Jozefina Topalli-Berishës: Indiferenca të bën fajtor. Bashën po e ndihmon Rama

0

Jozefina Topalli i është shmangur disa  herë pyetjes nëse është Sali Berisha që po mbështet Lulzim Bashën në krye të PD-së, veçanërisht pas rezultatit të thellë humbës në zgjedhjet e 25 qershorit, ende pa një analizë humbje.

E pyetur nga “Express” sesi e vlerëson heshtjen e ish-kryeministrit Berisha për këtë situatë, veçanërisht atë brenda PD-së, ku kritikët janë ngritur kundër Bashës, Topalli shprehet: “Heshtja të bën bashkëfajtor në këtë situatë. Kushdo që hesht. E nis që nga vetja ime. Po indiferenca të bën fajtor. Dikush duhet t’i dalë zot PD-së

Kujtojmë se zoti Berisha është mjaft aktiv në situatën politike në vend e vazhdimisht reagon përmes rrjeteve sociale, por për atë se çfarë po ndodh në Partinë Demokratike që ai drejtoi derisa ja “dorëzoi” Bashës në 2013-ën, ende nuk ka thënë asnjë fjalë. Figura që themeluan PD-në mbetën jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e qershorit të 2017-ës, të hartuara nga Lulzim Basha.

Ndërkohë më 22 korrik PD zhvillon zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së ku në garë është Basha me funksione që i “ngriu” pas humbjes më 25 qershor, dhe Eduard Selami, i lënë jashtë Kuvendit të ri të Shqipërisë pasi nuk u fut në listat “Basha”. Topalli hedh edhe një akuzë të fortë kur thotë se Lulzim Basha e ka caktuar rezultatin. “Zgjedhjet në PD janë farsë”, – përfundon ajo. Topalli thekson se Basha e “mblodhi partinë dhe e futi në çadër, pikërisht në momentin kur duhej fushatë e fortë ndaj mazhorancës.

Kur do bëheshin zgjedhjet në Kavajë Basha mori e tha bëjmë protestë për të bllokuar zgjedhjet. Ka bërë akt tradhtie kur premtoi se nuk do hynte në zgjedhje me Ramën”, shprehet ish-kryeparlamentarja duke radhitur kështu veprimet që Basha bënte në kundërshti me situatën ku ndodhej vendi dhe vetë PD-ja në funksionimin e saj të brendshëm.

Një ndër zërat më kritikë kundër kryetarit të PD-së, Jozefina Topalli, thotë se Basha ka qenë 12 vjet në pushtet, nga 2005 deri në 2017, me poste ministrore dhe së fundi si kryetar i Bashkisë së Tiranës, derisa të merrte drejtimin e partisë më të madhe opozitare kur PD pësoi rënien nga pushteti në vitin 2013.

“Basha nuk e ka njohur PD-në për të qenë kryetar i saj. Nuk i sillte lavdi “uni” që përcillte gjatë gjithë kohës. “Plani im. Unë kryeministri i ardhëm. Unë jam ai me formim perëndimor”. Kjo është një fyerje për shqiptarët. As sot s’e di se kush është Basha. Ke të bësh me një maskë dhe maskën nuk e lexon dot”, theksoi Topalli përballë gazetarit Berat Buzhala.

“Edhe në fushatë nuk e përmendi që ka qenë kryetar bashkie. Ka premtuar edhe tramin dha tha: E mbajta premtimin. Kjo është fyese”, shton demokratja. Sipas saj, Basha ka qenë ministri më i përkëdhelur gjatë kohës së qeverisë Berisha. Topalli zbuloi për “Komiteti” se Bashën nuk e ka votuar që në krye të herës kur Sali Berisha, lideri historik i së djathtës, i la drejtimin e partisë.

“Unë nuk e kam votuar Bashën. Kam luftuar prej kohësh se ka qenë aty për interesa personale. Për mua ka qenë enigmë e shkuara e Bashës. Kam pasur pikëpyetje që i kam thënë publikisht, edhe në mbledhje grupi. Kam reaguar edhe në zyrën e tij. I kam thënë kjo nuk është PD-ja, veçanërisht për protestën në çadër”, përfundoi Jozefina Topalli.

 Jozefina Topalli bën një deklaratë të fortë në “Komiteti” duke thënë se pas Bashës, fshihet kryeministri Edi Rama si personi që i jep mbështetje për ta çuar PD-në në situatën e rënduar ku forca më e madhe opozita gjendet tashmë. Duke e quajtur një eksperiment të dështuar vendosjen e Lulzim Basha në drejtimin e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli thotë se këtë qëndrim ja ka shprehur hapur edhe ish-kryeministrit Sali Berisha, liderit historik të së djathtës.

Por e pyetur nga gazetari Berat Buzhala nëse Basha e ka mbështetjen e zotit Berisha për vendimet e marra në PD, duke nisur që nga listat për zgjedhjet e 25 qershorit, Topalli ngre pikëpyetje se garancinë në veprimet e tij, ndoshta ja jep edhe kryeministri Edi Rama.

“Ku e gjen garancinë ky njeri që shkel skandencat elektorale, që nuk mbledh Këshillin Kombëtar, i turret dhe komitetit ndërkombëtar gjatë çadrës me një fjalor që unë nuk e kam dëgjuar. Kur s’pranonte të hynte në zgjedhje kam menduar se ka qenë presion, derisa sa kapërcyer skadencën elektorale. Thash nga ky njeri çfare s’mund të presësh. Tha: Unë kisha një zgjidhje tjetër; Të mos hyja në zgjedhje”, thotë Topalli duke cituar kreun demokrat Basha, por këtu zbulon edhe pse ai nuk do merrte pjesë në garën elektorale të 25 Qershorit. Mundësi që Basha sipas saj, e shihte “si derë shpëtimi për kokën e tij, por nga ana tjetër, për të shkatërruar partinë”.

Pyetjes së përsëritur të drejtuesit të emisionit komiteti, nëse është Berisha që e mbështet, Bashën, Topalli ju përgjigj: “Po ndoshta është zoti Rama. Ndoshta është dikush tjetër”.Ish-kryeparlamentarja thotë se nuk është e zhgënjyer për rezultatin e dobët të PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit, dhe as për situatën brenda PD-së, pasi e priste nga mënyra e drejtimit të Bashës, e madje e ka paralajmëruar diçka të tillë. “Nepotizmi është ulur këmbëkryq në PD. Jam ndër të paktët persona që s’jam e zhgënjyer me degradimin e PD-së. Nëse dikush merr peng një forcë politike është alarm për shoqërinë jo vetëm për kryesinë” përfundoi Topalli.