Shkarkimi i Metës si President, Manjani i përgjigjet Ruçit

Ish-Ministrisë i Drejtësisë, Ylli Manjani,  i është përgjigjur paralajmërimit të Gramoz Ruçit për shkarkimin e Metës si President, nëse sipas tij nuk ndal shantazhet ndaj PS.

Në një reagim në rrjetet sociale, Manjani i kujton Ruçit se shkarkimi i Presidentit kërkon 93 vota, duke lënë të kuptohet se është i pamundur ky mision.

“Nuk e di për kushtetutën e Fierit, por ajo Shqipërisë thotë se: Shkarkimi i Presidentit të Republikës vendoset nga 93 deputetë“- thekson Manjani.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi bëri dje një deklaratë të fortë për Ilir Metën duke paralajmëruar se mund të shkarkohet si president.

Nga Cakrani i Fierit, Ruçi tha se nëse Meta ka ndërmend të mos dekretojë qeverinë e ardhshme, më mirë mos betohet në 24 korrik.

Ruçi: Presionet dhe shantazhet që bën me votat e socialistëve që e zgjodhën edhe president, qe nuk do të dekretoj as qeverinë, janë të kota. Nëse ka këto mend të mos e bëjë betimin në 24 korrik. Nëse do shkojë me këto mend e do shkelë kushtetutën, është burri i parë që i ka provuar të gjitha, por do të jetë edhe presidenti i parë që do të provojë shkarkimin dhe i pari që do ta firmosë do të jetë Gramoz Ruçi.

Përplasjet në distancë mes Ruçit dhe Metës filluan prej ditës së mërmkurë ku një i ri i LRI u godit nga një eksponent i Partisë Socialiste.