Ledina Mandia: Task Forca, qetësoi zgjedhjet! Misioni ynë përfundon pas raportit

0

Në një intervistë për emisionin “Përballë” në RTSH, Zv/kryeministrja, Ledina Mandia thotë se brenda pak ditësh mbaron raportin për zgjedhjet, ajo sheh anët pozitive të funksionimi të Task Force dhe dëshmon se si mund të funksionojë më mirë ky model në të ardhmen.

Intervisoi: Lutfi Dervishi

Një shprehje jo dhe aq e urtë thotë: jetofsh në kohëra interesante. Kohët që po jetojmë janë interesante jo aq për  temperaturat e larta dhe vatrat e zjarrit, por për uljen e temperaturës politike mes pozitës dhe opozitës dhe qetësinë e pazakontë që ka shoqëruar zgjedhjet pas 25 qershorit. Pas 25 qershorit në qeveri ka më shumë ministra të partive që kanë humbur betejën elektorale se sa ministra të partisë që ka fituar zgjedhjet.

Situata është rrjedhojë edhe e marrëveshjes politike të 17-18 majit mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, marrëveshje që solli në qeverinë Rama, 7 ministra dhe një zëvendës kryeministre të propozuar nga Partia Demokratike.

7 Ministra teknikë, me mbështetje politike, garant teknik të një procesi politik, siç ishin zgjedhjet.

7 ministra teknik dhe një zëvendëskryeministre!

Një Zëvendëskryeministre që nuk e ka takuar dhe as ka komunikuarme kryeministrin.

Nuk gjen rast të dytë në cilëndo qeveri që të kërkosh në rajon apo më gjerë, por ka një precedent po shqiptar. Kryeministri i qeverisë në mërgim të Kosovës më 1992, ndodhej në Berlin, ndërsa zv/kryeministri në Tiranë.

Por ata ishin kohë të tjera dhe rrethana të tjera. Sot kemi zëvëndëskryeministren që aktualisht është edhe në proces gjyqësor për t’u kthyer në punën që ka patur më parë si Avokate e Shtetit.

Në emisionin #Përballë  është Ledina Mandia. Karriera e saj ka nisur herët, ndoshta që kur ishte studente: 21 vjeç ka qenë pedagoge, më pas   Avokate e Shtetit, këshilltare juridike e Presidentit, dhe tani Zëvëndëskryeministre, si rrjedhojë e marrëveshjes politike të 18 majit.

Mirëmbrëma zonja Mandia. Nga buron ky besim i madh politik tek ju?

Zoti Dervishi, ju e thatë që unë vij nga bota akademike dhe pastaj kam qenë një tekniciene, mbrojtëse ligjore e interesave të shtetit shqiptar dhe pastaj një këshilluese ligjore e kreut të shtetit. Në këto kushte me të vërtetë që unë nuk kam patur një profil politik, por duket bërë një punë për interes publik, në radhë të parë duke edukuar breza të tërë dhe duke nxjerrë shumë jurist dhe më pas duke mbrojtur interesat e shtetit shqiptar dhe këshilluar kreun e shtetit, besoj kam krijuar profilin e një personi të besuar, pikërisht për të garantuar për qytetarët shqiptarë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Duke qenë në këtë pozicion dhe në këto maja a keni  menduar tashmë, së paku 40 ditët e fundit se ju mund të keni edhe një  karrierë politike?

–       Unë mund të them se e kam nisur me jetën akademike që e kam dashur shumë, ndaj edhe e kam zgjedhur sepse mund të zgjidhja edhe gjëra të tjera, por ndërkohë mora profiling e mbrojtjes së interesave të shtetit, duke bërë arbitrazhin ndërkombëtar dhe më pas përfaqësimin në Gjykatën Europiane të të drejtave të njeriut….

–       Nëse do të marrim ëndërrat, kur pyet një fëmijë ai mund të thotë se do të bëhem mësuese, pedagoge dhe ky është rasti juaj, por askush nuk do të thotë që kur të rritem do të bëhem zëvendëskryeministre, por fati dhe rrethanat e ka sjellë që ju tashmë ndodheni në këtë pozicion, një pozicion i lartë ekzekutiv. Nuk e keni menduar se tashmë mund të ketë edhe një drejtim tjetër të karrierës tuaj….?

–       Zoti Dervishi, desha të dal tek përgjigja. Në momentin që unë vendosa të largohem nga akademia dhe të bëhem pjesë e administratës shtetërore, unë desha të jap një kontribut timin nga akademia në administratën shtetërore dhe besoj se këtë e bëra shumë mirë dhe këtë e bëra për vendin tim. Më pas edhe në pozicionin e këshilltares ligjore  të Presidentit të Republikës, e kam krenari që kam këshilluar zotin Nishani, me të cilin kam patur edhe një bashkëpunim kur ai ishte ministër i Drejtësisë. Tashmë, kuptohet që në këto kushte pranova sfidën për ta bërë këtë detyrë, edhe pse ishte e vështirë, në kushte jo normale, kuptohet, dhe e pranova kuptohet pikërisht për një të mirë publike…

–       Pse mendon se kjo ishte një sfidë e vështirë?

–       ishte e vështirë, sepse ishte atipike në kushtet e kuadrit ligjor të Republikës së Shqipërisë, në kushtet e situatës politike të krijuar. Por, pikërisht për të krijuar një stabilitet dhe për të krijuar besueshmëri tek njerëzit dhe për t’iu siguruar atyre zgjedhje të lira, të paktën si hap i parë, e bëra këtë dhe e pranova propozimin e bërë nga opozita. Përsa i përket përfshirjes time në politikë, unë e them se nëse vendi im do të ketë nevojë në të ardhmen për ta bërë këtë,… edhe do ta bëj.

–       Si erdhi propozimi tek ju? Nuk është gjë që ndodh shpesh në jetë që të bie telefoni apo të kontakton dikush dhe të thotë: shiko kemi menduar që ti do të jesh zëvendëskryeministre…

–       Zoti Dervishi, unë kam qenë në pozicionin e Avokates së Shtetit dhe duke qenë dhe duke qenë në pozicionin e Avokates së Shtetit kam patur bashkëpunim me shumë ministra apo titullarë institucionesh, që janë pjesë e politikës dhe me të cilët kam patur bashkëpunim shumë të mirë. Në këto kushte kam patur njohje me zotin Basha, sikundër edhe me persona të tjerë të cilët janë liderë të së djathtës. Në këto kushte zoti Basha më bëri një propozim dhe unë e pranova dhe jua tashë arsyen përse.

Sot në mesditë kryeministri Rama në një konferencë shtypi në kryeministri në përgjigje të pyetjes së një gazetare ka thënë: “pres largimin e ministrave teknikë. Nuk ka arsye të qëndrojnë”. ishin vetëm këto dy fjali të shkurtra. A mund të më thoni ju cila është arsyeja që duhet të qëndroni në qeveri?

–       Atëherë, e kuptoj shumë mirë. Unë jam këtu si pjesë e një marrëveshje politike, unë së bashku me 6 ministrat e tjerë teknikë, mbi bazën e asaj marrëveshje u bëmë pjesë e një qeverie, ndërkohë që kushtetuta e thotë qartë se cilat janë detyrat dhe funksionet që duhet të ushtrojë një ministër dhe mënyra procedura e ndjekur për emërimin apo shkarkimin tonë është e përcaktuar në kushtetutë. Në këto kushte është e kuptueshme që duke marrë rolin e një ministri, ajo marrëveshje politike nuk përcaktonte me detaje se çfarë do të bënin këta ministra. Për sa kohë mungojnë këto do të shkojmë te kushtetuta dhe kushtetutës duhet t’i qëndrojmë korrekt.  Është e kuptueshme që misioni kryesor ishte për të krijuar stabilitetin dhe për të krijuar situatën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë…

      A e konsideroni ju këtë një mision të kryer?

–       Atëherë, në këtë kuadër ju jeni në dijeni se me nismën time u draftua një VKM (vendim i Këshillit të Ministrave) edhe me ekspertizën e OSBE-së dhe kjo VKM, cakton qartë tagrin që do të ketë TASK FORCE në monitorimin e sjelljes së administratës shtetërore dhe përdorimit të burimeve financiare të buxhetit, të shtetit. Kështu që në kuadër të kësaj VKM-je është e kuptueshme që ky monitorim është bërë nga ana e ministrive, të cilët kanë ngritur grupet e monitorimit, po ashtu edhe nga Task Force që ka bërë edhe koordinimin e komplet procesit të monitorimit.

      Le të qëndrojmë një moment te Task Force, sepse kjo është ajo me të cilën ju jeni identifikuar, por jo të gjithë kanë qenë të kënaqur, madje ka patur edhe akuza të forta.   Kritika e parë dhe më e ashpër ka ardhur nga Lëvizja Socialiste për integrim. Kryetari i kësaj partie, në fakt ish kryetari ka thënë: çfarë është kjo task force që ka ministra nga partia demokratike, që ka ministra nga partia socialiste,  por mungojnë ministra të LSi. Keni ju një koment për përjashtimin e ministrave të LSi-së?

–       Zoti Dervishi, unë i kam dëgjuar komentet. Nuk ka patur asnjë tendencë për të përjashtuar ministra të LSi-së, absolutisht, madje…

      ..Por, por fakti është që asnjëri prej tyre nuk ka qenë në Task Forcë.

–        …madje, madje, bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë gjatë procesit të monitorimit. Por në Task Forcë janë përfshirë ministra, të cilët kanë patur lidhje me zgjedhjet e më përparshme, ose kur procesi është afektuar nga përfshirja e mësuesve në fushatë elektorale apo nga përdorimi i fondeve financiare, apo edhe nga çështjet e policisë së shtetit, përfshirjes së policisë në fushatë zgjedhore, në mbështetje të subjekteve elektorale apo bashkëpunim me elementë kriminalë. Pra, probleme të ngritura më parë. Kështu që në këtë kuptim, ministrat të cilët përbëjnë TASK Forcën janë, kryesisht ministra të Arsimit, të Financës, të Drejtësisë, të brendshëm, të Mbrojtjes, janë dy ministra shteti dhe është drejtori i DAP dhe drejtori i parandalimit të pastrimit të parave…

       Po, por këtu ka edhe ministra, që jo domosdoshmërisht i shkojnë arsyetimit që ju po thoni, psh ministri i Shtetit për Çështjet vendore, nuk është se ka ndonjë administratë nën kontroll, ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin. Dikush, me të drejtë mund të pyesë: pse këto ministra dhe jo një ministër i LSi-së?

–         Duke patur parasysh që monitorimi shkonte edhe në administratën e bashkive, në këtë kuadër është përfshirë edhe ministri i Çështjeve vendore, po ashtu përsa i përket marrëdhënieve me Parlamentin, duke patur parasysh kopetencat që ushtron kjo ministre, është kërkuar që të ishte pjesë e kësaj Task Force. Në fakt është konsultuar me ekspertë të OSBE-së, dhe në asnjë rast nuk është propozuar që mund të ishte edhe një ministër tjetër. Në momentin që do të ishte propozuar me patjetër që mund të ishte kushdo, qoftë ministrja e integrimit Gjosha, për të cilën kam shumë respekt, ashtu edhe ministrat e tjerë të cilët i respektoj.

       Ndaj jush si kryetare e TASK Force një akuzë ka qenë se jeni kreu i GESTAPO-s që po ushtroni gjenocid në administratën publike..

–        Në fakt unë i kam dëgjuar këto. i konsideroj deklarata politike. Në fakt është e qartë se Task Force nuk ka bërë shkarkime. Task Force ka koordinuar procesin e monitorimit. Kuptohet që ministrat dhe titullarët ushtrojnë funksionet e tyre në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të ligjit, dhe kuptohet që një drejtor drejtorie shkarkohet mbi bazën e një procedure ligjore, ashtu sikundër shkakohet edhe një nëpunës civil. Kështu që Task Forca nuk mund të bënte shkarkime. Është e vërtetë që Task Forca ka marrë denoncime nga qytetarë të ndryshëm të cilat ja ka përcjellë ministrive përkatëse, të cilat kur kanë analizuar rastin kanë ndërmarrë edhe veprime të tjera administrative, apo kanë referuar çështjet në Prokurori. Unë e kam bërë një gjë të tillë…

–        Nga rezultatet konkrete dhe nga komunikimet që ju keni bërë u krijua një perceptim që TASK Forca, është aty për të spastruar zyrtarë në administratën publike që vinin nga LSi. Është një perceptim që nuk u krijua nga asgjëja.

–        Kjo nuk është e vërtetë. Kjo nuk është e vërtetë. Unë e kam thënë edhe në deklaratat e tjera që unë kam bërë. Ndoshta media ka bërë punën e saj, sepse ministrat kanë përdorur strategjinë që çdo rast të abuzimit të administratës në fushatë elektorale, ta denonconin, ta tregonin në TV, dhe kjo është bërë në media dhe kjo është bërë që në një farë mënyre të stoponin pjesën tjetër të administratës të përfshihej në fushatë elektorale dhe kjo ka patur efektin e saj pozitiv. Ndoshta nga disa të tjerë është lexuar sikur po bëhet nami, po dëmtohet me dashje administrata dhe sidomos për disa figura që i përkisnin LSi-së. nuk ka patur një ndarje të tillë. Ne ishim aty për të krijuar kushte të drejta dhe të barabarta, për të gjitha focat politike.

Një nga qëllimet që ju sapo përmendët ka qenë parandalimi dhe injektimi frikës në administratë..

–       Parandalimi. Parandalimi..

        A mendoni se LSI përveçse akuzuese, në një farë mënyre u kthye edhe në aleatën tuaj më të madhe duke përhapur opinionin se jemi në vëzhgim, dikush po na sheh dhe po mban shënim nëse thyejmë ligjin?

–         Masat, nëse i marrim. Të them të drejtën unë e kam thënë edhe herë të tjera, që në asnjë rast nuk e kam ditur se kujt i përket, një drejtori apo një drejtori tjetër…të paktën unë personalisht. Në rastet kur kanë ardhur edhe në telefonin tim, edhe në emalin tim apo edhe me shkrim, unë i kam adresuar në ministritë përkatëse. Dhe vetëm më pas, pas deklaratave publike kam mësuar se kujt force politike i përket. Në fakt, ka patur të shkarkuar edhe nga PDiU, ka patur të shkarkuar edhe nga PS. Dhe unë e kam thënë që raporti nuk ka qenë i zhdrejtë nga sa kam mësuar më vonë, por gjithsesi, unë i konsideroj ato deklarata politike…

–        U krijua një ide se vetëm LSi është delja e zezë …për shkak se edhe në referimet mediatike, përmendeshin vetëm zyrtarë të LSi dhe në anën tjetër duket se njerëz të administratës thyenin ligjin vetëm aty ku ishin ministrat teknikë, ndërsa në dikasteret e tjera nuk ka ndodhur gjë…

–        Atëherë, zoti Dervishi, procesi monitorimit, është një process i vështirë për t’u realizuar në terrenin shqiptar. Nëse ne do ti referohemi VKM-së, aty thuhet që ngrihen grupe monitorimi me persona të cilët ndjekin, pjesëmarrjen e administratës në fushatë elektorale. Është edhe çështje vullneti, përveç të tjerash. Administrata jonë, unë e them me plot gojën që është e politizuar, ka nepotizëm brenda, ka edhe paaftësinë brenda dhe jam dakord që duhet të reformohet dhe në këto kushte mund të konsiderohet mjaft mirë që sekretarët e përgjithshëm që në fakt janë emëruar në mënyrë politike në vitin 2013 kanë marrë një status të nivelit më të lartë në administratën shtetërore dhe në këto kushte e kanë luksin për të ushtruar trysni edhe mbi administratën më poshtë, dmth tek nëpunësit më të ulët civil, referuar edhe ligjit, se si funksionon ligji për nëpunësin civil. Kështu që kuptohet që procesi monitorimit është një proces që kërkon vullnet, por është edhe i vështirë…

       A kishte vullnet? A gjetët vullnet për të kryer detyrën sipas përcaktimit të Vendimit të Këshillit Ministrave nr 473?

–        Ne ishim aty për ta bërë këtë gjë, sepse ne ishim me detyrë të posaçme për ta bërë këtë gjë.

       Cila ishte pengesa më e madhe për të bërë këtë detyrë?

–        Keni parasysh se nëse një ministër, për shembull ministrit të shëndetësisë po i referohem, do të bëj monitorime nëpër spitale, për pjesëmarrje të drejtorit në fushatë elektorale gjatë orarit të punës dhe ushtron trysni edhe mbi doktorët apo personelin aty është pak e vështirë sepse ministri ka sekretarin e përgjithshëm dhe administratën nga mbrapa dhe kuptohet se ministri nuk mund të rrijë gjithë kohën duke monitoruar në Berat, në Fier etj me radhë. informacionet kanë ardhur me email, kanë ardhur foto të ndryshme, këto informacione janë analizuar, kur kanë qenë të paqarta nuk është marrë asnjë masë. Për shembull, ministri i Shëndetësisë ka raportuar 20 raste. Nga këto 5 i ka ndjekur që ka marrë masë administrative dhe 3 i ka referuar në Prokurori.

       Ju, po thoni që sekretarët e përgjithshëm kanë qenë pengesë për…

–        Në disa raste po, kanë qenë pengesë sepse kanë penguar deri vendosjen e ministrave me kabinetet e tyre për të ushtruar detyrën…dhe unë e kam quajtur gjithmonë…

       Çfarë do të thotë..një sekretar i përgjithshëm nuk lejon që të instalohet ministri?

–        Kanë qenë artifice të panevojshme të krijuara me vullnet të plotë, sepse e rëndësishme në një marrëveshje është mirëbesimi dhe është bashkëpunimi për të bërë diçka. Pra unë mendoj se në situatën në fjalë duhet të ishte vendosur linja e bashkëpunimit, mes ministrave dhe sekretarëve të përgjithshëm, për të bërë të mundur realizimin e procesit të monitorimit.

       Pati ndonjë rast që kjo linjë funksionoi?

–        Unë besoj se ka funksionuar në disa raste pavarësisht se me vështirësi, por ka funksionuar. Kjo ka funksionuar mirë, në ministrinë e Drejtësisë, pavarësisht se pati edhe atje përplasje, por të paktën stafet, pavarësisht presioneve që kishin, kanë pranuar dhe kanë realizuar monitorimin. Eshtë e vështirë e them, sepse të kontrollosh në të gjithë Shqipërinë institutionet e varësisë, është e vështirë. Titullarët e institucioneve, që punojnë nëpër rrethe u përkasin forcave të ndryshme politike dhe janë ata të cilët bënin monitorimin e procesit, pastaj janë ata që dërgonin informacionet tek ministritë. Tani ky informacion është i vërtetë, s’është i vërtetë ne nuk e dimë. Pra ajo drejtoria atje po themi…

       …po, por ai që dërgon informacione, mban përgjegjësi në kuptimin që firmos, nuk është informacion anonim.

–        Po, por kush e kontrollon atë. Unë kam vërejtuar, sepse nuk dua të bëj publike të dhëna, kam ërejtur që ka patur ministri që kanë dërguar të dhëna, psh që nuk ka punësime dhe nga ana tjetër ka dalë, sepse më kanë ardhur informacione që po bëhen punësime, nga subjekte elektorale të ndryshme, sepse më kanë thënë se po bëhen punësime..

       Gjatë fushatës?

–        Gjatë fushatës elektorale. Dhe unë kam dërguar grup kontrolli. E kam monitoruar dhe kam parë që ishin bërë punësime me të vërtetë dhe nisur nga kjo i bie që edhe informacioni tjetër për mos pjesëmarrje të administratës elektorale në fushatë të jetë…

       …të jetë në pikëpyetje. Por masat e ndëshkimit që merren në këto raste janë instrument që të tjerët të mos e përsërisin…

–        Ndoshta, ndoshta do të vlerësohen në të ardhmen, që kjo të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme ky procesi monitorimit, por ama mund të them se kjo është shumë e vështirë, shumë e vështirë për sa kohë që unë e thashë se i rëndësishëm është vullneti.

       Vullneti dhe mirëbesimi. A gjetët ju vullnet për të kryer këtë punë?

–        Jua thashë edhe njëherë që probleme ka patur, që të jemi korrekt, në ministrinë e Mirëqenies Sociale, nuk ka patur vullnet nga ajo çfarë është raportuar nga ministrja nga ana e sekretares së përgjithshme. Dhe ministrja ka nisur një procedim disiplinor sipas ligjit tek DAP, në lidhje me sjelljet e saj (së sekretares së përgjithshme), në lidhje me pengesat, duke detyruar administratën të mos japë informacione, duke e detyruar që të mos zbatojë urdhërin e ministrit, apo edhe sekretare paradhome e cila ushtron presion mbi stafin për të mos zbatuar urdhërat e ministrit. Këto janë situata, nuk dua ta besoj në asnjë rast që janë të orientuar nga dikush, por thjesht unë e kam kërkuar edhe në Task Forcë që personat që pengojnë zbatimin e kësaj VKM-je dhe zbatimin e procesit të monitorimit duhet të merren masa, duhet të nisë procedim disiplinor. Vetë VKM-ja…

       Në një logjikë normale, të pengohet një VKM, nuk besoj se janë kaq të pavarur dhe profesional që bëjnë një gjykim kundër VKM-së…

–        VKM thotë në pikën 32 që mos zbatimi rregullave dhe detyrimeve të parashikuara sjell përgjegjësi disiplinore, sipas kuadrit ligjor në fuqi. Dhe unë kam kërkuar këtë që gjithë ministrat të fillojnë procedurat, të bëjnë propozimet për shkarkime nga detyra sepse kam konsideruar që kjo është shkelje shumë e rëndë. Ndërkohë që ka një vullnet politik për të monitoruar sjelljen e administratës gjatë zgjedhjeve, për të monitoruar përdorimin e fondeve publike, për të monitoruar pikërisht edhe përdorimin e parasë që vjen nga veprimtaria kriminale, apo edhe për të monitoruar edhe sjelljen e policisë gjatë fushatës elektorale, – kjo është një e mirë publike dhe nëse dikush e pengon, unë e konsideroj këtë si një shkelje shumë të rëndë.

       Lidhur me këtë që po thoni, kemi Shërbimin Civil dhe DAP, departamenti Administratës Publike, të cilët kanë trajtuar çështje të përplasjeve që kanë patur, kryesisht ministrat teknikë me zyrtarë të administratës. Në vlerësimin tuaj, si ka qenë sjellja e Shërbimit Civil dhe DAP?

–        Zoti Dervishi, tani unë mund të them se shpesh herë është pretenduar që duhet të referohen drejt DAP, janë referuar drejt DAP-it, kjo është e vërteta, për shembull ministrja Kërtusha, katër raste që ka patur i ka referuar në DAP dhe akoma nuk ka marrë një përgjigje. Gjithashtu zoti Bardhi (ministry Drejtësisë) ka qenë një rast tjetër, sepse sekretarja e përgjithshme ishte kandidate për deputete dhe në bazë të ligjit duhet të ishte vetdeklaruar …

       …duhet të ishte pezulluar.

–        Duhet të ishte pezulluar, ndërkohë që kjo nuk ka ndodhur..

       Dhe nuk ndodhi edhe më pas…?

–        Nuk ndodhi, dhe zoti Bardhi bazuar në VKM e cila thotë se titullarët kanë të drejtën të pezullojnë ata nëpunës të cilët janë kandidatë për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, mori një vendim të cilin e argumentoi, e arsyetoj dhe kuptohet që …

       ..Kjo është shumë e qartë se është pika 17 që i jep të drejtën e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës dhe pezullim nga detyra në rastet kur emrat e tyre janë kandidatë në listat e zgjedhjeve. Nuk duket se ka gjë për t’u diskutuar në këtë rast. Sipas jush se jeni edhe juriste…çfarë tregon kjo?

–        Unë kam vërejtuar, zoti Dervishi, një zvarritje në trajtimin e çështjeve nga ana e DAP-it. Pikërisht për rastet të cilat janë propozuar për procedim dhe janë dërguar në ndjekje nga ana e ministrave, ashtu edhe në rastin kur unë kam kërkaur që të bëhen verifikime në lidhje me sjelljen e personave të caktuar në administratë të cilët po pengojnë monitorimin.

       Le të qëndrojmë një moment. Një sekretare e përgjithshme që është kandidate për deputete dhe vijon të jetë sekretare e përgjithshme edhe sot e kësaj dite. Çfarë do të duhet të thuhet se kjo nuk ka funksionuar. Mjafton një rast…, është si të thuash nuk është e nevojshme të pi gjithë fuçinë e verës për të thënë se çfarë cilësie ka, por më mjafton një gotë e vogël për të thënë se çfarë cilësie ka. Nëse është ky rast që po thoni, çfarë mund të thuhet për vullnetin, për zbatimin e VKM-së, për garancitë për zgjedhjet?

–        Sekretarja e përgjithshme është një individ, është në pozicionin më të lartë në hierarki, është e vërtetë ajo që thoni ju, përveçse ishte kandidate, ka penguar që nga fillimi, zotin Bardhi për të ushtuar detyrën, duke hequr edhe të drejtën për të patur një portal, ndërkohë që edhe urdhëri i kryeministrit Rama ishte që, ..urdhëri 65 i majit 2017, ishte që duhej të bëhej monitorimi sjelljes së administratës, domethënë këto ministra teknikë nuk po bënin diçka nga mendja e tyre, po bënin diçka të dakortësuar nga forcat politike. Sekretarja e përgjithshme e ka penguar ministrin dhe përveçse e ka penguar ka qenë edhe në të tilla kushte që ishte kandidate për deputete. Nuk dua ta besoj se ka qenë gjithçka e orientuar, ndoshta kanë qenë prirje personale të këtyre personave për të reaguar në mënyrë të tillë. Pa diskutim që ministrat teknikë e kanë patur vullnetin për të bashkëpunuar, sepse objektivi kryesor i tyre ishte monitorimi i sjelljes së administratës dhe përdorimit të fondeve publike. Krijimi i një situate të qetë për administratën, që administrata të mos ishte nën trysni, mos ishte e frikësuar, që do t’i thonin do të dalësh nëpër sheshe apo do të dalësh poshtë e përpjetë, për të mbështetur subjekte të ndryshme elektorale sepse je..në humbje të vendit të punës për vete ose për familjarët. Ky ishte dhe qëllimi kryesor. Dhe ministrat janë munduar të bëjnë me aq sa kanë mundur për të realizuar këtë proces monitorimi.

       Ministrat nuk është se kanë patur akses të plotë dhe bashkëpunim të plotë, siç po del edhe nga biseda, për të kryer punën e tyre, po a ka patur zëvendëskryeministrja akses të plotë? Zëvendëskryeministrja në hierarkinë e ekzekutivit është numri dy i qeverisë, në mungesë të kryeministrit ka përgjegjësinë më të madhe. Ju gjatë ushtrimit të detyrës a keni patur akses të plotë?

–        Atëherë, neni 5 i ligjit 900 për organizimin dhe funksionimin e këshillit të ministrave përcakton qartë se zëvendëskryeministri, zëvendëson kryeministrin në kuptimin të pikës 1 të nenit 34 të procedurave administrative. Do me thënë që autoriteti kryesor, drejtues dhe kontrollues është kryeministri dhe kur ai nuk është atëherë zëvendësohet nga ana e zëvendëskryeministrit.

       Dhe kryeministri nuk ka qenë gjatë gjithë fushatës?

–        Kryeministri ka qenë në fushatë elektorale, por ndërkohë unë nuk kam ndjekur gjithë lëvizjet e kryeministrit.

       Ju keni patur akses të plotë për të kryer detyrën tuaj?

–        Fokusi kryesor i punës time ka qenë në drejtimin e Task Forcës, në koordinimin e kësaj Task Force. Në këtë Task Forcë janë kërkuar shumë informacione nga të gjitha ministritë, nga të gjithë titullarët e institucioneve, nga të gjitha bashkitë dhe prefekturat, ky informacion duhet të përpunohej dhe kjo nuk ishte e lehtë. Përveç të tjerave ne kemi bërë edhe monitorime në vend, pra në momentin që një qytetar më drejtohej dhe më kërkonte që të verifikohej një rast, ne e kemi bërë këtë pavarësisht se nuk kishim dhe shumë kushte.

       Më lejo ta bëj pyetjen ndryshe. E keni takuar ndonjëherë kryeministrin Rama?

–        Zoti Dervishi, unë ju thashë edhe njëherë që zoti kryeministër, në dijeninë time ka qenë në fushatë elektorale, ndërsa unë kam qenë e angazhuar …

       Zgjedhjet kanë mbaruar më datë 25 qershor. Apo kryeministri vijon fushatën dhe ende nuk e keni takuar?

–        Nuk jam në dijeni. Kam përshtypjen se është angazhuar me reformat pas zgjedhjeve, ndërsa…

       Pyetja tjetër: a keni komunikuar me kryeministrin?

–        ..ndërsa unë po merrem me punë tjetër që do të mbaroj një punë publike, që është përfundimi i një raporti, që është detyra ime, që t’i tregoj publikut…

       Kur përfundon ky raport në vlerësimin tuaj?

–        Sa më shpejt do të përfundoj ky raport.

       Domethënë, këtë vit, këtë muaj, këtë javë…

–        Është çështje ditësh…

       Ccështje vitesh??

–        Çështje ditësh.

       Ccështje ditësh…

–        Domethënë unë kam bërë edhe një njoftim për shtypin në lidhje me këtë.  U është kërkuar gjithë ministrive të sjellin raporitn e monitorimit. Ministritë kanë patur datën 10 korrik si afat përfundimtar. Mbi bazën e gjithë dokumentacionit që unë kam…

       Ministrat  teknikë e kanë sjellë raportin?

–        Po patjetër.

       Atëherë ministrat…

–        Edhe ministrat e tjerë e kanë sjellë. ishin dy ministra të LSi-së që ishin të vonuar, por e kanë sjellë.

       Në vlerësimin tuaj si ish avokate e shtetit, si juriste, nëse mund t’i jepnit një notë vlerësimi raporteve të dikastereve të ndryshme.. nga anojnë, janë të gjithë tek nota 8 apo…

–        Zoti Dervishi unë nuk dua këtu të vë në përgjegjësi ministrat sepse kuptohet që puna e një ministri bëhet nga stafi që e mbështet, sepse ministrat drejtojnë politika..

       Por ministri në fund firmos dhe thotë ky është raporti.

–        Po është e vërtetë kjo. Unë e kam ngritur si çështje dhe e tashë edhe më parë se informacionet që vinin ishin jo në nivelin e duhur. Raportet që vinin paraprakisht që në mbledhjet e task forcës, ishin jo në nivelin e duhur…

       Në Task Forcë, që ju përmendni, kanë marrë pjesë ministrat e Partisë Socialiste, ministrja e Mbrojtjes, ministri për çështjet e pushtetit lokal dhe ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin.

–        Nuk kanë marrë pjesë. Ka marrë një herë të vetme pjesë zoti Koçi…

–        Zoti Koçi nuk është ministër.

–        Zëvendësministër, zëvendësonte zonjën Kodheli në mungesë të saj, ndërsa dy ministrat e tjerë nuk kanë marrë pjesë…

       Që do të thotë, në mos gaboj ju keni zhvilluar 10 mbledhje…

–        Jo kemi zhvilluar 6 mbledhje, sepse aq ishte afati. Task Forca është krijuar më datë 2 qershor, pavarësisht se ne kemi filluar punën, më datë 23 dhe kemi bërë monitorim bazuar në urdhërin e zotit Rama dhe mbi bazën e kodit zgjedhor, mbi bazën e kodit penal që u bënë ndryshimet. Është bërë një punë voluminoze e cila është pasqyruar edhe përmes televizorit. Ministra kanë bërë një propagandë me administratën duke i vlerësuar si asete dhe duke i njohur edhe me ndryshimet ligjore dhe me masat dhe sanksionet që do të vinin ndaj tyre nëse do të angazhoheshin  në veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin.

       Ti rikthemi edhe njëherë këtij momenti që më duket se ju kërkoni ta shmangni, por që besoj ka një interes për publikun. Nëse nuk e keni takuar kryeministrin, a keni komunikuar me të, nga data 2 qershor deri në momentin që ne po flasim.

–        Unë kam patur një bashkëpunim me sekretarin e përgjithshëm të këshillit të ministrave, i cili ishte anëtari i Task Forcës, ndërsa kryeminisrin as e kam takuar dhe as kam komunikuar…

       Nuk keni komunikuar dhe ka të ngjarë, ju po thoni se mbaroni raportin tuaj për çështje ditësh, që do të thotë se në harkun e një jave apo dy jave?

–        Shumë shpejt qytetarët, duan të dinë, kanë të drejtë të dinë se cili ishte roli i këtyre ministrave teknikë, çfarë bënë ata, pse u futën aty, çfarë panë ata dhe cili është produkti që sollën, çfarë realizoi kjo Taskë Forcë dhe si mund të realizojë më mirë në të ardhmen ky model i monitorimit të administratës, pra a funksionoi si model?

       Në gjykimin tuaj, a funksionoi Task Forca, ishte një model, ishte një sukses që ja vlen të përsëritet apo një sukse që mirë është të mos përsëritet?

–        Zoti Dervishi unë dua të filloj nga gjërat positive jo nga ato negative, duhet të kuptojmë se një situatë qetësie gjatë këtyre zgjedhjeve e pamë, jo si më parë, kjo edhe falë ndryshimeve ligjore që u bënë, pra nuk kishte më flamuj e mjete propaganda, nuk kishte më presion mbi administratën sepse presion ka patur, por ky presion u minimizua le të themi…dhe ne ishim aty për t’i krijuar këtë rehati administratës që të besonte dhe të denonconte raste kur titullarë ose persona politikë u bënin presion atyre për të dalë në fushatë elektorale. Kjo ishte ideja, dhe tjetra ishte për të denoncuar raste kur përdoreshin fonde publike. E them këtë që në lidhje me qetësinë e këtij procesi, apo në lidhje me një farë sigurie sado të vogël mund të themi se këtë radhë kjo u krijua. Po ashtu edhe pastërtisë së rrugëve nga flamuj dhe propaganda edhe këtë e kemi parë.

       Funksionoi…

–        Pra funksionoi, edhe strategjia jonë me daljet mediatike, duke denoncuar raste të ndryshme, pra qëllimi nuk ishte të nxirrnim një emër, ose të thonim u procedua ky person…

       ..qëllimi ishte t’i trembnit?

–        Qëllimi ishte të kuptohej që zbatohej ligji. Ligji është kryesori dhe ato janë atje për të bërë punën e tyre, që ushtrojnë në administratë.

Të kalojmë pak konkretisht te puna e task forcës, përpara se të flasim për vlerësimin e përgjithshëm. Në gjykimin tuaj a veproi TASK FORCE në përputhje me ligjin apo në kufijtë e ligjit dhe në ndonjë rast në shkelje të tij?

–       Në dijeninë time Task Forcë nuk e ka shkelur ligjin. Në dijeninë time shkarkimet apo propozimet për shkarkime janë bërë përmes procedurave për punonjës që kanë marrë pjesë në fushatë elektorale, kjo ka qenë, ndërkohë janë bërë referime në organin e prokurorisë kur ka patur indicie, ju thashë edhe njëherë jo të gjitha rastet…

Po marrë një rast që duket pa shumë lidhje, por a është normale, morale dhe e ligjshme të pengosh dikë të bëj lejen e zakonshme?

–       ka një vkm në lidhje me lejet e zakonshme, me mënyrën se si organizohen …

      Por VKM nuk është fjala e fundit në kuptimin e respektimit të të drejtave kushtetuese…

–       …ju kuptoj, mbi bazën e kësaj VKM-je organizohen edhe lejet e zakonshme në Republikën e Shqipërisë. Kuptohet që një rioorganizim i lejeve në administratën shtetërore dhe unë kam provuar të jem në administratë dhe kryesisht lejet e zakonshme janë kryesisht  për periudhën korrik-gusht dhe kjo nuk është vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, në Europë dhe në botë. Por di të them se në një situatë të tillë që ishte alarmante. Kishim informacione që 1/3 e administratës, e Shërbimit Civil do të merrte lejen e zakonshme dhe do të përfshihej në fushatë elektorale.

      Mirë, një nënpunës i shërbimit civile, lejohet të përfshihet në fushatë elektorale pas orës 4 të ditës së punës, por nuk lejohet të përfshihet në fushatë në një periudhë që nuk ka lidhje me punën siç është leja e zakonshme.

–       Në rastin e lejes së zakonshme ai përfshihet dhe në këto kushte meqënëse ne kishim informacione që 1/3 e nëpunësve do të shkonin me leje të zakonshme, kjo ishte, le ta marrim në sensin pozitiv të gjërave, diçka pozitive në lidhje me riorganizimin e lejeve nëpër institucione.

      Pozitive gjykuar nga rrethanat. A është ligjore të nxirren urdhëra ditën e dielë?

–       Një ministër edhe mund t’i nxjerrë. Nuk jam në dijeni për çfarë bëhet fjalë…

      Po kush punon ditën e dielë?

–       Nuk e di për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

       Urdhër nga ministria e Drejtësisë gjatë fushatës..

–       Çfarë urdhëri…

      Diçka në lidhje me burgun e Rrogozhinës. Është një urdhër i dalë ditën e dielë.

–       Varet nga rrethanat dhe nga çështja sepse mund të jetë në mirëadministrimin e institucionit.

       Ju personalisht, gjatë fushatës, keni akuzuar zëvendësministren e Financave, irena Beqiraj se po nxit administratën të marrë pjesë në fushatën elektorale. Nëse në një qeveri ka shkëmbim akuze në këtë nivel, çfarë mesazhi përcillet…

–        Atëherë më lejoni t’u sqaroj në lidhje me këtë. Në lidhje me rastin e zonjës Beqiraj, ka qenë një konfrontim në lidhje me ministren e Financave. Pra që në momentin që ministrja e financave ka marrë atë pozicion, zonja Beqiraj nuk ka patur frymën e bashkëpunimit, me ministren e financave, të paktën nga raportimet sepse unë nuk kam qenë prezente, por nga raportimet e ministres së Financave, ku ajo nuk ka mbajtur një etikë komunikimi ndaj saj duke i treguar cakun deri ku e ka dhe kur do të ikë nga zyra dhe askush nuk do t’i bindet asaj. Më pas ky debat mes tyre është përcjellë..

       … në këto raste duket se bishti është më i rëndë se sqepari…, një zëvëndësministre që i tregon ministres se çfarë duhet të bëjë?

–        Tani këto janë gjëra që kanë ndodhur…

       Neni 102 i kushtetutës thotë se kryeministri bashkërendon dhe kontrollon punën e anëtarëve të Këshillit të Ministrave, pra edhe të ministrave teknikë. A ka ndodhur kjo gjë?

–        Tani, domethënë… e di kryeministri.

       Nuk ka ndodhur.

–        Në rastin tim që më është adresuar çështja, unë ja kam bërë të qartë zonjës Beqiraj që të respektonte kushtetutën dhe ligjet duke i treguar edhe kopetencat që kishte një ministër, një zëvendësministër qoftë me daljet mediatike, qoftë edhe në marrëdhëniet që do të kishte me personat e tretë jashtë institucioni. Është e përcaktuar qartë, shteti ka rregulla. Unë besoj tek ligji dhe kërkoj që institucionet të funksionojnë mbi bazën e ligjit. Ky ministër, qoftë teknik apo jo me eksperiencë apo pa eksperiencë ka ardhur përmes një marrëveshje politike dhe nëse ka ardhur aty ai ushtron funksionet të plota. E kanë vlerësuar persona të tjerë, e ka votuar Parlamenti dhe i ka dhënë votëbesimind dhe nuk mund të diskutohet nga dikush tjetër.

Le të qëndrojmë pak te një çështje, në linjën që po thoni ju. Më datë 25 qershor, ditën e zgjedhjeve, ora 17 pasdite, ju keni zhvilluar mbledhjen e 6 të Task Force dhe keni dalë me një komunikatë kritike për rolin e policisë në trajtimin e denoncimeve. Komunikatën e kam përpara, por e kam marrë atë ditë me email. Dhe një nga pikat e VKM-së ka qenë që komunikimi me publikun realizohet përmes faqes së kryeministrisë. A mund të thoni se pse kjo komunikatë nuk është publikuar në faqen zyrtare të kryeministrisë?

–       Në radhë të parë kjo mbledhje u bë urgjente sepse unë kisha vendosur një numër për komunikimin me publikun dhe subjekte elektorale, për adresimin e çështjeve të ndryshme dhe atë ditë në numrin e instaluar nga ana ime kanë qenë 20 kërkesa dhe është kërkuar nga policia që kërkesat të trajtoheshin dhe të merrej një përgjigje në fund të ditës. Në fund të ditës unë nuk kam marrë përgjigje për 20 kërkesa, vetëm për dy kërkesa dhe kjo ka qenë shqetësuese sepse qytetarët vazhdonin dhe telefononin. Dhe përsa kohë ne kishim miratuar një ditë më parë…

      …ju portalin e keni bërë publikë më 24 qershor, një ditë më parë.

–       Po ka qenë një ditë më parë dhe një numër telefoni.

      Një pikë kontakti për partitë dhe qytetarët…

–       Dhe numër telefoni. Dhe një ditë më parë është bërë mbledhje dhe janë miratuar masa operacionale, sipas këtyre masave operacionale, policia e shtetit do të ishte në bashkëpunim të plotë me Task Forcën për të gjitha rastet e komunikuara nga e saj dhe nga ana e gjithë ministrave për sa kohë kishte qoftë raste të shitblerjes së votës apo raste të pjesëmarrjes së policisë dhe raste të administratës në intimidim dhe përfshirje në shit-blerjen e votës. Ne kemi parë që ka patur raste të intimidimit apo përfshirjes së administratës dhe të policisë në shitblerjen e votës. Janë referuar këto raste tek unë..

      Përfshirje e policisë në shit-blerje të votës..

–       Janë komunikuar këto raste dhe në fund të ditës unë nuk kisha një informacion. Mund të them se bashkëpunimi me zotin Çako ka qenë shumë korrekt, gjatë gjithë kohës së ekzistencës së TASK Forcës, sa herë janë kërkuar raporte zoti Çako ka raportuar, kuptohet që për çdo informacion unë do të merrja për bazë raportet që sillte policia e shtetit.

      Ju, në këtë komunikatë thoni: policisë së shtetit ju kërkua informacion dhe sqarime për raste konkrete dhe pastaj thoni ..”nga policia nuk u dhanë sqarime konkrete, nëse rastet e dërguara nga kryetari i Task Force ishin verifikuar në vend dhe nëse ishin marrë masa për parandalimin e shitblerjes së votës, siç pretendohej nga denoncimet.

–       Në fakt nuk kam marrë përgjigje se në atë mbledhje nuk erdhi vetë zoti Çako, erdhi zoti Qato, i cili referoi që kishin qenë në pamundësi për të bërë verifikimin e 20 rasteve por që do të raportohej më tutje. Në fakt më pas unë kam verifikuar dhe më është thënë me shkrim që janë verifikuar 16 raste, nga 20, por nuk kam informacion se si kanë rezultuar…

      …por pyetja  e parë ishte: pse mendoni se kjo komunikatë nuk është publikuar në faqen e kryeministrisë.

–       Në fakt zyra ime e shtypit ka komunikuar me zyrën e sekretarit të përgjithshëm, për ta publikuar, kjo është bërë natën vonë. Nuk e di për çfarë arsyesh. Aty çdo gjë është reale bazuar mbi një procesverbal i cili është i transkiptuar, pra i regjistruar më parë dhe më pas i transkriptuar dhe ka gjëra të cilat janë të vërteta. Jo çdo gjë është e thënë aty, por është një përmbledhje e asaj çfarë është diskutuar atë ditë.

       Një shifër e dhënë nga ju është 3580 punësime në administratë… në kundërshtim me ligjin.  A keni adresuar në prokurori këto raste të thyerjes së ligjit?

–       Më lejoni të sqaroj diçka. Unë ju thashë që mënyra e monitorimit ka qenë përmes kërkesave, informacionet që vinin nga zyrat, sepse unë e kisha të pamundur që të bëja audite, sepse periudha ishte tepër e shkurtër dhe kjo nuk mund të realizohet…unë e kam thënë se nëse në të ardhmen do të ekzistojë një Task Forcë ose një model i tillë, qoftë me përfshirje ministrash apo me një formë tjetër, nuk e di se si se kjo mbetet për t’u vlerësuar, por është e nevojshme që të ekzistojë do të ishte e mira që të ngrihej 6 muaj më parë apo minimum tre muaj më parë.

      Pra që një task forcë të funksionojë ka nevojë për më shumë kohë dhe ju thoni se minimum 3 muaj janë të domosdoshëm…

–       ..ose maksimumi 6 muaj, sepse përndryshe është e pamundur të realizohet…

      ju besoni se brenda këtyre 3 muajve ministrat teknikë e kanë tashmë autoritetin që të mos bllokohen nga sekretarët e përgjithshëm?

–       Ky është problem tjetër që duhet të reflektohet edhe në reformën në administratën shtetërore, mendoj unë, ashtu siç do të reflektohen edhe probleme të tjera në reformën zgjedhore, por mendoj se është një kohë më e mirë, e thashë maksimumi 6 muaj, minimumi 3 muaj që të sillet një produkt më i vlefshëm. Dhe siç po u thoja, rastet e punësimeve ishin marrë me shkrim, secila nga ministritë apo institucionet thoshte se nuk ka punësime, nuk ka shkarkime …

      Ministrat thonin nuk ka punësime…

–       Kini parasysh, neni 88 i kodit zgjedhor.

      Po si arritët ju tek shifra 3580?

–       Atëherë, një subjekt elektoral, kemi patur subjekt elektoral PD apo edhe LSi, të cilat kanë denoncuar raste të shkarkimeve dhe punësimeve gjatë fushatës elektorale…

      Domethënë në këtë portal dhe në këtë linjë telefonike erdhën më shumë denoncime nga qytetarë apo nga subjekte politike?

–       Nuk kanë ardhur këto në portal, por në telefon ose me shkresa zyrtare. Portal është krijuar, në fakt në faqen e kryeministrisë, por nuk funksionon as sot, sepse unë kam dashur të bëj publike gjithë kërkesat për informacion që janë drejtuar ministrive apo institucioneve, të cilat të jenë të aksesueshme për publikun, gjë të cilën e kam deklaruar edhe gjatë mbledhjeve të task forcës, është një problem me iT mesa jam vënë në dijeni nga personat në kryeministri, por ka ardhur përmes shqetësimeve në telefonin tim personal, sepse kërkesat vinin edhe në telefonin tim personal dhe më kanë thënë që ka..(punësime), unë kam çuar stafin tim për të bërë verifikim, duke koordinuar kuptohet. Zoti Agaçi më ka vënë në dispozicion mjetin nga ana e kryeministrisë dhe është bërë verifikimi në vend, në lidhje me protokollin dhe në lidhje me list-pagesat. Dhe është vënë re që ka patur punësime apo shkarkime nga detyra. Duke u nisur nga kjo unë kam marrë shkas që të kërkoj në tatime, informacione në lidhje me list – pagesat. Domethënë se aty del edhe numri i personave. Aty mund të ketë edhe një marzh gabimi, se kjo është për tu vlerësuar sepse 3000 e ca janë bashkë të gjitha, transferime, largime, punësime, të gjitha me radhë. Por ajo duhet të lexohet ndryshe. Në këto kushte për ta lexuar ndryshe dhe për të bërë një hetim të mëtejshëm unë i jam referuar edhe organit të prokurorisë. Dhe i kam drejtuar shkresën prokurorisë për të hetuar më tej dhe për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Kjo mund të realizohet edhe nga ana e KLSH-së në të ardhmen përmes…

      ..auditimit.

–       auditit të performancës përsa i përket punësimeve dhe largimeve gjatë fushatës elektorale për ta kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

      Janë të gjithë denoncimet tuaja në prokurori?

–       Unë kam patur një numër prej 10 denoncimesh në prokurori. Kam marrë përgjigje prej tyre që më ka ardhur përgjigja, që janë regjistruar procedime penale, por kuptohet që kjo do të marrë kohën e saj. Kjo është arsyeja që unë ju thashë që duhet një periudhë më e gjatë për të bërë monitorimin, sepse edhe në lidhje me fatin e një kallzimi apo adresimi të një çështje në prokurori, kuptohet që merr kohën e saj që unë nuk mund ta ndjek në momentin që nuk do të jem më aty. Ose në lidhje me procedurat e DAP-it.  Ka ministra që kanë nisur procedurat disiplinore pranë DAP-it sepse çdo procedurë merr kohën e saj për t’u trajtuar dhe për të dalë në një vendimmarrje konkrete. Dhe unë mendoj se nëse nuk do të ketë një vendim-marrje konkrete nga ana e organit të prokurorisë për të gjitha rastet, jo vetëm për çështjet e referuara nga ne, por edhe ato të referuar nga organi policisë, apo edhe nga qytetarët. Të gjitha këto duhet të maten në një kohë të dytë, dhe tani nuk mendoj se është momenti dhe të bëhet një analizë. Me të vërtetë a pati raste të shitblerjes së votës se denoncime ka patur shumë, por e rëndësishme është provimi i kësaj e rëndësishme është hetimi dhe në fund vendimi gjyqësor.

      Çfarë do të sillte ndëshkimi sipas jush?

–       Nëse do të kishte ndëshkim, atëherë në të ardhmen do të ketë më pak propabilitet të shitblerjes së votës. Unë mendoj se një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan organi i prokurorisë, gjithashtu edhe gjykata.

       Ju keni deklaruar: “Unë jam e keqardhur që nuk kam marrë asnjë rast denoncimi të vërtetë që para nga burime kriminale të jenë përdorur për këtë apo atë subjekt politik”.

–        Është e vërtetë e kam thënë, e kam thënë sepse është një akuzë, e cila është bërë jo vetëm nga politikanë, por edhe nga qytetarë të ndryshëm. Unë e kam dëgjuar edhe nga qytetarë të ndryshëm dhe unë e kam dëgjuar edhe nga ministri i Brendshëm në mbledhjen e Task Forcës, i cili e ka sjellë edhe me shkrim këtë gjë …

       …çfarë ka thënë ministri i Brendshëm?

–        Ministri Brendshëm ka thënë që ka patur përdorje të parasë që vjen nga veprimtari kriminale, ka thënë që ka implikim të forcave të policisë në mbështetje të subjekteve elektorale dhe…

       Janë këto raste të referuara në Prokurori?

–        Janë,nuk janë tonat…

       ..apo janë thjesht zëra të dëgjuar.

–        Ka raste të referuara nga ana e policisë. Sepse policia vetë ka deklaruar për një polic të arrestuar të përfshirë në shit-blerje të votës, por gjithsesi akuzat janë të rënda, sepse paraja që vjen nga veprimtaria kriminale, nga korrupsioni, nga tenderat, nga konçesionet apo paraja që nga droga, nga kanabis, apo paraja që vjen nga trafiqet e ndryshme, mund të jetë përdorur… nuk është në qarkulllim, më falni nuk është në sistemin bankar, por mund të jetë në qarkullim në mënyrë të paligjshme dhe është vënë në dispozicion të subjekteve elektorale për t’i mbështetur ato gjatë fushatës elektorale. Unë i kam kërkuar KQZ-së të më sjellë një informacion në lidhje me auditin e bërë përsa i përket financimit të partive politike. KQZ është përgjigjur se ky raport do të jetë pas 4 muajsh.

       Pas 60 ditësh sipas ligjit…

–        Kështu kam përgjigjen nga ana e kryetarit të KQZ-së. do të thotë që për të kuptuar gjithë këtë çfarë ka ndodhur, për të audituar me të vërtetë aktivitetin e partive politike, gjatë fushatës elektorale dhe paranë e harxhuar…

       ..por por si juriste ju e dini që në gjykatë nuk ka vlerë ajo që dimë, por ajo që mund të provojmë.

–        E kuptoj zoti Dervishi…

       ..Po flasim për atë që dimë, apo për atë që mund të provojmë.

–        Në bazë të VKM-së këtu thuhet diçka që lidhja me paratë të cilat mund të vijnë nga veprimtaria kriminale, policia e shtetit dhe drejtoria e pastrimit të parave kanë për detyrë të raportojnë në task forcë. Unë kam një rast…

       …kanë raportuar?

–        Unë kam një rast që është raportuar për transaksione të dyshimta nga ana e një kandidati për deputet nga drejtoria e pastrimit të parave, por nuk jam njoftuar për ndonjë rast tjetër. Domethënë unë nuk kam mundësinë për të hetuar dhe monitoruar se ku është kjo para e cila vjen nga veprimtaria kriminale. Ka organe të tjera të cilat mund ta bëjnë këtë dhe janë në funksion të tyre.

       Pika 27 e VKM-së, Task Forca brenda sferës së veprimtarisë së vet kur e gjykon të nevojshme kërkon informacion me shkrim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për çdo veprimtari në kundërshtim me kodin zgjedhor. A keni marrë informacione nga KQZ për veprimtari në kundërshtim me kodin?

–        Unë kam marrë informacione. i jam drejtuar me shkresë zotit Zguri qoftë për financimin, qoftë për materialet e propagandës dhe për masat e marra. Kemi patur një bashkëpunim të mirë me KQZ-në në këtë drejtim, referuar kërkesave të bëra nga subjektet elektorale, në Elbasan, Peqin, ku subjekte të ndryshme si PDiU përdornin material propagande në rrugë, në kundërshtim me ligjin për partitë politike. Ndërkohë që kam kërkuar informacione lidhur me kallëzimet penale të adresuara për sa i përket procesit zgjedhor. Zoti Zguri më ka thënë se nuk ka patur asnjë ankesë të paraqitur në këtë drejtim dhe si rrjedhim asnjë kallëzim penal.

       Çdo instituicon shtetëror, ose institucion i pavarur, është pika 25 e VKM, raporton me shkrim periodikisht lidhur me zbatimin e masave. Ka ndodhur kjo gjë? Kanë raportuar institucionet?

–        Po patjetër, kanë raportuar. Në nivel ministrie jua thashë që kam qenë e shqetësuar për nivelin e raportimit i cili vinte për shifrat apo analizat e bëra në lidhje me monitorimin e bërë nëpër institucionet e varësisë, nuk ka qenë korrekt informacioni. Raporti nuk ishte në cilësinë e duhur dhe unë kam tërhequr vëmendjen që duhet bërë procedim disiplinor ndaj këtyre personave sepse janë edhe në majë të administratës shtetërore, në lidhje me seriozitetin e tyre, si duhet ta marrin punën, për të asistuar në një kohë të shpejtë sepse një muaj ishte puna që do të kryhej. Por nga ana tjetër ka patur raportim për çdo çështje, ju thashë nga drejtori policisë, nga drejtori parandalimit të pastrimit parave, nga Avokati Popullit, nga Komisioneri për mbikqyerjen e Shërbimit Civil, nga departamenti për administratën publike. Në momentin që është kërkuar informacioni ata e kanë përcjellë këtë informacion.

       Një nga çështjet që ka shqyrtuar TASK FoRCe ka qenë edhe “mosdhënia e sheshit në Vlorë apo më saktë dhënia e një leje dy mujore për Sheshin e Flamurit që do të përdoret vetëm nga Partia Socialiste. Në çfarë përfundimi arritët kur shqyrtuat ankesën e Lëvizjes Socialiste për integrim?

–        Kjo ishte kërkesë e LSi dhe ju tashë ne ishim për të krijuar një barazi mes subjekteve elektorale. Pra ne i kemi trajtuar gjithë kërkesat e LSi, madje unë kam bërë edhe mbledhje jashtë radhe, pikërisht nisur edhe nga ajo që asnjë ministër i tyre nuk ishte pjesë e Task Forcës, çdo kërkesë që adresohej unë kam realizuar një mbledhje task force ku është raportuar nga autoritetet e përfshira. Në rastin konkret, LSi thoshte nuk na është dhënë sheshi. Unë e kam verifikuar dhe vetë kryetari bashkisë Vlorë ka pranuar që e kishte dhënë për dy muaj për PS-në. Nuk ka sqaruar mbi çfarë kushtesh dhe mbi bazën e ligjit e kishte dhënë sheshin për dy muaj dhe hollin e pallatit të sportit tek Partia Socialiste, kështu që në këto kushte kur situata ishte e paqartë se cila ishte baza ligjore që i jep një subjekti elektoral një shesh dhe dikujt tjetër i referon në një shesh tjetër, ndërkohë që ligji thotë ndryshe. Unë e kam referuar, e kam adresuar rastin në Prokurorinë e Vlorës.

       Një proverb thotë: bëmë dhe njëherë nuse pa di unë si të nusëroj. Nëse do të përsëritej sërish kjo skemë, apo ky mekanizëm në prag të zgjedhjeve të ardhme, çfarë do të  bënit më mirë? Ju përmendët që duhet më shumë kohë, ka ndonjë gjë tjetër që duhet patur parasysh që ky mekanizëm të funksionojë më mirë?

–        Zoti Dervishi ka shumë gjëra, që kërkojnë,..janë pjesë e reformave mendoj unë, jo vetëm ligjore, por përfshijnë ndoshta në mënyrën e komportimit të nëpunësit të civil, pra duhet të shihet pozicioni i administratës shtetërore që në mendimin tim është e politizuar..ndoshta në të ardhmen..

       Ju thatë për administratën më parë tri gjëra, që administrate është e politizuar, që ka nepotizëm dhe që ka paaftësi. Në këtë pikëpamje si e vlerësoni angazhimin e kryeministrit që thotë se duam të kemi një administratë profesionale. Si arrihet që do të kemi një qeveri të Partisë Socialiste, por një administratë larg oreksit të Partisë Socialiste?

–        Unë mendoj se gjithë qytetarët shqiptarë duan një administratë të pavarur dhe …

       ..çfarë pengon për ta patur një të tillë?

–        Unë jam shumë dakord nëse  do të ketë një reform të vërtetë në këtë drejtim për të patur një administratë profesionale.

       Një nga rekomandimet e hershme të OSBE – ODHiR, që daton nga zgjedhjet e 2005, pra 12 vjet më parë ka qenë “ndërtimi i një mekanizmi efikas për të adresuar, përdorimin e aseteve publike dhe burimeve njerëzore të administratës në fushatën elektorale”. Në vlerësimin tuaj sa ndihmoi ky mekanizëm (TASK Force) për zgjedhjet më transparente dhe më me pak probleme?

–        Unë thashë që dua të flas për gjënë pozitive para asaj negatives. Ajo që thashë për gjënë pozitive është se një efekt e pati, të paktën edhe para publikut  ..

       …efekt frenues.

–        Po, efekt frenues. Do të thotë ishte efekti që këto ministra po kontrollojnë, pra frika shpesh herë e stafeve për të dhënë informacione, për procedura të ndryshme tenderuese apo për praktika të ndryshme pune ku mund të hetohej dhe kontrollohej për dhënie privilegjesh personave të caktuar që ishin burim financimi për subjekte të ndryshme elektorale, do të thotë që gjithsesi e ka patur efektin e saj dhe nëse në të ardhmen do të rregullohet në mënyrë më të mirë, them që do të funksionojë shumë herë më mirë.

       Në përfundim të punës ka tre mendime: një që thotë se TASK FORCE i shërbeu kryeministrit Rama si një PR i mirë, dhe si një mekanizëm që garantoi mos kontestimin e zgjedhjeve nga opozita, dy që TASK Force ishte një gjë e mirë për opozitën, sepse pati sytë dhe veshët në proces, një tjetër që opozita nuk ndihet mirë nga gjithë kjo që ka ndodhur. Në gjykimin tuaj sa e ndihmoi Task Forca opozitën?

–        Atëherë edhe njëherë, përfshirja e ministrave ishte pjesë e marrëveshjes politike, nga ana tjetër Task Force u krijua për të krijuar këtë klimë qetësie dhe kjo do t’i shërbente qytetarëve shqiptarë, në radhë të parë, do t’i shërbente vetë administratës shtetërore, nivelit të ulët them se nuk flas për nivelin e lartë, ka plot pjesë të shërbimit civil, apo shumë persona të tjerë që janë të punësuar që kuptohet që janë nën ndikimin e presionit, sepse duan të marrin atë rrogën dhe të shkojnë në shtëpi, kështu që ndoshta ishte një formë qetësuese për ata për të mos u vënë nën presion. Pra i shërbeu qytetarëve.

       Sa e ndjeni veten nën presion tani, kur shumë zëra, më shumë nga e djathta se nga e majta, shto edhe deklarimin e sotëm të kryeministrit që thonë: tashmë duhet të largohen…

–        Zoti Dervishi unë zbatoj ligjin. Dhe unë kam marrë një rol publik, kam kryer një funksion, në bazë të VKM kam kryer koordinimin.

       Në bazë të VKM-së, Task Forca do të ushtrojë funksionet dhe të përmbushë detyrat e sipërpërmendura deri në përfundimin e procesit zgjedhor.

–        Po.

       Kjo është pika 29 e VKM-së.

–        Pra në fund të këtij procesi të monitorimit…

       Në kuptimin ligjor procesi është i përfunduar 5 ditë pas mbylljes së ankesave, që do të thotë edhe një javë…

–        Po.

       Do të thotë që me përfundimin e procesit çfarë do të bëni? Do të jepni dorëheqje? Do të delegoni kopetencat…

–        Në radhë të parë unë do të…

       …do të prisni t’iu largojnë?

–        Në radhë të parë unë do të përmbyll rezultatin që kam marrë nga monitorimi për t’ia bërë të ditur publikut, për t’ia bërë të ditur edhe opozitës.

       Po, por ka shumë interes në vlerësimin tuaj kur do ta përmbyllni këtë raport?

–        Ju thashë edhe njëherë që raporti është punë ditësh, domethënë…

–        …javën tjetër?

–        Shumë shpejt. Shumë shpejt do të jetë raporti gati.

       Pse është kaq e vështirë për të dhënë një datë, qoftë edhe të përafërt?

–        Sepse, zoti Dervishi, të jem e sinqertë kjo është në varësi të verifikimit të informacionit, të shifrave dhe të bërjes së një produkti serioz.

       Ju vetë besoj e keni një objektiv tuajin. Do ta mbaroj brenda korrikut… do ta mbaroj brenda një jave, do ta mbaroj deri në muajin shtator…

–        Unë ju thashë që është punë ditësh, nuk thashë që është punë muajsh.

–        Po dhe i gjithë viti prej ditësh përbëhet…

       Është punë ditësh, se mund të thoja edhe punë javësh.

       Gjatë, kësaj periudhe që keni postin e zëvendëkryeministres ju keni patur takime me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, a mund të na thoni se cili ka qenë shqetësimi tyre kryesor?

–        Shqetësimi tyre kryesor ka qenë numri i rasteve të denoncuara..

       Fati i tyre?

–        Rastet e ndjekura nga të gjitha ministritë dhe fati i tyre përfundimtar. Qoftë përsa i përket masave administrative…

       Cila është përgjigja juaj?

–        Përgjigja ime ka qenë: çështjet janë në ndjekje e sipër, qoftë në DAP sa i takon shkarkimeve në shërbimin civile apo sa i përket kallëzimeve penale në rastin kur ata janë adresuar në prokurori.

       Më lejoni t’u bëj një pyetje në fund si juriste. Ditët e fundit ka një debat që ka pëfshirë zyrtarë, politikanë dhe publicistë rreth botimit të listës së zezë prej 100 personash të publikuar nga kryeministri. Si juriste dhe avokate  çfarë do t’i sugjeronit nëse ju drejtohet për ndihmë një person që ndodhet në këtë listë?

–        Dispozitat ligjore aty janë. Secili që mund të dëmtohet në një rast nga një gjë që nuk është e vërtetë, kuptohet që ka të drejtën të mbrohet në gjykatë dhe të kërkojë atë që i takon, në rast se këto nuk janë të vërteta.

       Por, si avokate do t’i thonit: e keni fituar çështjen, është rast i lehtë apo: mos u merr me këtë punë.

–        Kjo është një e drejtë e njeriut e përcaktuar në kushtetutë, është e përcaktuar në konventën europiane të të drejtave të njeriut që në çdo moment, çdo person ka të drejtën që të realizojë të drejtat e tij…

       Si avokate do të preferonit ta kishit këtë çështje të lehtë apo do ta konsideronit të vështirë?

–        Varet sipas rastit.

Faleminderit.