Luan Rama: Zgjedhjet janë të parat. Për koalicionin, flasim në kohën e duhur

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot për krizën politike në vend, duke theksuar se çështja kryesore që palët duhet të shqetësohen janë zgjedhjet.

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama tha sot për mediat, përballë çështjes së zgjedhjeve, anxhendat e tjera politike kalojnë në plan të dytë. Kjo përfshin dhe çështjen e firmosje së koalicionit mes PS dhe LSI.

I pyetur për aleancën e majtë, Luan Rama tha se “për LSI-në zgjedhjet janë të parat. Kjo çështje (aleanca) nuk mund të jetë parësore, më lejoni të them që zgjedhjet janë të parat dhe ftojmë të gjitha partitë që të ngrihen në nivelin e përgjegjësive dhe të tjerat në kohën e duhur do ua bëjmë të njohur”.

Nënkryetari i LSI u shpreh se kriza politike është serioze dhe vendi ndodhet në momente kritike, të cilat kërkojnë dialog dhe shmangie të tensioneve. “Problemi i madh janë zgjedhjet dhe detyrimi i madh që ka klasa politike dhe shumica për shkak të përgjegjësive që ka për të qeverisur është dialogu me opozitën dhe përfshira e saj në zgjedhje, si kusht jetik, si një vlerë e një shoqërie të matur. Për të realizuar më në fund pas 27 vitesh zgjedhje të lira ku secili të ketë mundësi të konkurrojë. Ajo që duhet të bëjë politika është ti largohet marrëzisë dhe ti thërrasë përgjegjësisë dhe arsyes për zgjedhje sipas standardeve, ku qytetarët të kenë mundësi që të zgjedhin dhe jo vetëm të votojnë”,- tha Luan Rama.

Po sot Lëvizja Socialiste për Integrim propozoi  tre anëtarët për dy komisionet ad-hoc të vettingut që pritet të votohen në seancën plenare që do të mbahet gjatë pasdites së sotme. “LSI i ka propozuar dhe do ti propozojë seancës për komisionin e parë prej 12 anëtarësh dy deputetët Luan Rama dhe Silva Caka dhe për komisionin tjetër prej 6 anëtarësh kemi propozuar deputetin Vangjel Tavo”,- tha Rama.

Kreu i grupit parlamentar të LSI, Luan Rama, apeloi të gjithë aktorët politikë të bëhen pjesë e procesit. “Theksoj rëndësinë e madhe që merr dialogu politik për zgjidhjen e kësaj situate dhe për të realizuar atë çfarë është e rëndësishme pikësëpari reformën zgjedhore që është e bllokuar dhe reformën në drejtësi që gjithashtu është e bllokuar”,- tha Nënkryetari i LSI.