Gjinushi: Pazar i pisët Rama-Basha (Berisha). Shkatërron demokracinë

Në një intervistë eksluzive për “Koha Jonë” kreu i PSD-së Skender Gjinushi sulmon ashpër marrëveshjen PS-PD, e cila nëse do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve, atëherë do kemi të bëjmë me një tentativë për të fshirë çdo krim politik që është bërë në të kaluarën, dhe siç thotë ai, kjo do të komprementonte edhe vetë reformën në drejtësi. Ky pazar po shkatërron demokracinë e brishtë shqiptare. Ndaj nuk duhet të gënjehemi nga kjo dyshe pazari, thotë lideri socialdemokrat.

Partia Socialiste ka bërë një marrëveshje-pazar me Partinë Demokratike. Mendimi juaj?

Pikërisht. Mandatet socialdemokrate do të zhvleftësojnë çdo tentativë për t’u lidhur me PD-në.  Të majtët nuk duan të përfitojë PD-ja, kështu që vetëm mandatet e PSD-së nuk do i lënë mundësi PS dhe PD të vazhdojnë pazarin. Dhe dihet që PSD-ja është partia më e majtë e qartë, që s’ka devijuar asnjëherë, nuk i ka keqpërdorur kurrë mandatet e marra nga e majta, madje është më konsekuente se vetë lidershipi i Partisë Socialiste.

Kështu që një bashkëpunim-pazar PS-PD do të bënte që e gjithë reforma në drejtësi të kthehej në një reformë në letër, se pastaj me “Gërdec”-in, me “21 Janarin”, me koncesione e me afera korruptive, të gjitha këto çështje e ngjarje, të mbylleshin për shkak të hatrit të njëri-tjetrit. Pra PD dhe PS do fshinin krimet që kanë bërë. Marrëveshje interesi?! Ndaj nuk duhet ti lemë të shkelin demokracinë e brishtë shqiptare.

Kur thoni që mandatet e PSD-së janë garantet e fitores të së majtës nënkuptoni bashkëpunim paszgjedhor me Partinë Socialiste?

Po patjetër. Por vetëm nëse PS-ja nuk vazhdon bashkëqeverisjen me PD.

Pra, sipas jush me një bashkëpunim PS-PD nuk ka kuptim as vetë reforma në drejtësi?

Nga ky bashkëpunim s’do prodhohej zbatimi i reformës në drejtësi, sepse nuk do të dënonin dot më njëri-tjetrin pastaj. Psh: Lulzim Basha nga ky bashkëpunim PS-PD mund të dënohet për 21 janarin?! Se ai e ka dhe publike këtë, se dosjen e ka më të trashën nga të gjithë këta. Tani të gjithë shqiptarët në këto 4 vite janë ngopur me pritshmërinë që: ‘Ja të bëhet reforma që të fillojë pastrimi’, apo ‘ja të bëhet reforma që të bëhet drejtësia’, ‘të bëhet reforma që të fillojë ndëshkueshmëria në nivelet e larta’. Dhe të tërë palët thonë që kemi prova për tjetrin, por pavarësisht se ata se ç’kanë ata, publiku ka provat e veta, se ka prova plot që ata janë kapur me presh në dorë, pa harruar Gërdecin, 21 janarin, që janë jo vetëm publike, por krimi është publik, dhe kriminelët nuk janë dënuar. Kështu që, pas kësaj, po të thuash pastaj “jo po prit, se kjo reformë s’është për ne”, atëherë sigurisht që ky do të ishte zhgënjimi më i madh. Madje, vota do i ndëshkojë në këto zgjedhje. Ju besoj se e keni dëgjuar që edhe vetë Rama e thotë një gjë të tillë që: “Kush pengon reformën do të ndëshkohet me votë”. Dhe kjo është një nga arsyet se pse e majta ka më shumë shance që të fitojë ndaj së djathtës. Në qoftë se dikush premton se pas kësaj ka një bashkëqeverisje PS-PD, atëherë kjo do të thotë mbyllje e gjithçkaje çfarë ka ndodhur. Një tentativë e ngjashme me atë të vitit 2002, Nano-Berisha, apo e 2007-ës, por nuk kanë qenë jetëgjate këto marrëveshje, dhe kur marrëveshja e Nanos me Berishën dështoi, besoj se të mos dështojë një marrëveshje e ngjashme Rama-Basha me Berishën në kllapa.

 

Bisedoi: Herion Mesi