Shkodër – Famullia “Zoja Nunciatë” hap mensë për të varfrit

0

40 persona në vështirësi ekonomike dhe pa të ardhura, do të ketë një portë të hapur prej kësaj të enjteje për ushqimin e përditshëm falë provincës Françeskane Shqiptare “Zoja Nunciatë” në Shkodër.

Është zgjedhur kjo atmosferë e javës së Pashkëve që të hapet mensa për personat e varfër, me qëllim që t’iu përgjigjen sadopak nevojës së këtyre njerëzve në vështirësi.

E ngritur në mjediset e kuvendit të eterve Françeskanë, ne ceremoninë inauguruese morën pjesë besimtarë, drejtues të lartë të Kishës Katolike si dhe përfaqësuesit vendore.

Aurel Gjerkaj: Të impresionohesh dhe të ndjesh keqardhje përballë atyre që në çdo mënyrë e kërkojnë bukën e përditshme nuk është më e mjaftueshme. Është e nevojshme të bëhen zgjedhje e të veprohet konkretisht.

Imzot, Angelo Massafra, kreu i konferencës ipeshkvnore kërkoi që ky shembull të na bëjë të gjithëve me solidarë.

Angelo Massafra: Ndani bukën me të tjerët. Ata që do të vinë në këtë shtëpi për të ngrënë diçka, për të marrë forcë, për të qenë njerëz të mirë në jetën e tyre, për të zhvilluar çdo lloj aktiviteti të mirë, të gjejnë atë ngrohtësi.

Ndërsa kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, e quajti këtë mensë si dëshmi e zemrës së madhe që kanë shkodranët për të ndihmuar njerëzit në nevojë, edhe pse shpesh ekonomia e tyre nuk është ne nivele shumë të mira.

Qendra në fjalë do të shërbejë për ushqimin e këtyre personave me vaktet ditore, falë bujarisë se besimtarëve katolik të kësaj famullie, që janë kontribuesit kryesor si në të holla, ashtu edhe me dhurimet ushqimore.