Foto të rralla nga bombardimet aleate në Tiranën e 1944-ës

Nga Armand Plaka

Paul Kruger nga Afrika e Jugut, dhe kolegu i tij ndihmëspilot, Bill Younger, kishin kryer tre aksione në datat 5, 7 dhe 15 nëntor 1944, si pjesë e fushatës së bombardimeve që aleatët anglo-amerikanë, do të kryenin në ndihmë të trupave partizane shqiptare për çlirimin e Tiranës.

Këtë na e dëshmon ditari i skuadronit 19 të RAF-it, pjesë e të cilit ishte edhe Paul Kruger.

Piloti i RAF-it britanik, Paul Kruger. 1944

Një vit më parë, aleatët, dmth britanikët, në një mënyrë fare të pashpjegueshme, kishin kryer bombardime me pasoja shumë të rënda mbi popullsinë civile të Tiranës, ku aludohet se stafi i pilotëve të RAF-it madje kishte qenë i pirë dhe se nuk e kishte vrarë shumë mendjen se çfarë dhe kë godiste me bombat e predhat që hidhte mbi Tiranë.

Një ngjarje kjo që besohet se shkaktoi të paktën 500 të vrarë e për të cilën regjimi komunist shqiptar heshti gjatë gjithë kohës. Ajo pati lënë një shije të hidhur ndër banorët e Tiranës, të cilët qysh nga ai moment, po i shihnin tashmë me shumë dyshim edhe objektivat e aleatëve, pavarësisht respektit tradicional që ruanin, për SHBA sidomos. Por tashmë kjo valë e re bombardimesh dukej se ishte kalkuluar dhe koordinuar mirë me komunistët shqiptarë dhe si pasojë e marrëveshjes, mes shtabit partizan dhe oficerëve britanikë në terren, vetëm brenda një dite nëntori të vitit 1944, 28 aeroplanë “Beaufighters” të RAF-it britanik, sulmuan në Tiranë kazermat e fortifikuara dhe pozicionet e trupave të forcave gjermane, duke u shkaktuar atyre humbje të shumta.

Kjo ishte vetëm njëra tablo e bombardimeve të tyre, pasi ato ditë nëntori, ata sulmuan përqëndrime trupash e kolonash gjermane edhe në vende e rajone të tjera të kryeqytetit e rrethinave, siç ishte Kodra e Priftit dhe në fund, Mushqetaja, duke shkaktuar shumë të vrarë e të plagosur në radhët e gjermanëve.

Paul dhe bashkëpiloti i tij, më pas u qëlluan ndërsa ndodheshin me mision në Ballkan, në qiejt jugosllavë më 9 shkurt 1945 nga kundraajrorët gjermanë dhe u zunë rob, ndërsa Bill arriti sidoqoftë të arratisej.

Paul u mbajt i burgosur në Nurenberg dhe i mbijetoi më pas Luftës.

Fotot e mëposhtme dëshmojnë pikërisht pamjet nga bombardimi i hangarëve të aerodromit të Tiranës, i cili konsiderohej pikë strategjike në planet e RAF-it britanik.

Pamje nga bombardimet qe Paul Kruger dhe BIll Younger kryen mbi aerodromin e Tiranes.

 

Pamje nga bombardimet qe Paul Kruger dhe BIll Younger kryen mbi aerodromin e Tiranes.

Pamje nga bombardimet qe Paul Kruger dhe BIll Younger kryen mbi aerodromin e Tiranes.

Skuadroni 19 i RAF-it, 1944

Paul Kruger dhe ndihmesi i tij, Bill Younger gjate kohes qe sherbenin me misione ne Ballkan.