PD dhe LSI bashkohen për ruajten e votave. Prapë bashkë në qeveri?

0

-Ministrat e Metës dhe të Bashës nuk firmosin shkresën e kryeministrit për të shkarkuar zv/ministrin e brendshëm të LSI. Acarohet kryeministri nga bashkimi LSI-PD

Ka ndodhur ajo që nuk mendohej prej një muaji: LSI dhe PD janë bashkuar dje hapur kundër kryeministrit Rama. Ishte kërkuar nga kryeministri shkarkimi i zv/ministrit të brendshëm Ilir Marko i propozuar nga LSI për shkakun se i kishte dërguar ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri një sms ku i kërkonte sqarime pse ia kishte përmendur emrin dhe se ishin ndërkombëtarët që kërkuan shkarkimin e ministrit Tahiri. Kryeministri njoftoi shkarkimin e zv/ministrit, por zv/ministri ka shkuar në zyrë si përditë, pasi urdhëri i kreut të qeverisë ishte antikushtetues. Zv/ministrin nuk mund ta shkarkojë kryeministri, por duhet këshilli i ministrave, pra të gjithë ministrat duhen të votojnë ose të firmosin vendimin qarkullues kur nuk mblidhet qeveria. Por përveç se paska me  nënshtetsi amerikane, shqiptari Ilir Marko, na qenka edhe “kokëfortë”, sepse ka shkuar në zyrën e tij dhe ka vazhduar normalisht punën pavarësisht se kryeministri ka urdhëruar të mos hyjë në zyrë. Mënjëherë kryeministri ka nisur firmosjen e vendimit qarkullues ku kanë firmosur vetëm ministrat e PS,por nuk kanë pranuar ta firmosin ministrat e LSI dhe PD, të cilët janë në shumicë në këshillin e ministrave. Kjo ka irrituar kryeministrin duke thënë se “ua rregulloj unë të hënën, kur të mbarojnë votimet!”, duke nënkuptuar se do fitojë dhe do ti shporrë nga qeveria edhe PD, edhe LSI.

Natyrisht që vendimin për mosfirmosjen e këtij vendimi të kryeministrit, ministrat e PD e kanë marrë jo vetëm nga kushtetuta, por edhe politikisht nga lideri Basha.

Pra një “koalicion” PD-LSI u bë. Ndërsa mbrëmë vonë, si rezultat i presionit të Rilindjes dhe hyrjes në punë të grupeve të drogës në blerje votash me paratë e drogës, të dyja partitë, PD dhe LSI me organizatat e tyre rinore janë bashkuar në një qëllim: ruajtjen e votës së qytetarëve. Dhe janë bashkë në këtë mision për votën e lirë, pasi po patrullojnë ditë-natë deri në daljen e rezultatit përfundimtar, atë që do të vendos sovrani-popull.

Burime nga selia rozë tregojnë se janë të shqetsuar shumë Edi Rama dhe Gramoz Ruçi nga bashkimi i PD dhe LSI në këtë ruajtje të votës, pasi nisur nga teoritë konspirative kanë frikën se mundet ditën e hënë votat e PD dhe LSI bashkohen për të krijuar qeverinë e re, si dikur në vitin 2009-2013.