Mbani Bashën, por forconi kontrollin dhe kërkojini të zbardhë mërrëveshjen me Ramën

0

Qëndrojini afër, shtrijini dorën, mbajeni nën kontroll, kërkoni transparencë maksimale, pretendoni vendime kolegjiale, përsosni statutin, por mos hapni sherrin më të madh historik në PD, ose dhuratën e dytë më të madhe pas humbjes dramatike të 25 Qershorit, për fitimtarët e sotëm, që kësisoj mbeten edhe fitimtarë edhe për nesër…

Nga Artur Zheji

Basha duhet të bëjë transparente të gjitha pikat e marrëveshjes së mesnatës me rivalin dhe mik e qepallist, kryeministrin e rikonfirmuar nga zgjedhjet e vajmedetshme të 25 Qershorit. Dhe duhet si pikë e parë, të bëjë nul, të gjitha pikat e tjera që mbeten ende sekrete, sepse pikat që zbatoi deri tani, le të shpresojmë nga naiviteti, e çuan në një rrokullimë zgjedhore Partinë Demokratike. Mirëpo ashtu si e mira, edhe e keqja nuk ka fund dhe dukshëm Marrëveshja Qepalliste e Mesnatës, ka edhe pika të tjera, të panjohura që duhet të zbardhen.

Dhe nëse këto pika të kësaj marrëveshjeje ogurzezë, janë njësoj të ngjashme si këto që Luli zbatoi, duke e hedhur në fushatë dhe në masakër Partinë Demokratike, të zhveshur nga financat, nga influencat dhe me një përçarje të frikshme brenda vetes, atëherë e keqja e madhe për PD, s’paska ardhur akoma.

Mirëpo nga ana tjetër, nëqoftëse PD e përçarë, çahet dhe ndahet, në dy ose më shumë copa, gjë për të cilën po punon fort kryeministri, me miqtë e vet të hapur dhe të fshehur në PD, atëherë mund të themi se rrokullima sapo ka filluar.

Mirëkuptoj Jozefina Topallin, por nuk pranohen leksione nga Majlinda Bregu, që 1 vit më parë, flirtonte politikisht me kryeministrin e tanishëm, në mënyrë të bezdisshme, në emër të BE-së, e më the e të thashë. Nga ana tjetër edhe Jozefina, me krenarinë e saj të tepruar, e që nuk e pranoi kurrë Bashën si Kryetar të PD, nëse do të ishte ajo kryetare e PD, do të sillej me Bashën edhe më vrazhdë se ai vetë, madje duke e turpëruar politikisht atë.

A ishin këto zonja kryeneçe, realisht kundër Çadrës dhe kundër bojkotit të Zgjedhjeve, që nuk ishin në kushtet e rregullave të lojës politike? Rama zbatoi më 25 Qershor skemën e Peshkopisë të 1 viti më parë. Klane droge, para të thata dhe premtimin e nënzëshëm: “Kush voton për mua, mbjell përsëri kanabis, kush voton për ata, do të ngelet i varfër dhe pa biznesin e bimës së helmuar por të florinjtë.”

Ndërkombëtarët mbyllën sytë për këtë ekuacion dhe këtë skemë që u sprovua në Dibër.  Mediat dhanë alarmin, edhe Opozita, edhe ish-ministri i Drejtësisë Manjani, por ngelëm të gjithë të izoluar dhe të vetmuar.

Ambasadorët kishin dyllosur edhe sytë dhe gojën dhe veshët. Dhe skandalet vargëzoheshin pa bujë dhe pa një raportim të ndershëm dhe të vëmendshëm. Edhe Basha edhe Meta, që e kishin kuptuar thellë këtë ekuacion mafioz në rang kombëtar, që po përgatitej me gjeneralët e drogës dhe oligarkët e konçesioneve, kishin pak hapësira të Ndërkombëtarët, falë edhe punës së tyre të pamjaftueshme për të provuar krimet e asaj që po përgatitej.

 Ndërkohë, në këtë shtrëngatë ogurzezë që po afrohej dukshëm edhe për zgjedhjet kombëtare, pse nuk u bashkua PD? Pse talleshin apo e injoronin Çadrën e rezistencës, Topalli dhe të tjerë? Cili ishte plani i tyre politik alternativ? A nuk janë edhe ato përgjegjëse që Basha, gaboi kur dëgjoi këshillën e Ustait, që kish kapërdirë dikur Partinë Socialiste, duke fluturuar nga listat kundërshtarët e tij brenda PS-së dhe veproi njësoj, duke “eliminuar fodullët” e PD?

Gabim i rëndë ishte vërtet, por, dhe ky është një “por” me “P” të madhe, Basha veproi edhe nën trysninë e injorimit, luftës guerrile dhe mos respektit minimal, për pozicionin e tij, si kryetar i PD dhe si kandidat për kryeministër, nga ana e atyre që sot kërkojnë kokën e tij.

 Mbani Bashën, por forconi kontrollin dhe kërkojini të zbardhë marrëveshjen me Ramën! Sepse nuk prodhoni dot në këtë kohë të shkurtër, një lider të ri. Qëndrojini afër, shtrijini dorën, mbajeni nën kontroll, kërkoni transparencë maksimale, pretendoni vendime kolegjiale, përsosni statutin, por mos hapni sherrin më të madh historik në PD, ose dhuratën e dytë më të madhe pas humbjes dramatike të 25 Qershorit, për fitimtarët e sotëm, që kësisoj mbeten edhe fitimtarë edhe për nesër. /360grade.al/