Sulmi në Mançester, politika shqiptare në krah të Britanisë

Tirana zyrtare ka dënuar me ashpërsi të madhe sulmin në Mançester të Anglisë, ku humbën jetën 22 persona dhe u plagosën me dhjetëra të tjerë.

Ministria e Punëve të Jashtme, është shprehur “e tronditur nga lajmi i tmerrshëm për një sulm të dyshuar terrorist. Solidaritet për popullin britanik. Ngushëllime familjeve dhe të afërmve të viktimave”, – thuhet në një njoftim zyrtar.

Edhe presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur “hidhërimin e thellë” për viktimat e pafajshme dhe të plagosurit e shumtë të aktit terrorist të ndodhur mbrëmë në Arenën e Mançesterit, në Britaninë e Madhe.

“Presidenti Nishani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve e të dashurve të viktimave dhe autoriteteve britanike, ndërsa të lënduarve u uron shërim sa më të shpejtë”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Duke shprehur solidaritetin e tij me qytetarët, kreu i shtetit i ka dënuar me forcë këto “akte mizore” dhe nxitësit e tyre, duke theksuar se terrorizmi nuk do të arrijë t’i mposhtë e gjunjëzojë vendet dhe shoqëritë e lira.

Po ashtu edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i është bashkuar sot mesazheve ngushëlluese lidhur me sulmin terrorist në Manchester, që u mori jetën 22 personave dhe u plagosën 59 të tjerë.

 

Me anë të një mesazhi, Meta pohon se Shqipëria dhe shqiptarët mbështesin Britaninë.

MESAZHI I METËS
Me hidhërim dhe keqardhje të thellë mësova lajmin tronditës për sulmin e tmerrshëm në Manchester ku shumë të rinj humbën jetën në moshën e tyre më të bukur. Sulmi në Manchester është një krim barbar i cili nuk është tragjedi vetëm për vendin tuaj por për gjithë botën e qytetëruar.

Në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal më lejoni t’Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta Ju dhe të gjithë familjarëve që humbën njerëzit e tyre më të shtrenjtë e t’Ju siguroj se Shqipëria dhe shqiptarët qendrojnë pranë popullit tuaj në këtë cast të vështirë dhe përkrah gjithë botës së civilizuar në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Më lejoni mik i shtrenjtë të bashkoj lutjet e mia të sinqerta për viktimat e pafajshme që shpirtrat e tyre të prehen në paqe dhe t’u uroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve.
Duke Ju përcjellë ndjenjat e miqësisë së sinqertë dhe solidaritetit të plotë.

Sinqerisht
Ilir META
Sh. T. Z. John BERCOË
Kryetar i Dhomës së Deputetëve
LONDON

Po ashtu edhe Partia Demokratike ka dënuar sulmin, duke theksuar se “jemi në krah të populli britanik për të kaluar këtë fatkeqësi. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për të afërmit e viktimave. Dënojmë këtë sulm barbar që nuk kurseu as fëmijët. Ky sulm barbar është shembull se si barbaria cenon jetën e qytetarëve të pafajshëm. Solidarizohemi me aleatin tonë në këto momente të vështirë”, – lexohet në njoftimin e PD-së.