Drejtori i Flamurtarit: Kemi financat më të mira në vend, ndërtojmë skuadër për titull

Vangjel Laluci është i bindur se Flamurtari i sezonit të ri do të ndërtohet për kampion. Në një prononcim për “Panorama Sport”, drejtori i klubit ka deklaruar: “Ne do të përgatisim një Flamurtar për kampion vitin që vjen dhe jo për retorikë. Jemi në kushte komode, pasi ne nuk na mungojnë financat, madje i kemi më të mira në vend. Nuk është menaxhuar keq, por kanë ndodhur gjëra që të sjellin në një situatë tjetër që të bëjnë të ringrihesh.

Duhet parë se cilët lojtarë do të jenë më të avantazhuar nga të rinjtë për të qenë pjesë e Flamurtarit sezonin e ardhshëm. Pano Qirko, Beqaj, por edhe ndonjë tjetër mund të jenë pjesë e ekipit. Jo të gjithë do të kalojnë në ekipin e parë. Duke qenë se nuk u fut Orikumi në Kategorinë e Parë, që do të ishte si një Flamurtar B, atëherë do të ndërtojmë Flamurtarin B”, u shpreh Laluci, që zbuloi edhe planin e punës së skuadrës vlonjate.

“Puna fillon të hënën e parë të muajit korrik. Futbollistët janë me pushime tani. Do të shikojmë për ndonjë mundësi rinovimi për lojtarët që u përfundon kontrata. Ideatori është trajneri për skuadrën e re, ne jemi aksesorët. Trajneri do të japë linjat, duke u konsultuar edhe me ne, por prioritetin e ka ai”, mbylli Laluçi. Gjatë ditës së sotme pritet të ketë edhe një takim mes trajnerit Duro dhe administratorit Idrizi për të ardhmen.

HAXHIU
Saimir Haxhiu do të kërkojë në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak informacion në lidhje me çështjen e privatizimit të klubit. Haxhiu e ka bërë publik një fakt të tillë në një postim në faqen e tij në “Facebook”. “Sapo lexova sot (dje) në ‘Panorama Sport’ edhe një herë thirrjen që zoti Sinan Idrizi i drejtohet Bashkisë Vlorë dhe Këshillit Bashkiak në lidhje me privatizimin e Flamurtarit. Personalisht, në pozicionin e këshilltarit, por edhe të qytetarit, ish-futbollist i kësaj skuadre, kam qenë dhe jam absolutisht për privatizimin e Flamurtarit jo vetëm sepse besoj se privati e bën më mirë, por edhe se në këto kushte shqiptare lekët e taksapaguesve vlonjatë mund të shkonin për nevoja më të mëdha në shërbim të tyre.

Më duhet të sqaroj se Këshilli Bashkiak vihet në lëvizje me projektvendime të administratës së Bashkisë, gjithsesi do të marrë iniciativën në mbledhjen e pasnesërme (nesërme) të Këshillit Bashkiak ta ngre si shqetësim, ku është, ku ka ngecur, çfarë e pengon etj., sepse sportdashësit vlonjatë kanë të drejtë të sqarohen dhe që të mund të shohin më në fund një Flamurtar në nivele të larta”, shkruan Haxhiu.