Edi Rama për tragjedinë: Zverneci nuk është plazh i miratuar nga shteti

0

Disa të mbytur në pak javë në bregdetin shqiptar. Ditën e shtunë, 3 të rinj dhe një fëmijë u mbytën në plazhet e Vlorës, duke shënuar kështu tragjedinë më të madhe në bregdetin tonë në mesin e sezonit turistik. Përkatësisht tre të rinj të moshës 24, 25 dhe 27 vjeç u mbytën në Zvernec dhe një 14 vjeçar tek Uji i Ftohtë.

Kryeministri Edi Rama është kritikuar në rrjetet sociale për mungesën e vëzhguesve (rojeve) në bregdet. Problem ky i trajtuar disa herë edhe në media.

Rama duket se kërkon ti shpëtojë përgjegjësi për mungesën e rojeve dhe kontrolleve në plazhe kur thotë se Zverneci dhe Uji i Ftohtë nuk janë plazhe të ligjshme.

Komentuesi: A ka roje bregdetare aty ku i beni pushimet ju? ishalla jo, dhe paç fatin e atyre te pafateve te djeshem ne Vlore. Amin

Rama: Gafurr, ti s’ke faj se mendja jote xhiron vetem kur i ben thirrje barku per ushqim dhe ty eshte e kote te te mundosh duke te kerkuar te pertypesh edhe informacionet, pervec ushqimit, por meqe merr persiper kot te nxjerresh edhe fjale nga zorret, po jap informacionin si me poshte jo qe te bindesh ti se sa kot rron po qe me kete rast ta lexojne edhe te tjeret:

Pjesa e bregut te Vlores ku ka ndodhur fatkeqesia me djalin e vogel, as nuk perdoret nga bashkia si plazh publik, as nuk i eshte dhene ne asnje centimeter per perdorim subjekteve private si plazh nga bashkia. Sepse aty eshte ende ligjerisht kantier ndertimi!

Ndersa plazhi ku ka ndodhur aksidenti i trefishte ne Triport, eshte nje plazh i eger, i cili nuk eshte fare ne listen e plazheve te miratuara si plazhe nga Ministria e Ekonomise dhe Turizmit e per rrjedhoje, ashtu si ne cdo vend te botes, ku fatkeqeisht ndodhin kudo tragjedi te tilla, nuk ekziston asnje detyrim qe te kete sherbim ruajtes.

Te tjerat jane brockulla te ziera ne kazanin mediatik e politik, per arsye e qellime qe vetem me humanizmin nuk kane asnje lidhje.

Zverneci ka vite që përdoret si plazh dhe aty nuk ka asnjë tabelë paralajmëruese se deti është i rrezikshëm. Nëse Zverneci dhe Uji i Ftohtë nuk janë plazhe, pse lejohen njerëzit të pushojnë aty?- Është pyetja që lind natyrshëm për Kryeministrin, shkruan opinion. Dhe e dyta po plazhet e tjera të miratuara pse nuk kanë roje bregdetare, pasi viktima në këtë sezon ka patur edhe në Durrës e gjetkë?!

Nisur nga këto tragjedi të ditëve të fundit duhet me të gjitha mënyrat që qeveria të ushtrojë kontrolle me institucionet e varësisë si dhe ka nevojë seriozisht për një plan kombëtar për turizmin. E vetmja mundësi që sjell rritje të mirëqënies kombëtare mbetet turizmi dhe bujqësia. Të dy këto sektorë kanë nevojë për ndryshim rrënjësor në mënyrën e strukturimit.

Kryeministri Rama duhet seriozisht ti përkushtohet turizmit në vend, pasi do jetë një sektor që punëson mijëra vetë. Modeli i deritanishëm kërkon dorë të fortë menaxhimi dhe kontrolli. Sidomos në ruajtjen e jetës se pushuesve ka nevojë për dhunë ligjore ndaj kujtdo institucioni apo privati që nuk zbaton rregullat dhe ligjet.

Të vdesin katër të rinjë brenda një dite, për fajin e mosrepektimit të rregullave me roje, me tabela paralajmëruese, me polici bregdetare,etj, është një krim i madh.