Majlind Lazimi: Posta Shqiptare, shërbim postar bashkëkohor dhe inovativ

Në kuadër të një shërbimi më të mirë ndaj klientëve, Posta Shqiptare prezantoi sot një projekt mjaft inovativ dhe bashkëkohor, që ka të bëjë me Bankomatët Postarë.

Bankomatët Postare do të luajnë rolin e një zyre postare që shpërndan pakot. Këto pajisje automatike janë konceptuar që t’u japin mundësi klientëve të tërheqin pakot e tyre në mënyrë automatike. Klientët nuk kanë më nevojë te presin në rradhë në zyrat postare, për të marrë një pako, por mund të vijnë vetë të paraqiten për të tërhequr pakot e tyre shtatë ditë të javës.

Gjatë fjalës së tij në inaugurimin e Bankomatëve Postarë, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare Majlind Lazimi, tha se ky është një projekt që ka disa muaj që është menduar, dhe tashme është finalizuar. Ky projekt do t’ju vijë në ndihmë qindra qytetarëve të cilët sot përdorin shërbimin postar të blerjeve online apo të pakove të ndryshme nga jashtë vendit, përmes zyrave postare, kryesisht në zyrën që ndodhet tek Stacioni i Trenit apo tek Komuna e Parisit. Tashmë përveç këtyre dy zyrave, Posta Shqiptare ofron dhe shërbimin e Bankomatëve Postarë, një opsion i ri se si klientët mund të marrin një shërbim postar bashkëkohor dhe shumë inovativ.

Lazimi tha se ky është një projekt pilot i cili u mendua fillimisht për qytetin e Tiranës, dhe do të ofrohet në dy pika kryesore, tek zyra postare Nr. 5, si dhe tek zyra postare Nr. 29, dhe në rast se ky projekt do të vazhdoje të jetë i sukseshëm, besoj se shumë shpejt do të shtrihet edhe në qytete të tjera të rëndësishme.

Mënyra e procedimit për tërheqjen e pakove

Mënyra e procedimit është e e thjeshtë, dhe e ngjashme me procedurën e tërheqjes bankare. Në momentin që pakoja mbërrin në bankomatin postar, klientit i dërgohet një mesazh ku lajmërohet për mbërritjen e pakos, si dhe një kod personal.

Klienti në momentin që shkon për bërë tërheqjen e pakos, i kërkohet që të shkuajë kodin që i është dërguar me mesazh. Pasi shkruan të dhënat, klienti kryen pagesën prej 30 lekësh të reja, tarife fikse për këtë lloj shërbimi, dhe pasi kryen pagesen , hapet sirtari dhe klienti mund të tërheqë pakon. Në momentin që tërhiqet pakoja, sistemi dërgon automatikisht një mesazh informues, nëpërmjet të cilit njoftohet klienti për tërheqjen e pakos.