Ilir Meta President, ja si u pasqyrua në mediat e huaja (FOTO)

“Kryetari i Parlamentit Shqiptar, zgjidhet President i ri”. Ky ka qenë kryetitulli i shumë prej mediave të huaja, si në Ballkan, Europë dhe më tej mbi zgjedhjen e Ilir Metës si Presidentin e ri Shqiptar.

“The Washington Post”, “Anadolu Agency”, “Reuters”,” Sputnik”, “Abc News”, “Charlotte Observer”, “Blic”, “Ansa Nuova Europa” e shumë e shumë portoale, revista e gazeta në web, shkruajnë se Presidenti i ri vendit, u zgjodh në raundin e katër me 87 vota pro dhe me dy vota kundër. “Unë premtoj për të bërë çdo gjë të mundshme për sigurinë e vendit”, tha Meta, duke theksuar se do të punojë për të arritur një kompromis mes partive politike, në mënyrë që të gjithë të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 qershori.

Në raportimin e tyre, nuk mungon as qëndrimi i z.Meta, për të gjetur konsensus, që Shqpëria të mos bëhet si Maqedonia. “Ilir Meta, 48 vjeç, tha se ishte bojkoti i opozitës që e bëri atë të pranonte rolin. “Ne duhet të përpiqemi të gjejmë konsensus në mënyrë që Shqipëria të mos bëhet si Maqedonia”, tha ai duke iu referuar stuhive të dhunshme të protestuesve në parlamentin fqinj të enjten.

“Anadolu Agency”, e ka vënë theksin tek marrëdhënia e z.Meta me Turqinë, ku citon se: “Ilir Meta e ka përshkruar marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë si “të fuqishme dhe tradicionale”. Në vitin 2016, Meta gjithashtu falënderoi Turqinë për “përpjekjet e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar qytetarët sirian gjatë krizës së refugjatëve”.

Mediat në Bosnje, kanë shkruar se: “Ligjvënësit shqiptarë zgjodh të premten Ilir Meta për President. Meta fitoi në sajë të mbështetjes së socialistëve në pushtet”.

Mediat në Belgjikë, përkatësisht revista “Knack”, shkruan se: “Ish-kryeministri, ish-ministri i jashtëm dhe ish-Kryetari i Kuvendit Meta, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, partneri i koalicionit, Ilir Meta u zgjodh me 87 (nga të 140) vota. Vetëm dy deputetë votuan kundër. Votimi u bojkotua edhe nga opozita”.

Në Itali, lajmi u pasqyrua kështu: “Ilir Meta zgjidhet president i ri i Republikës së Shqipërisë për pesë vitet e ardhshme. Meta 48 vjeç, politikën e nisi që në fillim të viteve ’90, duke mbajtur poste të rëndësishme, duke përfshirë edhe atë të kryeministrit, në vitin 1999, kur ishte vetëm 30 vjeç. Në vitin 2004 ai braktisi Partinë Socialiste për të krijuar LSI, e cila tani është vendimtare për bilancin politik në vend”.

R.Shtylla