Luan Rama: Në Tiranë kemi vota aq sa ka PS. Edhe i 10-ti po të isha dilja deputet i sigurt

Lëvizja Socialiste për Integrim parashikon të marrë një rezultat spektakolar në zgjedhjet e 25 qershorit. Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama tha sot në një konferencë për mediat se rritja e LSI-së një fakt që ka bërë që PS dhe PD të çorientohen.

Rama u shpreh i bindur se LSI-ja do të jetë forcë e parë në zgjedhje, nisur dhe nga fakti se lista e kandidatëve është alternativa më e mirë që është dhënë për qytetarët. I pyetur nga gazetarët për listën e Qakut Tiranë, ku Luan Rama është i pesti në lista, Nënkryetari i LSI tha se do të ishte deputetë edhe nëse do të renditej i 10 në listë.

“Lista e LSI-së janë bërë duke pasur parasysh vetëm një prioritet: përfaqësim dinjitoz dhe me kurajo përballë qytetarëve me lista që ofrojnë modelin ë të mirë të përfaqësimit në mënyrë te veçantë duke respektuar me seriozitet shansin e barazisë gjinore dhe duke përfshirë në lista të rinj me zotësi dhe angazhim shembullor që do të bëjë të mundur që Parlamenti i ri të jetë krejt i ndryshëm nga Parlamenti i shëmtuar që mbaron mandatin. E dyta, asnjë kushtëzim nuk ka pasur renditja prej faktit nëse do të futet apo jo opozita në zgjedhje. Ne jemi nisur vetëm nga fakti që qytetarët të gjejnë në listat e LSI-së përfaqësuesit e tyre më dinjitoz dhe zëdhënës real të shqetësimeve dhe të aspiratave të tyre.

Sa për vendin tim, që jam i pesti në listë, ju siguroj që do të kisha të njëjtën garanci për të qenë deputet në Parlamentin e ardhshëm edhe nëse do të isha i dhjeti. LSI-ja sidomos në Tiranë dhe këtë më lejoni t’jua them me shumë bindje, është e barabartë në garë me PS-në. Pra ne luftojmë përballë PS-së për vendin e parë në Tiranë, luftojmë përballë PS-së për vendin e parë në Durrës, për vendin e parë në Elbasan, për vendin e parë në Fier. Ndërkohë që jemi absolutisht të parët në qarkun e Beratit dhe në qarkun e Gjirokastrës. Sfida jonë është angazhimi për drejtim të ri të qeverisë me LSI-në forcë të parë për të ulur taksat, për të shtuar vendet e punës dhe për të krijuar vende pune të mirëpaguara në mënyrë të veçantë që të rinjtë e Shqipërisë të punojnë dhe të jetojnë në vendin e tyre”,- tha Luan Rama.