PDIU, Doda: Drejtori i Policisë dhe drejtuesit e tjerë të vendosen me konsensus

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka përsëritur dhe një herë thirrjen për pakt kombëtar mes palëve politike.

Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së Mesila Doda, gjatë një takimi në Njësinë Administrative Bubq në Fushë-Krujë artikuloi këtë propozime:

Doda: Ne propozojmë një pak kombëtar për reformën zgjedhore, në mënyrë që të ndryshohet sistemi aktual. Drejtori i Policisë dhe drejtuesit e tjerë të vendosen me konsensus nga partitë politike. Gjithashtu të bëhet zgjedhja e Presidentit me konsensus, sepse nuk kemi asnjë arsye mos ta zgjedhim me konsens dhe të përfaqësojë një figurë reale të konsolidimit të këtij vendi. Një pakt kombëtar për reformën në drejtësi dhe integrimin. Prandaj Rama dhe Basha duhet të ulen në një tavolinë, le ti japim një fytyrë tjetër politikës shqiptare.

Opozita duhet të ketë të gjithë masat e sigurisë që ajo kërkon ndaj Rama dhe Basha duhet të ulen bashkë dhe të gjejnë modalitetet me qëllim që shqiptarët të votojnë të qetë.

Doda: Mënyra e vetme se si mund të ndërtohet një proces zgjedhor është që të paktën kreu i mazhorancës z.Rama dhe kreu i opozitës z.Basha duhet të ulen bashkë dhe të gjejnë modalitetet me qëllim që shqiptarët të votojnë të qetë, opozita të ketë të gjithë masat e sigurisë që ajo kërkon. Nga ana tjetër shqiptarët të kenë të gjithë sigurinë se për kë po votojnë dhe si do vlerësohet vota e tyre. Këtë e themi pasi gjysëm milioni vota që shkojnë për partitë e vogla prodhojnë 0 deputetë. Për këtë arsye kemi kërkuar ndryshimin e sistemit. Nuk ka asnjë shpjegim se pse kjo formulë që është sot në fuqi, do duhet të na shtrëngojë të gjithëve në koalicione parazgjedhore. Unë mendoj se PDIU, por edhe partitë e tjera duhet të masim forcat tona në terren, si parti më vete.

Gjithashtu Doda dënoi arrogancën e disa prej politikanëve, ndërkohë që theksoi se PDIU ka trimëruar politikën shqiptare.

Doda: Shikoj shumë shpesh një ton arrogance e cila është e paspjegushme për mënyrën se si komunikojnë persona të ndryshëm, liderë të ndryshëm dhe forca të ndryshme politike. Me PDIU-në arrogancën mund ta harrojnë. Mund ta kenë me njëri-tjetrin, mund ta kenë mes vartësve të tyre, me kë të duan, por PDIU është një parti e cila është krenaria e këtij vendi. Sikur mos të ekzistone PDIU do të duhet ta kishin krijuar 10 herë, 100 herë, vetëm e vetëm që të trimëronte klasën politike shqiptare përballë presioneve herë të grekut, herë të serbit dhe herë të maqedonasit.