Deda “prish” intervistën e Bregut? Deputetja për KJ: E vërteta e përshëndetjes

Dy gishtat një provokim? Partia Demokratike pasditën e së dielës mblodhi grupin parlamentar, ku u diskutua për protestën e madhe të 13 Majit. Pas mbledhjes deputetja Majlinda Bregu, pati një komunikim me median lidhur me qëndrimet e saja për të shkuar në zgjedhje, e teksa po fliste nga mbrapa saj kamerat e televizioneve fiksuan reagimin e deputetes Albina Deda, me dy gishtat lart.

Sot kur video-ja u pa me detaje, shumë portale nisën të shkruanin në forma e trajtime të ndryshme lajmin mbi “gjestin” e deputetes Albina Deda. Për disa u citua si një “ndërhyrje”, apo dhe “prishje” e intervistës së deputetes Bregu.

“Koha Jonë” kontaktoi me deputeten Deda, ku u pyet nëse shenja erdhi si një provokim ndaj koleges së saj për shkak të qëndrimeve apo thjesht “gjesti” i dy gishtave ishte shenjë e simbolit demokratik? Deputetja Deda sqaron së pari se është çuditur nga fakti sesi një shenjë që përfaqëson simbolin demokratik, të shkaktojë lajm, aq më tepër të përflitet si “ndërhyrje” apo “prishje” e intervistës së koleges së sajë Majlinda Bregu, kur në fakt vijon Deda, ka qenë një përshëndetje ndaj gazetarëve.

“Së pari më çudit habia deri në surprizim se si mund të bëhet lajm përshëndetja e një deputeti të PD-së si unë, ish studente e dhjetorit ’90 thjesht se normalisht përshendeta gazetarët në oborrin e selisë së partisë time me dy gishtat lart”.

Deputetja i qëndon besnike mesazhit që përcjell ky simbol, e që për të është fitorja. Deda e lidh me fitoren e PD-së për kauzën e zgjedhje të lira e të ndershme. “Imitacion i gërmës V që në gjuhet latine do të thotë fitore është vetë qenësia e çdo anëtari të PD-së”,- shprehet Deda.

Më tej Deda nuk lë pa përmendur edhe se “gjesti” nuk ka ndonjë shpejgim tjetër veç se simbolin e demokracisë, ku shton se nuk beson nëse kolegia e sajë të ketë braktisur shenjën e demokratëve fisnikë.

“Po ashtu se asnjë prononcim i znj.Bregut nuk më duket në limite as të arsyes llogjike e as të përkatësise partiake dhe nuk di që ajo formalisht të ketë braktisur simbolin demokrat me dy gishta për të përqafuar simbolin leninist të Edvinit me grusht. Besoj se nuk ka diçka tjetër t’ju shpjegoj veçse dhe ju t’u përshëndes e respektoj po me të njëjtin simbol të shenjtë të demokratëve fisnikë.

Redjon Shtylla