Përfundon me sukses “Arratisja” e Keti Bashhysës

“Çfarëdo mendon të bësh, apo e ke ëndërr… filloje. Guximi ka gjenialitet, pushtet dhe magji brenda”. Kështu inkurajon nëpërmjet shprehjes së tij një nga figurat më të mëdha të letërsisë botërore, Johann Wolfgang Goethe e nga e cila ngjan të jetë frymëzuar edhe njëra prej artisteve më të veçanta që qyteti i Durrësit ka prodhuar.

Po, po… Keti Bashhysa është e veçantë!

Është e veçantë, sepse ajo ka plot ëndrra. Është e veçantë, sepse ëndrrat e saj përtej paragjykimit a sakrificës marrin jetë. Është e veçantë, sepse thuajse krejt e vetme krijon, nis… guxon. Është e veçantë, sepse nëpërmjet guximit ajo ushqen ëndrrat e veta dhe magjinë e tyre e ndan me të gjithë ne, publikun e saj.

Sic ndodhi për shembull mbrëmjen e së shtunës, ku për një orë a më shumë “Arratisje”, artistja dhuroi emocione të forta, pse jo edhe ndjesi të përziera…

Nën skenografinë fine të Avni Delvinës, shfaqja u çel nga protagonistja me një monolog rebel të Linda Fejzaj, vazhdoi me një performancë baleti, me interpretim poezish e për ta mbyllur në fund me dashurinë e saj më të madhe, lojën në violinçel.

Pjesëmarrja e kantautorit, Elton Deda, njëherësh edhe mik i Keti Bashhyhës ishte një tjetër moment mjaft i bukur i mbrëmjes. Pas interpretimit të disa këngëve në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, Deda në fjalën e tij para publikut që kishte mbushur sallën vlerësoi jashtëzakonisht shumë artisten dhe “Arratisjen” e saj. Duke lënë të nënkuptohej që pompoziteti nuk ka të bëjë me artistët e vërtetë, ai nuk la pa përmendur faktin, që profesionistët punojnë si Keti Bashhysa. Fort dhe nën një heshtje, e cila është për t’u admiruar.

I kthyer tashmë në një ritual të përvitshëm nga autorja, këtë herë shfaqja u realizua në bashkëpunim me Mimoza Marjanakun në regji, skenografi të Avni Delvinës, kostumografi të Linda Fejzajt dhe skenar të Ina Gjonçit e padiskutim në fund mund të themi që Keti Bashhysa mbrëmjen e së shtunës, datë 22 prill, 2017 shkëlqeu dhe dhuroi atë çka di të bëjë më së miri, art.

(A. Gjergji)