Një votë kundër Edi Ramës

Qeveria dështoi, jo vetëm se Rama nuk di, ai as nuk do. E quan të mbajtur premtimin e taksës progresive, por ajo u vu vetëm mbi të ardhurat dhe goditi vetëm shtresën e mesme të popullsisë. Taksat e tjera u rritën, por mbetën të sheshta. Të pasurit ia arritën qëllimit që të taksohen po aq sa të varfërit. Çmimin e energjisë e rriti për të varfërit, por e uli për të pasurit…

Nga Enton Abilekaj
Në 2013 kur ishte e qartë se kishte nevojë për qeveri të re, kishte shumë që dyshonin. Nuk ishin me Berishën, por ishin të bindur se Rama ishte më i keq se Berisha. Krahasimi i liderëve, që ndikon kaq shumë në zgjedhje, jo vetëm në Shqipëri, nuk vlen kur ka një qeveri të keqe. Nëse keqqeverisja nuk do të ndëshkohej me votë në 2013, me mendimin se do të vijë një më i keq, mandati i tretë i Sali Berishës, do të ishte më i keq, ashtu si një krim i pandëshkuar përsëritet. Nuk mund të parashikohej atëherë që e njëjta situatë do të përsëritej vetëm pas 4 vjetësh. Nuk ka ndodhur kurrë kështu, por këtë herë qeveria dështoi që në mandatin e parë.

Janë përmendur dhjetëra herë dështimet e qeverisë Rama. Te emisioni i Ylli Rakipit, “Të pakspozuarit”, për herë të parë u gjend përballë premtimeve të pambajtura dhe nuk dha argument për asnjë prej tyre. U pyet pse dështoi me uljen e çmimeve të shportës që do të lehtësonte familjet e varfëra të paktën për ushqimin bazë dhe tha që ka nxjerrë 60 mijë vetë nga varfëria. Një shifër e kundërt me atë të Bankës Botërore, ku varfëria absolute është vlerësuar si e rritur me 1.5 për qind pra rreth 45 mijë vetë janë zhytur në varfëri. U pyet për uljen e çmimit të energjisë dhe u përgjigj se çmimi është ulur. Në fakt çmimi është ulur për Ramën, ministrat dhe gjithë ata që shpenzojnë shumë më shumë se 300 kilovat/orë në muaj, por është rritur për 75 për qind të popullsisë që paguanin 7 lekë për kilovat dhe paguajnë më shumë se 9 lekë. Kompensim për këtë rritje marrin vetëm 10 për qind e popullsisë. U pyet për shëndetësinë falas dhe tha që është në proces, duke argumentuar se PPP-të janë pjesë e këtij qëllimi. Në fakt PPP-të ose koncesionet e shtrenjta të shëndetësisë e kanë dyfishuar koston.

Ndryshimi i vetëm është që pagesa nuk bëhet direkt, me tarifa, por indirekt, me taksa. Vetë ministri Beqja e ka pranuar që kompania e check up, është paguar për shërbime që nuk i ka kryer, pra rreth dyfishi i asaj që do të merrte nëse do të paguhej në dorë nga pacientët. Për anulimin e koncesioneve të qeverisë Berisha dhe për heqjen e taksës së qarkullimit të naftës për bujqësinë, nuk kishte asnjë përgjigje, ndërsa për lojrat e fatit dhe për dështimin spektakolar të operacionit “Fundi i marrëzisë”, tha që janë pakësuar kazinotë. Një tjetër e pavërtetë, që përgënjeshtrohet çdo 50 metra, në çdo lagje të çdo qyteti sado të vogël.

Nuk janë vetëm këto, është aksioni kundër informalitetit që dështoi për biznesin e madh dhe përfundoi duke futur në burg shitës dyqanesh, është aksioni për cilësinë e karburanteve që u mbyll me arrestimin e dy rojeve që nuk dhanë faturë pas mesnate, është aksioni për kontrollin e territorrit që nuk lejoi asnjë ndërtim, përveç të atyre që kanë lejen e partisë, është reforma në arsim që pasi mbylli disa universitete, po favorizon klientët me paratë e buxhetit të shtetit dhe po shkatërron të ardhmen e maturantëve.

Qeveria dështoi, jo vetëm se Rama nuk di, ai as nuk do. E quan të mbajtur premtimin e taksës progresive, por ajo u vu vetëm mbi të ardhurat dhe goditi vetëm shtresën e mesme të popullsisë. Taksat e tjera u rritën, por mbetën të sheshta. Të pasurit ia arritën qëllimit që të taksohen po aq sa të varfërit. Çmimin e energjisë e rriti për të varfërit, por e uli për të pasurit, Universitetet po bëhen mollë e ndaluar për të varfërit, por ama po pasuron pronarët. Cilësia e naftës nuk u përmirësua se duhet të pasuroheshin tregtarët e mëdhenj, ndërsa këmbësorët thithin tymin e zi në rrugë. Lufta ndaj informalitetit, lojrat e fatit etj. Të gjitha dështuan, jo vetëm prej paaftësisë, por edhe prej mungesës së vullnetit, prej partneritetit të Ramës me të pasurit në dëm të të varfërve dhe shtresës së mesme. Rikthimi i ligjit per importin e plehrave ishte vetëvrasja morale, pika e fundit e degradimit te shpejtë.

Kanabisi është lulja në ballë për një qeveri të dështuar, që nuk ka asnjë bilanc, një qeveri që po sulmohet nga Rama për pjesën e LSI dhe nga Meta për pjesën e Rilindjes.

Nuk mbaron këtu. Edi Rama është kryeministri më armiqësor me liritë e individëve, me mediat dhe me pluralizmin. Si një lider autoritar, punoi në dëm të demokracisë dhe lirisë. Dy gishtat lart në fushatë, nuk e përgënjeshtrojnë, por e konfirmojnë armiqësinë e tij me pluralizmin. Ai kërkoi dhe vazhdon të kërkojë zvogëlimin ose minimizimin pa votë të kundërshtarëve apo konkurentëve. Këtë bëri me Blushin në parti, këtë tentoi me përjashtimin e opozitës nga Reforma në Drejtësi në korrik 2016, këtë po bënte me gëzim kur vendosi të futej në zgjedhje pa opozitën dhe kur dështoi me këtë, u bashkua me PD për t’u marrë frymën dhe votat të tjerëve.

Kërkoi dhe arriti kontrollin absolut të massmedias, por përsëri kontaktet me masën vendosi t’i mbante drejtpërsëdrejti nga rrjetet sociale, ku bëri edhe ERTV, edhe komunikimin e përjavshëm pa ndërmjetës.

Është një bilanc i frikshëm, që relativizohet nga frika prej Lulzim Bashës. Dikush thotë që është kopje e Edi Ramës, dikush thotë që është më i keq, që nuk di të qeverisë, që është i parritur. Të gjitha këto janë përpjekje për relativizimin e dështimit të një qeverie që po përfundon mandatin, duke kërkuar një mandat akoma më të madh. Përshtypja për liderët mund të gënjejë, ashtu sic gënjeu pak njerëz në 2013, por ligjet e demokracisë që janë vendosur pas shekujsh përvoje, mbeten të pagabueshëm. Rotacioni është i pagabueshëm, shkarkimi i një qeverie që punon keq. Sot që Rama dështoi, prapë ka një përgjigje për ata që e paralajmëruan në 2013.

Qeveria Rama, dështoi, por Berisha 3 do të ishte më e keqe. Ndaj diskutimi sot për kandidatët për Kryeministër sot është i kot. A është më i mirë Basha se Rama? A është më i mirë Petrit Vasili se Rama? Ndoshta jo, por e sigurtë është një qeveri Basha 1, apo edhe Vasili 1 do të jetë shumë më e mirë se Rama 2, ashtu si Rama 1 ishte më e mirë se çdo variant i Berisha 3. Rotacioni është zgjidhja më e mirë, ai që punon keq duhet shkarkuar.

SYRI.net