“Nuk keni parë gjë akoma!”

0

Lulzim Basha nuk është më surprizë në mefshtësinë e tij prej trashamani në bërjen e hesapeve pa hanxhinë, falë dhe atyre listave të turpshme që propozoi në garë.

Nga Enkel Demi

Është ende shpejt për të arritur në përfundime të plota për zgjedhjet e së djelës, por një gjë mund të thuhet qysh tani. Partia Socialiste e Edi Ramës e ka marrë e vetme timonin. 74 e lart apo 74 e poshtë ka pak rëndësi.

Ka një rritje elektorale jo aq e madhe sa pritej, por ka shtim votash për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Ka rritje elektorale aq sa pritej për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, por gara pa koalicione mund ta dënojë atë në zbërthim mandatesh.

Me një fjalë situata politike është dramatike, sepse pushteti po përqendrohet në një dorë të vetme dhe në çfarë dore thuaj.

E gjitha kjo u arrit, falë sjelljes foshnjore të Lulzim Bashës në marrëveshjen e natës së 19 majit. Me miopinë e budallait që nuk e lë etja për ujë të gjykojë, edhe ky njeri vendosi të shkojë pas berihait, sepse ju duk vetja gjigand si Edi Rama që të përqëndronte pushtet dhe të eleminonte të vegjëlit.

Kë eleminoi si përfundim me një garë pa koalicione? Eleminoi Partinë Demokratike në radhë të parë dhe më pas dëmtoi rëndë LSI-në dhe PDIU-në që mund të prodhonin shumë më tepër mandate, nëse do të shfrytëzonin tepricat e koalicioneve dhe jo t’i hidhnin ato në lumë.

Lulzim Basha nuk është më surprizë në mefshtësinë e tij prej trashamani në bërjen e hesapeve pa hanxhinë, falë dhe atyre listave të turpshme që propozoi në garë.

Por, ky njeri me marrëzinë e tij mori në qafë një vend të tërë, sepse përçudnoi një skenë politike shqiptare duke na kthyer plot 26 vjet pas, kur zgjedhjet e 31 marsit i fitonte Partia e Punës, por sot është edhe më keq, sepse nuk ka më shpresë. Luli ia mori jetën shpresës për ndryshim me atë paçavure që e quan “Republika e Re”.

Uroj Zotin (sepse vetëm ai nuk na braktis kurrë) që të dëgjojnë më në fund Besnik Mustafajin dhe të ribëjnë Partinë Demokratike, sepse jo vetëm ajo do zhduket, por Shqipëria do të bjerë në një sistem mono, ku e vetmja këngë që do të dëgjohet stereo do të jetë: “Nuk keni parë gjë akoma!”.