Artan Fuga heq dorë për postin e ministrit teknik të PD

Akademiku Artan Fuga deklaron se nuk ndjehet gati të angazhohet në postin e ministrit të arsimit nëse do të propozohet nga Partia Demokratike. Ai thotë se gjatë muajve të verës ka për të bërë një teks për studentët dhe nuk preferon të bëhet ministër.

Reagimi i Fugës vjen pas lajmeve të publikuara në disa media të cilat e konsiderojnë atë si një kandidaturë të mundshme të propozuar nga Lulzim Basha, edhe pas mbështetjes që ai i ka dhënë kauzave të opozitës. Ndërkohë ai nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen mund të pranojë një angazhim të tillë.

Reagimi i Artan Fugës në Facebook

“Unë kandidat për në qeveri?

Nisur nga fakti që në rrjete të ndryshme sociale përmendet edhe emri im për të qenë një kandidaturë e opozitës e propozuar për të qenë në qeveri, dëshiroj t’i falenderoj shumë të interesuarit dhe ata që kanë besim te unë, të cilin asnjëherë nuk do ta zhgënjej.

Desha të njoftoj se opozita, pa pasur asnjë detyrim, lëvizja për republikën e re, edhe vetë z. Lulzim Basha, janë treguar moralisht dhe politikisht shumë korrekt për këtë çështje me mua.

Unë i qendroj mendimit tim se modeli ekonomik, social, kulturor dhe politik që ka vendi ynë sot është krejt i tejkaluar nga koha.

Ai duhet rinovuar me themel sepse e ka lënë Shqipërinë në prapambetje, prodhon kriza dhe ka përjashtuar, denigruar, fyer qytetarin.

Unë jam shumë i qartë se cfarë duhet bërë për ta zëvendësuar atë brenda një kohe shumë të shkurtër, dyvjecare, me një model të, të kohës, mbështetur në arritjet më të mira të këtyre dekadave dhe duke shëruar plaget e shumta të grumbulluara.

Ne kemi ngecur në vend së pari sepse administratorët tanë nuk dinë! Sepse drejtuesit civilë së dyti janë të kapur nga disa lobingje me parà. Dhe këto lobingjet me parà së treti pasi bëjnë apologjinë e shëmtuar të vetvetes me kalemxhinj gjithfarësh, bazuar te ideologjira të shekullit të kaluar për të cilat nuk ja kanë haberin,mbushin xhepat pa krijuar vlerë të re dhe nuk përfaqësojnë sipërmarrje me dobi shoqërore!

Ne kemi hipur në një makinë që ndryshon shoferin herë pas here, por pa pasur motorr.

Sapo të më jepet mundësia do të pranoja modestisht dhe pa bërë zë cdo detyrë dhe do të merrja cdo ngarkesë brenda një ekipi për t’i shërbyer qytetarëve dhe së mirës publike. Atëhere kur gjithçka do të krijohet si mundësi për të rikonceptuar, riformuluar dhe zbatuar politika vërtet të reja.

Ndërkohë, aktualisht, sot, detyra e antarëve të qeverisë të cilët propozohen nga opozita dhe aprovohen nga kryeministri është si duket thjesht për disa javën dhe vetëm për të qenë në një farë mënyre rojtarë të ndonjë paudhësie nëpunësish ?.

Për këtë funksion, që nuk them se nuk ka fare dobi shoqërore, nuk ndjehem gati të angazhohem.

Muajt e verës që i kisha rezervuar për të ribërë një tekst për studentët, po i harxhoj për këtë punë, sesa të qendroj para ose pas ndonjë tavoline, ulur në kolltuk ose duke para larg përmes dritares duke mbajtur me dorë perdet e trasha.

Pra duke falenderuar miqtë dhe të interesuarit, cështja është e mbyllur nga ana ime duke e lënë rehat opinionin publik.

Ndërkohë më gjatë do të shpjegohem më pas, ndërkohë që gjatë javëve që vijnë do të jem si gjithmonë aktiv për të sensibilizuar sëbashku me opinionin qytetar se çfarë presim ne për republikën e re.

Unë mbetem thellësisht, deri në fund, plotësisht me besimin se ne na pret ose një republikë e re, ose barbaria dhe mjerimi e humlbja si komb.

E kam thënë dhe e përsëris. Njerëzit ikin e vijnë ideja do të mbetet!

Ne si qytetarë duhet t’i japim udhë asaj.

Ka ardhur sahati!

Ne mundemi!