Kur do të pushojnë fëmijët e ngujuar?

Sa gjaqe janë pajtuar? Sa fëmijë janë nxjerrë nga ngujimi? Janë pyetje që më buçasin brenda kafkës. Sigurisht shoh fëmijët e mi, dalin, luajnë, bëhen gati të shkojnë me pushime (a pushojnë fëmijët e ngujuar?) dhe lumturohem, sigurisht.

Nga Manjola Zeka

Jemi dhënë kaq shumë pas politikës, karrierës, zhurmës, komoditetit, udhëtimeve, të paqortueshme gjithsesi, saqë kemi harruar se një pjesë e shoqërisë sonë ndodhet në mizerabilitetin e 200-300 viteve më parë. Madje më keq. Sepse kësaj i shtohet edhe krahasimi.

Ata kanë mundësi të krahasohen me atë pjesën e shoqërisë që prosperon, gëzon, qesh, lumturohet, hidhërohet, qan. Ndërsa ata veç “shijojnë” mizerjen. Po flas për të ngujuarit. Sa janë ata? Ku janë? Si janë? Ka vite që nuk flitet më për ta.

Ndonjë emision, ndonjë kronikë që mbyllen me minutazhin e rezervuar dhe kaq. Sa gjaqe janë pajtuar? Sa fëmijë janë nxjerrë nga ngujimi? Janë pyetje që më buçasin brenda kafkës. Sigurisht shoh fëmijët e mi, dalin, luajnë, bëhen gati të shkojnë me pushime (a pushojnë fëmijët e ngujuar?) dhe lumturohem, sigurisht.

Por mendoj dhe për atë nënën si unë, ato nënat si ne, andej thellë në zonat tona malore, që shohin fëmijët e tyre e nuk u gëzohen dot. Që i kanë të burgosur brenda në shtëpi, për atë zakonin gjakatar shqiptar. Zakon i mbetur nga koha kur s’kishte shtet.
Është një luftë që duhet ta bëjmë të gjithë. Pa përjashtim të gjithë. Pa ndalur. Pa pritur fonde. Pa pritur duartrokitje. Pa marrë dekorata. Kur të arrijmë që edhe fëmijën e fundit ta nxjerrim nga ngujimi, e të luajë e të shkojë në shkollë, e me pushime, pa frikën se diku e pret një pushke (o Zot sa e rëndë veç ta mendosh), atëherë mund te themi se shteti ka zgjatur dorën e tij edhe në këto zona, tokë shqiptare njësoj si Tirana, Vlora e Korça.

Për mua kjo është plaga më e rënde, nga dhjetëra plagë që ka shoqëria dhe vendi, por që nuk shërohen veç me ligje dhe fjalime.