Parlamentarja suedeze: Plehrat të përpunohen aty ku konsumohen

Gjatë një vizite në Universitetin e Elbasanit, kryetarja e Komisionit me Jashtë dhe BE-në në Parlamentin Suedez, Asa Romanson, vuri në dukje se përpunimi i mbetjeve, në rast se nuk përdoren metodat e duhura, mbetet rrezik për popullsinë.Ajo theksoi se sidomos lëndët toksike kërkojnë vëmendjen e autoriteteve.

Kryetarja e Komisionit me Jashtë dhe BE në Parlamentin suedez, Asa Romanson, gjatë një takimi me rektorin e Universitetit të Elbasanit, Skëndër Topi, u ndal në rëndësinë që ka përpunimi i mbetjeve për shëndetin e popullsisë.

Në bashkëbisedimin me studentët me temë “Çështjet e Mjedisit dhe Perpektiva Europiane”, Romanson si anëtare e partisë së Gjelbër vuri në dukje se përpunimi i mbetjeve kërkon teknika e makineri specifike, dhe rreziku i mospërdorimit të tyre është i madh.

Asa Romanson: Sa i përket mbetjeve, të gjithë qytetet dhe vendet kanë mbetjet e tyre pasi i përket normave të të jetuarit që të gjithë jetojnë, përpunojnë apo nxjerrin mbetje.Në këtë drejtim, është çështje rajonale si dhe lokale që çdo vend që i ka këto mbetje ti përpunojë në mënyrën e mundur brenda vendit. Do të ishte mirë që të përpunoheshin mbetjet aty ku konsumohen.

Gjate vizites se saj në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’, Romanson u njoh edhe me investimet e ndërmarra në këtë institucion.