Që Basha t’i shërbejë PD-së

Për kundërshtarët e Bashës, denoncimi i standardeve ka vlerë vetëm në raport me Edi Ramën. Me legjitimitetin e fitores së tij. Fitorja e Ramës për ta është jolegjitime, ndërsa humbja e Bashës është legjitime, ministrat teknikë për ta, as e kryen detyrën, as po kryejnë ndonjë detyrë në shërbim të qëllimit për të cilin shkuan…

Nga Enton Abilekaj

Ka një ndarje në analizën e standardeve të zgjedhjeve dhe të rezultatit që u prodhua. Ndërsa LSI i denoncon, akuzon ish-aleatët për blerje, dhunë dhe manipulime aq sa ndryshuan rezultatin, Partia Demokratike hesht.

Në të dy kampet, pro dhe kundër Lulzim Bashës, ka një ngërç që pengon analizën e standardeve dhe ndikimin e tyre në rezultat. Nga një anë mbështetësit e linjës zyrtare, që i denoncojnë shkeljet me gjysmë zëri, aq sa të dëgjohet brenda oborrit të SHQUP-it.

Denoncimi i standardeve për ta ka vlerë vetëm në debatin e brendshëm, për të justifikuar rezultatin. Jashtë PD mbetet në fuqi marrëveshja, mbeten në detyrë ministrat teknikë, që sot nuk mund ta përshkruajnë dot detyrën që po kryejnë.

Për kundërshtarët e Bashës, denoncimi i standardeve ka vlerë vetëm në raport me Edi Ramën. Me legjitimitetin e fitores së tij. Fitorja e Ramës për ta është jolegjitime, ndërsa humbja e Bashës është legjitime, ministrat teknikë për ta, as e kryen detyrën, as po kryejnë ndonjë detyrë në shërbim të qëllimit për të cilin shkuan.

Nëse Basha do të jepte dorëheqjen, kjo ndarje do të fashitej, PD do të kishte vetëm një zë të fortë për standardet e zgjedhjeve, për zbatimin e marrëveshjes dhe për legjitimitetin e maxhorancës së re. Nëse Basha do të pranonte përgjegjësinë, PD do të kishte mundësinë të denonconte edhe moszbatimin e marrëveshjes, izolimin e ministrave teknike nga një polici apo administratë që drejtohej prej vullnetit politik të Kryeministrit, të evidentonte pamundësinë e “Big Mac-ut” për t’u dhënë zgjidhje kërkesave për zgjedhje të lira.

Sepse me Bashën, sado të ngrirë në krye, PD është e pabesueshme kur denoncon standardet. Lulzim Basha e mbylli çadrën në orët e para të 18 majit, me premtimin e zgjedhjeve të lira. Garantoi jo vetëm demokratët, por të gjithë shqiptarët që thirri në ndihmë gjatë luftës 90-ditore për standardet e zgjedhjeve. Nëse zgjedhjet nuk kanë qenë të lira, nëse rezultati është I deformuar, përgjegjësinë e ka edhe Basha. Ai mund t’i denoncojë zgjedhjet po aq sa Rama, mund ta fajësojë policinë e shtetit jo më shumë se Rama.

Përgjegjësia e Bashës, është avantazh për Astrit Patozin dhe të tjerët që e denoncuan marrëveshjen që ditën e parë. Dorëheqja do t’i jepte forcë këtij zëri dhe do të bindte shqiptarët që nuk ka 2 PD.

Pjesa e dytë e marrëveshjes, ajo që do të zbatohet pas zgjedhjeve, nuk është arsye që Basha të rrijë, përkundrazi. Dështimi i pjesës së parë që solli zgjedhje me probleme, kërkon që të ndërrohet partneri opozitar i Ramës, me qëllimin që PD të mos dalë e humbur edhe nga pjesa e dytë.

Qëndrimi i Bashës e komprometon votimin e 22 korrikut, jo vetëm për besueshmërinë e garës, për teknikalitetet e përgatitjes së zgjedhjeve që ai dëshiron t’i kontrollojë. Mbi të gjitha e komprometon në përmbajtje. Një kryetar që kandidon për t’u shkrirë dhe sfidantët që kandidojnë për kryetar. Një tjetër problem në raportin e Bashës, jo vetëm me anëtarësinë, por me të gjithë shqiptarët, është mesazhi.

Ai nuk mund t’u thotë demokratëve dhe nëpërmjet tyre edhe atyre që e braktisën PD-në këto zgjedhje se është njeriu që e mund Ramën dhe sjell PD në pushtet. Humbi rëndë në të gjitha zgjedhjet e katërvjeçarit. Nëse ndikoi blerja e votës, dështoi ta parandalonte megjithëse premtoi. Nëse ka dhënë maksimumin në krye të PD-së, atëherë maksimumi i tij është i pamjaftueshëm dhe nëse nuk e ka dhënë maksimumin nuk e ka merituar detyrën.

Lulzim Basha sot gjendet në një pozicion shumë të vështirë.

Pasi shkoi në zgjedhje për të humbur, pasi nuk motivoi dot rreth 200 mijë demokratë të shkonin të votonin, pasi nuk e garantoi dot votën e lirë, nuk ka çfarë t’u thotë demokratëve, njerëzve që e besuan aq më pak atyre që duhet ta besojnë në të ardhmen që të sjellë PD-në në pushtet. Kjo pozitë ngrirjeje, heshtjeje dhe shurdhërie në drejtim po vazhdon ta dëmtojë opozitën, po e zhvesh atë nga qëndrimet e unifikuara politike, po a i heq dinjitetin e një gare politike dhe po nxit luftën guerile, sulmet personale që sjellin përçarje dhe kaos.

Në 2009, Edi Rama i humbi zgjedhjet, e pranoi humbjen, por nuk e dha dorëheqjen. Kur Blushi ia kërkoi, ndryshoi qëndrimin për zgjedhjet dhe nuk pranoi gabimin kryesor, hyrjen në zgjedhje pa koalicion. U rizgjodh me një votim jodemorkatik dhe në 2013 e korrigjoi gabimin duke bërë koalicion me LSI.

Basha sot po mundohet të bëjë të njëjtën gjë. Po e kopjon Ramën në humbje. Kjo rrugë mund të ishte edhe e duhura, ndonëse do të ishte i aftë ta kopjonte edhe në fitore, por fitoret e Ramës nuk i japin të drejtë Bashës. Duke u bërë kopje humbëse, e vë PD-në në funksion të kundërshtarit./Syri.net