Ish-kreu i degës së Durrësit: Votoj për liderin që na mungon

Ish-kreu i Partisë Demokratike i degës së Durrësit, Osman Stafa, ka deklaruar se do të votojë për Eduard Selamin në garën për kreun e PD-së që do të zhvillohet nesër. Përmes një mesazhi në rrjetin social facebook, Stafa ka përgëzuar kandidatin Selami për guximin ndërsa ka kritikuar Bashën për luftën që po tregon për të mos lëshuar karrigen. Ai ka kritikuar heshtjen e ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Statusi

Uroj që të shtunën të votoj për liderin që na mungon dhe jo për kryetarin që do zgjidhet! Po do marrë pjesë në votimin për kryetarin e PDSH-së, se nëpërmjet pjesëmarrjes i shërbej PD-së , demokratizimit të saj që aq shumë ka nevojë. Nëpërmjet votës time i them z. Basha se PD-ja është më shumë se një karrige kryetari , nëpërmjet votës time i them z. Selami faleminderit që guxove të kandidosh megjithë pabarazinë që kjo garë në realitet ka, i them z. Berisha se nëpërmjet heshtjes nuk i shërben sa dhe si duhet shtëpisë sonë, Shtëpisë së Lirisë , i them z. Patozi se duke mos garuar në këtë garë sa do jo reale më shumë do ta dëmtosh çatinë e PD-së se sa do ti shërbesh asaj. Nëpërmjet votës time dua t’i them z. Rama se paraja , krimi dhe dhuna e pushtetit nuk e mposht idealin dhe forcën e demokratëve. Nëpërmjet pjesëmarrjes dua ti them z. Basha se PD-ja ka shume për të bërë në raport me atë se si është dhe si duhet. Unë me votën dhe pjesëmarrjen time do ti shërbej PD-së dhe kryetarit të saj si dhe do te jem aty të luftoj ndaj çdo abuzimi me vlerat dhe idealet e çdo demokrati dhe qytetari. Do marrë pjesë se bindja dhe ideali im dhe i çdo demokrati qëndron më lart se këmbët e karriges së një kryetari. Uroj që të shtunën të votoj për liderin që na mungon dhe jo për kryetarin që do zgjidhet. Ftoj çdo anëtar të PD-së të bëhet pjesë e këtij procesi votimi për t’i shërbyer bindjeve dhe vlerave tonë. Po unë do jem pjesë e këtij votimi , sepse pjesëmarrja ime i shërben idealit tim.