë çon në mënyre ciklike në përçarje dhe dobësim, deri në defaktorizimin e kësaj force politike. Rregullat janë ndërgjegjia e një force politike, dhe kjo e bën atë më të madhe se kryetari i rradhës.

Por çfarë duket se ndodh në realitet, në një realitet që shumëkujt i duket normalitet, dhe që nuk përton të luftojë që kjo mos ndryshojë?

Kushdo që mendon se do duhej të kishte rregulla të qarta, transparente, të sinqerta, të besueshme dhe të barabarta për çdo anëtar partie në lidhje me avancimin në karrieren politike duhet ta ketë domosdo gabim. Hajvan komplet. Apo jo?

Kush mendon se është pikërisht zbatimi i rregullave në mënyrë të barabartë, ai që garanton bashkimin kundrejt përçarjes në një parti politike, dhe që gjithshtu bën dallimin midis një kryetari me vulë dhe një lideri me frymë, nuk mund të jetë asgjë më shumë se një idiot i bezdisshëm. Apo jo?

Pra, në realitet avancimi në karrierën politike për shumëkënd duket se nuk ka asnjë lidhje me ndonjë rregull, me përkatësinë, aktivitetin, apo kontributin politik të individit. Në fakt unë jam nga ata që besoj se përveç ideologjisë, legjitimimi dhe besimi ndaj një force politike vjen edhe nga respektimi dhe transparenca e rregullave që garantojnë mundësitë e barabarta të karrierës politike. Sepse në mungesë të rregullave, kontributin politik secili e mat me kandarin e vet. Dhe secili nga ne, do tentojë të hajë në kandar. Edhe ai që kërkon, dhe ai që jep. Apo jo?

Në politikën shqiptare që na intereson, ky avancim paraqitet thjesht si një vendim i kryetarit të rradhës, vendim që merret në heshtje pas mesnate, vendim i cili më shumë se i bazuar tek gara dhe hipotekimi i kontributeve politike të dhëna, ngjan me një rulete ruse, ose sikur kryetari është duke u lexuar dorën, filxhanin, ose yjet – pra horoskopin të interesuarve. Jo rallë, shpallen fitues, avancojnë individë që as nuk kanë marrë pjesë në garën e kontributeve. Për më tepër, gjatë garës aktuale për kryetar të PD u artikulua se: Demokrat i pastër është ai që nuk do të bëhet deputet, sikur të nënkuptohej se ai demokrat që do të bëhet deputet, pa ja lexuar horoskopin kryetari, është demokrat i pistë. Mendoj se, sado demokrat i pistë të jetë ai demokrat që do të bëhet deputet, ai është më i pastër se cilido që mund ta kenë emëruar si deputet demokrat. Apo jo?

Në fakt, unë mendoj se çdo njeriu të cilit i jepet vula, mund të jetë në gjendje të kryejë proçesin e vendosjes në vendin e “duhur” të njerëzve të “duhur” sipas imagjinatës së vet, politike ose jo. Ky lloj njeriu, sipas Statutit të PD, dhe pas numërimit të votave që do hedhim nesër në kuti, është Kryetari. Por ky proçes krijon të pakënaqur, të cilët mund të paqtohen vetëm në një mënyrë logjike. Duke e kryer proçesin e vendosjes së njerëzve të duhur në vendin e duhur, në mënyrë transparente dhe sipas rregullave të njohura më parë, dhe të barabarta për të gjithë. Njeriu që arrin ta bëjë këtë është Lideri. Për këtë kemi nevojë!