Xhelal Mziu: Të rinjtë në Kamëz të distancohen nga Tahiri

0

Bashkia e Kamzës, e drejtuar nga Xhelal Mziu ka reaguar sot ndaj ndaj deklaratave të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në një deklaratë për mediat, Bashkia e Kamzës thekson se të rinjtë që dolën sot në takimin me Tahirin u nxorrën me nga mësimi.

“Saimir Tahiri, kreu i bandave të krimit dhe trafiqeve në vend, guxoi sot nga Kamza me të rinjtë që votojnë për herë të parë, të cilët u nxorën me urdhër nga mësimi, të mohojë zhvillimin e Kamzës në këto 20 vite. Rinia e Kamzës duhet të distancohet nga Tahiri, pasi veç kultivimit dhe trafikimit të drogës, nuk ka për çfarë të t’u flasë tjetër, pasi vetëm në këtë fushë ka bilanc pozitiv.
Tahiri, ashtu si shefi i tij Rama, udhëheqësit më të lartë të krimit në politikë dhe qeverisje, nuk kanë asnjë shans ballafaqimi në Kamëz, ndaj vijnë e struken diku në qytet me një grusht njerëzish dhe tentojnë të bëjnë politikë të madhe, atakojnë arritje, por harrojnë që për banorët e Kamzës ata janë kryemashtrues”,- thuhet në deklaratë.
Nga ana tjetër, Bashkia e Kamzës thekson se Qeveria Rama nuk ka dhënë asnjë investim për këtë njësi vendore. “I kujtojmë Tahirit se prej vitit 2013 Kamza dhe banorët e saj janë diskriminuar nga Edi Rama. Janë mbi 135 projekte të dërguara nga Bashkia për financim që flenë në sirtarët e qeverisë. Nga qeveria, pjesë e së cilës ishte dhe Tahiri deri para pak ditësh, është financuar vetëm rikonstruksioni i qendrës shëndetësore Kamëz! Tahiri dhe Rama përpara se të flasin në tymnajë për mbajtjen peng të Kamzës, kanë llogari për të dhënë ndaj banorëve të qytetit më vital në Shqipëri, qytetin e njerëzve me dinjitet dhe të punës. Gjatë qeverisjes së tyre jo vetëm që nuk kanë mbajtur kryepremtimin e firmosur nga Rama në Kamëz për legalizimet falas, por nuk kanë mbajtur asnjë premtim tjetër. E kundërta ka ndodhur, banorët e Kamzës dhe Paskuqanit janë masakruar nga kjo qeverisje deri në burgosje për një faturë të papaguar të energjisë apo vënien e një tulle avllie etj. Pyetja që i shtrojmë Tahirit është: Cili është bilanci i qeverisë Rama në Kamëz në këto 4 vite?!”,- thuhet në deklaratë.