VIDEO/ Petrit Vasili: Ja pse dorëhiqem nga drejtimi i LSI. Opozita nis që tani

0

Petrit Vasili dha dje dorëheqjen nga drejtimi i LSI pas rezultatit në zgjedhje ku forca që ai drejton doli e treta.  Në një konferencë për shtyp, Vasili komunikoi arsyet e një vendimmarrje të tillë. “Për ti dhënë një rol tjetër LSI në opozitë kam vendosur të jap dorëheqjen. Unë kam vendosur të drejtoj grupin parlamentar të LSI-së. Ky do të jetë një front i madh në Parlament. Ndërsa fronti tjetër do të jetë te qytetarët”,- tha Petrit Vasili. Vasili bëri të ditur dhe emrin që do të kandidoj për kryetar i LSI. Ai tha se Monika Kryemadhi do të jetë emri i që do kandidoj për postin e Kryetarit. “Konventa e LSI do të mbahet të mërkurën e ardhshme për të marrë vendimin politik”,- u shpreh Petrit Vasili.

Kreu i LSI-së tha se riorganizimi i partisë në opozitë është i domosdoshëm. “ LSI merr një rol të qartë në skenën politike të vendit. Rilindja e një opozite të re nis që tani. LSI do të jetë në gjendje tu jap përgjigjen e duhur çështjeve kryesore që ka sot vendi”,- tha Vasili. Vendimi i papritur i Vasilit është dhe tregues i një përgjegjshmëri të lartë politike. Në thuajse të gjitha zgjedhjet e zhvilluara vitet e fundit, drejtuesit e PS dhe PD edhe pse kanë pësuar disfatë elektorale nuk kanë dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Kështu ndodhi në vitin 2009 me humbjen e Edi Ramës kështu ndodhi dhe këtë vit me humbjen e PD-së. Qëndrimi i Vasilit është një standard i ri, të cilin LSI-ja po e vendos si rregull në politikë.

 Konferenca e plotë për shtyp e Kryetarit të LSI-së, Petrit Vasili pas mbledhjes së Kryesisë së lsi:

Jemi së bashku në këtë komunikim pas edhe mbledhjes së kryesisë së LSI-së duke qenë që kryesia mori në shqyrtim edhe në mënyrë të veçantë rezultatet e fundit dhe situatën pas elektorale, jam këtu para jush për t’u komunikuar disa elemente që janë thelbi jo vetëm i asaj që u diskutua në mbledhjen e kryesisë, por vendimet që u morën në këtë mbledhje mjaft të rëndësishme. Së pari, por edhe në emër të kryesisë, por edhe në emrin tim personal, kam një falënderim shumë të madh për rreth 230 mijë votues të jashtëzakonshëm dhe misionar të LSI-së të cilët dhanë votën jo vetëm për të shënuar një rezultat tjetër shumë të suksesshëm të LSI, pasi është në sytë e gjithëve një fakt shumë i madh dhe i pa kundërshtueshëm që e vetmja forcë politike që pati një rritje shumë të madhe qe LS. Një rezultat jo vetëm i madh, por një rezultat i cili u matura falë mijëra e mijëra votuesve, qytetarëve, mbështetësve, simpatizantë, anëtarëve të saj të cilët votuan me bindje të plotë për integritetin moral, për një Shqipëri më të mirë dhe votuan kundër strategjisë së krimit elektoral, kundër strategjisë së shtiblerjes së votës, kundër strategjisë së frikësimit, kundra strategjisë së task-forcave bipartizane PS-PD për të dekujaruar, zhbërë dhe vënë në dispozicion të zgjedhjeve pa standarde dhe administratën publike, që votuan kundër edhe tronditjes së bursave dhe të euros për shkak të dhjetëra miliona eurove të derdhura për të blerë votat.

Pra, këto 230 mijë misionarë na ngarkuan dhe një detyrë të re shumë të rëndësishme, të jashtëzakonshme dhe me një vlerë të paçmueshme për vendit, atë të LSI-së si forcën opozitare të vitet që i ka munguar këtij vendi. Këto dhjetëra dhe qindra mijëra vota e vunë këtë mision përpara LSI, mision të cilin ne do ta përmbushim një për një me dedikim, me përkushtim, me transparencë dhe me një qëndrim të kristaltë në ndihmë dhe në mbështetje vetëm të qytetarëve. Edhe një herë tjetër e pohoj, në mbështetje të plotë të vegjëlisë dhe jo të oligarkisë kliente të politikës, sponsorizuese të saj dhe një binom i cili prodhoi deformimin e rezultateve, strategjinë e krimit dhe të bandave dhe shit blerjen e votës. Gjithashtu kryesia e LSI-së analizoi këtë pozicion të ri, vendosi njëkohësisht të përvijoi me intensitet të lartë puna e nisur, e cila është raportuar gjerësisht të gjithë faktorit ndërkombëtar por do të vazhdoj me këtë intensitet po kaq të lartë edhe ditët që vijojnë, për të dokumentuar me dhjetëra fakte, foto, video, dëshmi fonike dhe çdo gjë, strategjinë e pashembullt të deformimit të votës nëpërmjet aktivizimit të bandave, të bëra njësh me policinë e shtetit, si një fenomen nga më të turpshmit që mund të ketë ndodhur në një vend, i cili falë edhe deklaratave të kryeministrit zhbëri edhe rolin e Policisë së Shtetit, por që qytetarët do ta rivendosin falë një opozite të fortë në vend menjëherë.

Gjithashtu, vendosi edhe mënyrën e ristrukturimit dhe riorganizimit të LSI në opozitë, pasi fronti në të cilin LSI vendi është një front shumë i gjerë, është një moment historik për LSI pasi elektorati ka ngarkuar një përgjegjësi tepër të madhe dhe të rëndësishme, njëkohësisht për të mbajtur frontin opozitar dhe për t’i dhënë më në fund Shqipërisë opozitë. Opozitë të vërtetë dhe jo opozitë të kapur, pasi Shqipëria prej 4 vitesh nuk ka pasur një opozitë.

Dhe për këtë arsye kjo ka ndikuar edhe me thellimin e një qeverisje e cila rrëshqit drejtë humnerës së manipulimit të zgjedhjeve, dhe në këtë këndvështrim të ri, LSI riorganizon dhe ristrukturon të gjithë vendimin e saj politik dhe të gjitha energjitë e saj. Ky rol i ri kërkon energji të reja, intensitet shumë të lartë edhe se më parë, sepse kjo përgjegjësi duhet zhvilluar, nuk janë përgjegjësi që lidhen vetëm me LSI por janë përgjegjësi që duhet t’i zhvillojmë në funksion të drejtë për interes të qytetarëve shqiptar. Ndaj në këtë funksion, personalisht kam vendosur që të paraqes dorëheqjen si kryetar i LSI dhe ia kam paraqitur këtë propozim kryesisë së LSI-së dhe i kam kërkuar asaj dhe kam marrë besimin e saj që të drejtoj Grupin Parlamentar të LSI-së, që është një grup me detyra krejtësisht të reja, shumë herë më të mëdha sesa grupi që ajo ka pasur në kohën kur ishte pjesë e qeverisjes, pasi fronti parlamentar do të jetë frontet prioritare të luftës sonë të re në opozitë.

Njëherazi fronti tjetër shumë i madh, kapilar, intensiv, i shtrirë në tërë territorin, në çdo qelizë ku mbi 80% e shqiptarëve presin përgjigje të mëdha dhe presin që të motivohen e frymëzohen për t’i dhënë përgjigje një 20% pakice (dhe kjo gjysma e blerë), i cili po kërkon të uzurpojë vendin. Pikërisht në funksion të këtij dinamizimi të ri të partisë t’i propozoj LSI-së nga ana ime Monika Kryemadhin si kandidate për Kryetare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, bazuar jo thjesht në pozicionin e Zv. Kryetares që ajo mbulon aktualisht por në radhë të parë për kualitetin politik të jashtëzakonshëm, tashmë të njohur nga i gjithë publiku shqiptar.

Një kualitet politik që është lidhur gjithmonë me qytetarin dhe asnjëherë me asnjë interes tjetër. Së dyti bazuar edhe në kualitetin e jashtëzakonshëm organizativ dhe dinamizimin e këtij dimensioni që ajo e reflekton si askush tjetër në politikën shqiptare. Dhe së treti, besoj si një shkak më madhor, znj. Kryemadhi ka qenë një politikane aktive e cila nuk është bërë pjesë në asnjë rast e ekzekutiveve shqiptare në këto 8 vite por ka mbajtur një distancë të duhur që ruan fokusin e qartësisë dhe urën lidhëse midis qytetarit dhe pushtetit. Dhe ku kjo orë funksionon apo jo ajo e njeh më mirë se të gjithë të tjerët.

Gjithashtu, i kam propozuar Kryesisë që në pozicionin e Zv. Kryetarit të jetë z. Luan Rama, një personalitet shumë i njohur, komentet për të cilin do të ishin të tepërta. Një vlerë e spikatur e politikës shqiptare dhe e LSI-së në veçanti. Gjithashtu deputet i zgjedhur për herë të dytë në Kuvend nga LSI. Besoj se i ka të gjitha ingredientët që së bashku me znj. Kryemadhi të ruajnë një dinamikë të jashtëzakonshme të veprimit politik të LSI-së si kurrë më parë. Njëherazi edhe propozimin e znj. Erisa Xhixho në postin e nënkryetares së LSI-së, që mendohet të jetë vakant nga Luan Rama. Edhe znj. Xhixho tashmë një personalitet i njohur i politikës dhe jetës shoqërore shqiptare.

Për të gjitha këto vendime të mëdha të cilat kërkojnë, edhe në pikëpamje statutore, edhe një shprehje politike kërkova mbledhjen e Konventës së LSI-së, e cila do të mbahet të mërkurën e ardhshme. Kjo konventë  do të marrë këto vendime dhe njëkohësisht do të rishprehë vlerësimin dhe konsideratën më të lartë për të gjithë punën e jashtëzakonshme të bërë nga LSI në këto zgjedhje dhe rezultatin shumë të rëndësishëm si fituesin e vetëm të këtyre zgjedhjeve. LSI është dukshëm fituesi i vetëm i këtyre zgjedhjeve, edhe numerikisht por edhe në pikëpamje morale. Kishte nga ata që fituan me vota të vjedhura dhe ata që humbën sepse i munguan misionit për të bërë opozitë, qoftë edhe një ditë të vetme. Pra të gjithë ata që e ngjizën këtë fitore meritojnë një vlerësim të veçantë dhe konventa do të jetë rasti më i mirë.

Dhe në këtë pikëpamje ne përvijohemi që në këtë moment si një forcë politike që merr një mision nga qytetarët dhe e zhvillon atë që ditën e parë, pa pritur që koha të ecë. Qytetarët na e ngarkuan këtë mision dhe presin një përgjigje. Nuk mund të presim shtatorin që të marrin përgjigjet e para. Do t’i marrin ato që këto ditë, që në konventën tonë, dhe gjithçka do të jetë në sytë tuaj për të formësuar pikëpamjen politike, parlamentare, qytetare dhe të të gjitha dimensioneve atë opozitë për të cilën vendi ka nevojë dhe që ruan qeverisjet nga degradimi, të cilin për  fat të keq ra dhe qeverisja e këtyre 4 viteve. Por ringritja e një fryme të re është një mision i LSI-së dhe ne do ta kryejmë me atë përkushtim siç e kemi bërë në këto 13 vite duke qenë shembulli më i mirë, më i qartë, më i freskët dhe më transparent i një politike krejtësisht të re për të cilën shqiptarët kanë nevojë dhe jo për riciklimin e politikave të vjetra.

Pyetje nga gazetarët: Dorëheqja juaj ishte një surprizë duke pasur parasysh edhe rezultatin e LSI-së. Patët rritje nga zgjedhjet e 2013-s. A kishte presion nga strukturat e forcës suaj politike për këtë dorëheqje sepse edhe gjatë fushatës nuk ju pamë shumë aktiv. Ishte z. Meta ai që e mori në dorë të drejtonte të gjithë këtë fushatë.

LSI merr një mision të ri politike. Përgjegjësinë e jashtëzakonshme për të bërë opozitën e këtij vendi. Opozita kërkon një racionalizim të energjive për mbajtjen e disa fronteve të mëdha, të lëna bosh nga opozita e 4-vjeçarit që sapo lamë pas. Kjo kërkon energjizim të ri dhe në funksion të kësaj gjëje të gjitha kualitetet më të larta politike të LSI-së janë për të dhënë aty maksimumin e tyre, 100% të tyre jo 40, jo 30, jo 20%. Ky është thelbi i gjithë kësaj lëvizjeje politike, që do të jetë një e mirë e madhe për qytetarët, jo thjesht një e mirë për LSI-në.

Ju thatë që nuk do të prisni deri në shtator që t’ju tregoni shqiptarëve që ju jeni opozita e vërtetë, por ndërkohë pse duhet të prisni deri në shtator për të tërhequr ministrat që vazhdojnë të jenë në detyrë?

Është një pyetje të cilës i kam kthyer përgjigje mbrëmë në një intervistë televizive. Nuk jam këtu për të bërë interpretimin e burokracive shtetërore, jam këtu për të komunikuar se cili është dimensioni politik nga sot e deri në vazhdimësi i LSI-së.

A ka një qëndrim LSI-ja se si do të vazhdojë bashkëpunimi në këshillat bashkiak në të gjithë vendin?

Edhe qëndrimin për këshillat bashkiak unë e kam bërë publik një ditë më parë. LSI-ja do të mbështesë me votën e saj çdo nisëm që do të jetë në ndihmë dhe në mbështetje të qytetarëve. Do të votojë kundër në mënyrë kategorike çdo lloj nisme ngado që të vijë ajo, nga Rilindja apo nga republika e re, që bie ndesh me qytetarët e Shqipërisë. Në çdo këshill bashkiak, në çdo njësi administrative, kudo që kjo të shfaqet.

Ju folët për një mision të ri politik dhe e motivuat kështu dorëheqjen tuaj. A mund të na e shpjegoni pse në nisje të këtij misioni politik nuk mund të jeni pikërisht ju drejtuesi i LSI-së?

Ua shpjegova fare qartë. Kemi një ridimensionim në Parlament, kemi një mision të ri që është shumë më i vështirë, më i rëndë dhe me më shumë përgjegjësi se më parë, që kërkon një qasje dhe një investim politik shumë më të madh. Në funksion të kësaj, duke qenë edhe për vite me radhë kryetar i grupit parlamentar, duke pasur edhe besimin e Kryesisë LSI-së, kam edhe gjithë eksperiencën e duhur për t’i dhënë dimensionin e duhur këtij grupi që del përtej funksioneve të një grupi të thjeshtë parlamentar. Është grupi parlamentar që do të bëjë opozitën e vërtetë në Parlament. Opozitën që i ka munguar dhe ka krijuar një boshllëk të madh për vite e vite me radhë.

A do të ketë një kandidat tjetër për kryetar përveç znj. Kryemadhi?

Deri të hënën mundësia e kandidimit është tërësisht e hapur, ku të gjithë anëtarët e LSI-së, pjesëtarë të strukturave, kanë mundësinë dhe nëse do të kenë dëshirë të kandidojnë për këto poste të reja që do të diskutohen në Konventë. Afati do të jetë deri ditën e hënë në ora 12:00.

Luan Rama, përse po e zëvendësoni me Erisa Xhixhon dhe a do të jetë në opozitë LSI një forcë që do të bëjë opozitën me qetësi e dashuri apo do të jetë më agresive se PD-ja e katër viteve të fundit?

Nuk ka asnjë zëvendësim, z. Luan Rama është propozuar për t’u bërë Zv.Kryetar i LSI-së, pra ka një pozicion të ri politik dhe duke qenë se krijohet natyrshëm një vakancë unë kam propozuar znj. Erisa Xhixho në postin e Nënkryetares së LSI-së. Besoj se është e qartë, janë propozime alternative për vakancat që krijohen. Sa i takon opozitës, do të jetë një opozitë e qartë, e drejtpërdrejtë, pa asnjë kompromis dhe opozitë që më në fund flet qartë flet ballas. Jo pak herë kemi folur edhe kur kemi qenë pjesë e mazhorancës. Madje, më shumë opozitë ka bërë LSI-ja se sa vetë opozita zyrtare që ishte në Parlament. Këtë herë dimensioni do të jetë shumë herë më ndryshe, sepse edhe disa detyrime që vinin nga marrëveshja e koalicionit bien dhe na projekton për një opozitë që e shëndosh vendin, e shëndosh të ardhmen e tij dhe u jep shpresë në radhë të parë mijëra e mijëra të rinjve të zhgënjyer të cilët kërkojnë, duan shpresë. Njëkohësisht u jep një mesazh 80% të shqiptarëve që nuk votouan as për Rilindjen dhe atyre 56% të shqiptarëve të cilët duan të lënë vendin. Ata kanë nevojë për një mesazh të qartë shprese dhe serioziteti, të një opozite që nuk shitet e blihet dhe që nuk kapet. Këtë detyrë do ta kryejmë më së miri.

Vasili, nëse znj. Kryemadhi zgjidhet Kryetare e LSI-së a mendoni se z. Meta duhet të japë dorëheqjen nga posti i Presidentit në kushtet kur bashkëshortja e tij është drejtuese e një force politike?

Znj. Kryemadhi është një politikane që nga viti 1991 dhe është aktualisht Zv.kryetare e LSI-së kështu që duke qenë Zv.kryetare, duke qenë pjesëtare aktive dhe deputete, përgjigja ime është shumë e qartë. Është natyrshëm në pozicionin ku ajo duhet të ndodhet, është një nga personalitetet më të rëndësishme të LSI-së. Ka një pozicion të ri që ka nga pikëpamja organizative i jep një dimension të jashtëzakonshëm LSI-së, për të cilin LSI-ja ka nevojë, sepse edhe misioni i ri ia kërkon. Dhe besoj se jemi në atë drejtim të ri ku LSI duhet të ecë dhe ka e do të ketë njeriun e duhur për ta bërë këtë gjë.