Vrasja në Itali krim pasionant, shqiptari tregon pse vrau bashkombasin

“Krim pasionant e për motive të dobëta” , kjo është akuza me të cilën policia italiane ka zyrtarizuar sot udhërin e arrestimit me burg për shqiptarin Kujtim Beli 60 vjeç, autori i vrasjes së një dite më parë në Terni të Italisë të shqiptarit 49 vjeçar, Demir Hyseni.

Kujtim Beli ka pranuar para autoriteteve italiane autorësinë e vrasjes duke e motivuar se Demir Hyseni kishte pasur në të kaluarën një histori dashurie me bashkëshorten e tij, nga e cila është divorcuar dhe që aktualisht jeton në Gjermani.

Kujtim Beli njihej e frekuentohej dikur me Demir Hysenin. Një ditë para vrasjes e kishte telefonuar viktimën duke e informuar se ndodhej në Itali dhe se kërkonte ta ndihmonte me një vend pune.

Ky ka qenë dhe motivi i kurthit të ngritur për ekzekutimin e Demir Hysenit.

Pikërisht me anë të kësaj bisede telefonike, policia italiane ka mudur të gjejë gjurmët e lëvizjes së vrasësit, i cili u arrestua 12 orë pas krimit në afërsi të portit të Barit ndërsa po tentonte të largohej drejt Shqipërisë.

Sipas hetimeve takimi mes Belit dhe Hysenit ka nisur me një grindje të ashpër me fjalë e më pas ka kulmuar me goditje plumbi.

Demir Hyseni ka ndërruar jetë menjëherë në vendgjarje, nga 7 plumbat e marra nga pistoleta gjysëm automatike e përdorur nga Kujtim Beli.

Demir Hyseni jetonte prej shumë vitesh në Itali së bashku me bashkëshorten e 3 fëmijët e tij.