Prishet pazari me Ramën. Basha: Nuk ka shans për bashkëpunim apo koalicion

0

Lulzim Basha më në fund ka vendosur të flas hapur për marrëveshjen me Edi Ramën më 18 maj. Pas humbjes katastrofike të opozitës, Basha ka reflektuar për pasojat që i shkaktoi pakti i cilësuar si pazar mes tij dhe Ramës.

Basha ka deklaruar se marrëveshja me Ramën është bërë nën presionin e fortë të ndërkombëtarëve. Sipas tij, PD-ja u detyra të hynte në garën elektorale me një marrëveshje politike, pasi në të kundërt zgjedhjet do të njiheshin edhe nëse bojkotoheshin nga opozita zyrtare.

Nga Tropoja, Basha për herë të parë hodhi poshtë çdo mundësi bashkëpunimi të mëtejshëm politik mes tij edhe Edi Ramës në të ardhmen. Sipas Bashës, Edi Rama ishte i pari që e shkeli marrëveshjen duke blerë votat. Basha tha se një PD-ja nuk mund të bashkëpunojë me një subjekt politik që ka blerë fitoren.

 “Marrëveshja e 18 majit na diktoi provën nën presionin ndërkombëtar, me Edi Ramën Kryeministër, prova dështoi. Ajo që ne kishim thënë u provua, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s’ka asnjë shans lloj bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes”, deklaroi Lulzim Basha.

Kjo është deklarata e parë e Lulzim Bashës lidhur me të ardhmen e paktit Rama-Basha. Pas zgjedhjeve, Edi Rama e falënderoi publikisht Lulzim Bashën për marrëveshjen duke e ftuar që të vazhdonin bashkëpunimin. Qëndrimi i sotëm i Bashës duket dhe si një kthim përgjigjeje që lë të kuptosh se pazari është prishur.

Por a mund të besohet se pakti mes dy kryetarëve ka marrë fund? Për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetje duke të analizohen argumentet që Basha jep për marrëveshjen. Ajo që Basha tha në Tropojë për ndërkombëtarët është vetëm një pjesë e të vërtetës së paktit me Ramën. Detajet e këtij pazari nuk janë bërë publike edhe sot.

Basha tani po justifikohet se u detyrua të bëj marrëveshje  me Ramën, pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. Por nëse është kështu, përse duhet që PD-ja të merrte formalisht gjithë ato ministri? Mjaftonte vetëm marrëveshja politike për hyrjen në zgjedhje dhe strukturuat e PD nuk merrnin asnjë kosto për standardet e procesit të zgjedhjeve. Sepse sot PD është në situatë që ka humbur zgjedhjet, por as nuk ankohet dot për manipulime, pasi ministritë e rëndësishme kanë qenë në drejtimin e PD.

Futja e ndërkombëtarëve në lojë është paksa e pabesueshme edhe për një arsye tjetër. Ndërkombëtarët kanë kërkuar marrëveshje politike, siç kërkuan edhe partitë e tjera në vend. Por ndërkombëtarët nuk mund të kenë kërkuar eliminimin e koalicioneve politike. Nuk ka logjikë politike që ndërkombëtarët kanë kërkuar nga PS dhe PD shmangien e koalicioneve dhe vjedhjen e votave në tavolinë, siç doli nga rinumërimi i djeshëm në KQZ.

Gjithashtu, nuk mund të kenë qenë ndërkombëtarët ata që i kanë kërkuar Bashës dhe PD që të marrin drejtorinë e OSHEE, Legalizimet etj. Selitë diplomatike kanë kërkuar marrëveshje dhe kompromis politik. Por në vend të kësaj, Rama dhe Basha e kthyen konsensusin në pazar dhe në shkëmbime institucionesh.

Ndaj, sërish justifikimi i Bashës nuk bind. Ashtu siç nuk bind dhe deklarata e tij se nuk do të bashkëpunoj më me Edi Ramën. Ka një provë të fortë që e konfirmon këtë. Ndërkohë që shprehet se nuk ka më aleancë me PS, Basha ende mban në qeverinë e Ramës ministrat teknikë të PD.