Mesila Doda: Kam marrë kërcënime në gjuhën maqedonase

Deputetja e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet Mesila Doda ka shkruar një status në rrjetin social “Facebook”, ku thotë se ka marrë mesazhe kërcënuese pas deklaratave të lëshuara për shqiptarët e Maqedonisë, ku ajo ka përmendur edhe termin politik “Ilirida”.

Pak kohë më parë Doda ishte shprehur: “Do të them dy fjalë për një krahinë që më rrihte fort në zemër, është vendi karshi, Ilirida, krahina e moçme shqiptare, që edhe emrin sot ia kemi harruar. Dikush i thotë Maqedoni e dikush FYROM e ne ripërsëritim ILIRIDA”, kishte thënë ajo.

Statusi i plotë i Mesila Dodës:

Të dashur miq! Kam marrë dhjetëra mesazhe kërcënimi e sharjesh të padëgjuara më parë në adresën time sa herë kam folur për çështjen e shqiptarëve të Iliridës.

Po sjell përpara jush vetëm disa prej tyre që janë në anglisht sepse ka me qindra në gjuhën e maqedonasve dhe këtë po e bëj për një arsye të vetme. Kur këto guxojnë të kërcënojnë një deputetë shqiptare qindra kilometra larg shtetit të tyre, mendoni se çfarë presioni dhe dhunë janë të detyruar të durojnë shqiptarët e Iliridës atje nga kafshë mbushur me urrejtje dhe dhunë.

Sa për dijeninë tuaj shprehje të tilla dhunë ekstreme nuk bëjnë asgjë tjetër përveç se më bindin në drejtësinë e kauzës së shqiptarëve të Iliridës. #Gjithë_shqiptarët_bashkë