LSI ankimon rezultatin e zgjedhjeve në KQZ për blerje votash nga kanabisi

0

Lëvizja Socialiste për Integrim do të ankimojë rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit. Burime të rezervuara nga selia e LSI-së, thanë mbrëmë për “Koha Jonë”, se do të paraqesin në KQZ dhe të gjitha institucionet e drejtësisë në vend ankimim të rezultatit për zgjedhjet parlamentare.

Burime nga LSI theksuan se procesi i zgjedhjeve para dhe gjatë 25 qershorit dëshmoi se kishte shkelje të rënda ligjore manipulime flagrante që kanë sjellë deformimin e rezultatit dhe devijimin e verdiktit të elektoratit.

Që nga nisja e fushatës elektorale në selinë e LSI-së u ngrit një task-forcë që monitoroi procesin në të gjitha hallkat e tij. Kontestimet e LSI-së për fushatën zgjedhore dhe procesin e votimit janë bërë të njohur në media gjatë ditëve të fundit. Ndërkohë që janë grumbulluar të gjitha provat dhe dokumentet që vërtetojnë për manipulime skandaloze në zgjedhjet. Provat për këto akuza LSI do ti paraqesë në KQZ ose në Kolegjin Zgjedhor.

Shkeljet e dokumentuara të LSI-së kanë të bëjnë me raste konkrete të manipulimit dhe përdorimit të parave të krijuara nga aktiviteti i kanabisit direkt në blerjen e votës.

Pritet që LSI-ja të zyrtarizojë nismën e saj në institucionet e zgjedhjeve si KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Ndërkohë që veç rrugës ligjore LSI-ja ka nisur kontaktet intensive me selitë diplomatike dhe organizatave ndërkombëtarëve. Gjatë orëve të fundit, përfaqësuesit e LSI-së kanë komunikuar dhe u kanë paraqitur provat dhe dëshmitë e manipulimeve flagrante diplomatëve të akredituar në Tiranë dhe misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR.

Një dosje e plotë është në zyrën e Petrit Vasilit me video, prova,etj ku Rilindja ka blerë votat. Kjo pritet të shkojë në KQZ e do të shkaktojë furtunë të madhe në politikë