Nis Forumi i Biznesit në Trieste, Shqipëria përfaqësohet me Ekonomin

Nis në Trieste të Italisë Forumi i biznesit të vendeve të Ballkanit Perëdimor i cili mbahet në kuadër të Samitit europian për 6 vendet ballkanike të këtij territori.

Në forum marrin pjesë përfaqësuesit e Ministrive të Ekonomisë dhe të Transportit të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Kroacisë, Malit të Zi, Serbisë e Bosnje-Hercegovina, përfaqësues të biznesit të këtyre vendeve, krerë të lartë të institucioneve europiane si Komisoneri i lartë për zgjerimin e BE Johannes Hahn e Komisionerja europiane për Transportin Violeta Bulc, Ministri i Jashtëm italian Angelino Alfano etj.

Shqipëria do të përfaqësohet në këtë Forum nga Ministrja e Zhvillimit Ekonomik Milva Ekonomi, ndërsa Kosova nga Ministra e Ekonomisë dhe e Transportit Hykmete Bajrami.

Pjesëmarrës në këtë Forum janë dhe përfaqësuesit e rreth 500 sipërmarrjeve italiane e të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Forumi i Biznesit do të zhvillohet në katër seanca dedikuar temave të Energjisë e Ambientit, Infrasktrukturës, Inovacionit e Instrumenteve Financiare.

Përgjatë tij do të zhvillohen takime të përbashkëta mes përfaqësuesve të sipërmarrjeve ballkanike, institucioneve qeveritare të vendeve pjesëmarrëse dhe sipërmarrjeve italiane.

Forumi i Triestes do të luajë një rol të rëndësishëm në shembjen e të gjitha pengesave për krijimin e një ambienti të përbashkët biznesi i aftë që të kontriboj në rritjen e ekonomisë së rajonit me një vëmëndje të veçantë ndaj tërheqjes së investitorëve, rritjes së eksportit dhe rritjes së konkurencës së sipërmarrjeve në tregun ndërkombëtar.

Në këtë Forum do të inaugurohet dhe një Sekretariat i përbashkët me seli në qytetin e Triestes i Dhomës së Tregtisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor ku parashikohen të jenë pjesë rreth 350 mijë sipërmarrje ballkanike.