Helsinki dhe juristët: Lista e Ramës e paligjshme. Shkelen të drejtat e njeriut

0

Publikimi i emrave të 100 zyrtarëve që sipas Kryeministrit kanë abuzuar me ligjin duke u bazuar në denoncimet anonime në Facebook ka sjellë reagime të shumta. Nuk janë vetëm qytetarë dhe partitë politike që e cilësojnë si një gabim moral shpalljen fajtorë të zyrtarëve vetëm mbi bazë denoncimesh anonime. Juristë dhe përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinikit e cilësojnë publikimin e kësaj liste si një shkelje ligjore nga Kryeministri Edi Rama.

 Juristët denoncojnë se po shkelen të derjtat e njeriut në publikimin e listës 100-emërore të lakuar në rrjetin social si të korruptuar.
“Vendosja e burimeve të informacionit nga rrjetet sociale si provë e fajësisë bie jo vetëm në kundërshtim me të drejtën themelore të të drejtave të njeriut dhe me konventën evropiane për të drejtat e njeriut për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor që ka të bëjë me fajësinë dhe pafajësinë, por bie në kundërshtim edhe me terrenin human ku jeton njeriu. Që do të thotë se, njeriu në mënyrë proceduriale dhe literale duhet vendosur para faktit. A është thënia në rrjetet sociale fakt? Mund të jetë indicje, por jo fakt”, thotë avokati Sokol Hazizaj.

“Publikimi i të dhënave në faqet e internetit apo në çdo lloj forme tjetër publike i të dhënave ndaj këtyre personave, të cilët mund të jenë nënpunës të administratës, specialistë të thjeshtë apo funksionarë në këto institucione, jo vetëm është e paligjshme por mund të krijojë shqetësime të panevojshme”, thotë Erida Skëndaj, drejtoreshë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Por avokati Hazizaj e sheh këtë çështje si një anti-reformë në drejtësi përsa kohë po ndërhyhet në kompetencat e institucioneve të drejtësisë që akuzon dhe gjykon shtetasit e dyshuar.

“Kur në emër të reformës përdoren nuk do të thosha shpifje, por deklarime të paprovuara, atëherë mendoj se përdorimi i tyre është anti-reformë. Sepse nga njëra anë ne përpiqemi të forcojmë institucionet e drejtësisë, nga ana tjetër u japim goditje të madhe institucioneve, sepse nuk u lëmë atyre mundësi të krijohen, formatohen, zhvillohen dhe zbatohen”, thotë Hazizaj.

Hazizaj shprehet se kjo nuk është mënyra e përshtatshme për të luftuar korrupsionin.

“Në një sistem ligjor adekuat e korrekt, çdo njeri që i përmendet emri për çdo lloj arsye, veçanërisht për korrupsion të mbetur në tentativë apo veprime korruptive, do t’i drejtohej gjykatës. Por kur gjykata dhe vetë institucioni i akuzës përmendet si institucion i korruptuar, atëherë më thoni kush ka ngelur për t’iu drejtuar”, nënvizon Hazizaj.

Megjithatë, sipas shefes së Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në një situatë të tillë komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale siç parashikon ligji mund të japë rekomandime, por edhe gjoba administrative për shkeljen e kryer.

LEXONI EDHE:

EMRAT/Ja zyrtarët që janë denoncuar nga Rama për abuzime

Daci-Baot e Kryeministrit Rama

Kryeministri i futi në “listën e zezë”, Adriatik Llalla shkarkon dy prokurorë

Kryemadhi: Rama merret me spiunllëqe për të fshehur vjedhjen e votave

Reagon Edi Rama: Nuk keni parë gjë akoma