Festivali Ndërkombëtar i IUSY. LRI bashkon të majtën botërore në Jalë

0

Në Jalë këto ditë po zhvillohet një nga aktivitet më të rëndësishme të forumeve rinore të partive të majta të gjithë botës. Nën organizimin e Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI) të shtunën ka nisur Festivali i Botëror i IUSY (Unioni Ndërkombëtar i të Rinjve Socialistë). IUSY është organizata botërore të forumeve të partive të majta nga e gjithë bota dhe është themeluar në vitin 1907. Kjo organizatë ka anëtarë forume nga 134 vende. Anëtarë me të drejta të plota nga Shqipëria janë LRI dhe FRESSH. LRI përfaqësohet në këtë organizatë edhe me postin më të lartë që kanë marrë ndonjë herë të rinjtë shqiptare. Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj është dhe Zv.Presidententja e IUSY.

Aktiviteti i IUSY u zgjodh të zhvillohej në Jalë, nën drejtimin dhe organizimin e LRI. Forumi rinor i PS, FRESSH ka rol mbështetës në këtë aktivitet. Në takim marrin pjesë më përfaqësues nga të paktën 44 shtete. Numri i pjesëmarrësve llogaritet rreth një mijë të rinj dhe drejtues të njohur të partive të majta dhe organizatave ndërkombëtare.

Festivali Botëror i IUSY përkon dhe me 110 vjetorin e krijimit të kësaj organizate. Për ketë qëllim, drejtuesit e IUSY kanë ftuar në këtë aktivitet drejtues të rëndësishëm të së majtës europiane. Ndërkohë që nuk mungojnë dhe drejtues të rëndësishëm të politikës shqiptare. Në ditën e parë të Festivalit, më 15 korrik ishte i pranishëm dhe Presidenti i zgjedhur dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Ndërkohë që në ditët në vijim në këtë festival do të marrë pjesë dhe Kryeministri Edi Rama, si dhe politikanë të tjerë të njohur vendas dhe të huaj. Festivali është titulluar “Ne nuk shohim kufi” dhe ka si qëllim afrimin e të rinjve nga gjithë bota dhe diskutimin e temave ndërkombëtare që kanë të bëjnë më krizën ekonomike, emigrimin dhe mënyrën sesi qeverisjet e majta duhet të përballojnë këto probleme.

Në fjalën e tij, Presidenti i zgjedhur Ilir Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes forumeve të gjithë vendeve për të zgjidhur problemet e përbashkëta. “Ju kërkoj të gjithëve të forconi IUSY-in, të forconin bashkëpunimin midis të rinjve kudo, edhe këtu në Shqipëri sepse vetëm në këtë mënyrë, edhe Bota edhe Evropa, edhe Shqipëria, dhe Rajoni ynë do të kenë ndryshime më pozitive për të rinjtë. Sepse kërcënimet globale kërkojnë edhe një soliditet në rritje dhe në radhë të parë një ndërgjegjësim më të madh të të rinjve për t’i fituar këto sfida të cilat rrezikojnë të ardhmen e njerëzimit. Ndaj i urojë suksese IUSY-it dhe mendoj që ky ekip i mrekullueshëm i IUSY-it meriton një mbështetje më të madhe nga të gjitha forcat progresive në Evropë dhe në botë sepse pasioni i tyre mund të ndihmojë shumë për të rigjallëruar lëvizjen socialiste dhe social demokrate kudo”,- u shpreh Presidenti i Zgjedhur.

Ndërsa deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari u shprehet krenar për organizimin e përkryer të këtij eventi nga LRI. Nëpërmjet një statusi në facebook, Braimllari deklaron se ky aktivitet është një mundësi e madhe për zhvillimin më tej të marrëdhënieve me forumet socialiste rinore botërore.  “Krenar për organizimin e përkryer të Lëvizjes Rinore për Integrim për të mirëpritur të rinjtë socialistë nga 44 vende të globit, në eventin e rëndësishëm të kampingut në Jalë. Ky aktivitet është një mundësi shumë e madhe për të zhvilluar edhe më tej marrëdhëniet me forumet socialiste rinore botërore, për të forcuar dhe shpërndarë vlerat e socialdemokracisë anembanë botës si dhe për të promovuar potencialin fantastik të turizmit në Shqipëri”,- shkruan Braimllari.

Organizimi i një aktiviteti ndërkombëtar nga LRI-ja është vlerësuar dhe nga eurodeputetë pjesëmarrës në këtë takim. Tibor Szanyi, përfaqësuesi i grupit të progresistëve të Aleancës Social Demokrate të Parlamentit Europian ka shprehur vlerësimin e tij për LRI, veçanërisht në organizimin e festivalit të IUSY-t, me pjesëmarrjen e mbi 1000 personave, vendas dhe të huaj. Ai deklaron se e majta shqiptare është një lojtar i vërtetë në lëvizjen globale socialiste, dhe kjo e majtë sipas tij, është provuar nga një performancë e shkëlqyer e organizmit të LRI dhe LSI. “E majta shqiptare është një lojtar i vërtetë në lëvizjen globale socialiste, e cila është provuar nga një performancë e shkëlqyer e organizmit si LRI dhe LSI”,- tha Tibor Szanyi.

Ky festival, pritet të miratojë dhe disa dokumente dhe platforma që kanë të bëjnë me organizimin e forumeve rinore dhe projektet e së majtës. IUSY konsiderohet si paradhoma e liderëve të ardhshëm të politikës së majtë botërore.