NATO – 68 Vjet Themelim dhe 8 Vjet nga Anëtarësimi

Nga Gjeneral Piro AHMETAJ/Si vjen NATO 68 vjetorin e themelimit? 4 Prill 2017 mbushen 68 vjet nga themelimi i dhe po në këtë datë, Shqipëria celebron 8 vjetorin e pranimit ne Aleancën e Atlantikut të Veriut (North Atlantic Treaty Organization). Përtej “fishekzjarrëve propagandistik”, 4 Prilli, si datë meriton të bëjmë një “In-memorium”  të vlerave, përfitimeve dhe sfidave për të dy këto ngjarje.

Strategu i Luftës së II-të Botërore, “Babai i Themelimit” dhe Komandanti i parë i NATO-s gjenerali me 5 yje, Presidenti dhe shtetari me një biografi të pakonkurueshme në historinë e SHBA, Dwight D. Eisenhower, plot 68 vjet më parë, e projektoi Aleancën si “një instrument politiko-ushtarak, për garantimin e tërësisë territoriale, demokracisë dhe prosperitetin e vendeve anëtare”. Dhe kështu, deri në vitin 1990, NATO, shërbeu si “gjysma tjetër e arrës së Planit Marshall”, që bëri diferencën e standardit të sigurisë dhe jetës së vendeve perëndimore. Në këto 68 vjet, ka garantuar tërësinë territoriale të vendeve anëtare, ka prevaluar me vlerat demokratike, si dhe ka shërbyer si një instrument për të inkurajuar frymën e  besimin reciprok, parandaluar konfliktet, dhe është konfirmuar dhe mbetet si aleanca më e fuqishme e sigurisë globale.

Pas themelimit 68 vjet më parë, NATO ka zhvilluar 6 procese zgjerimi; përkatësisht 3 para dhe 3 pas vitit 1990. Kështu, nga 12 vendet themeluese në 4 prill 1949 (BEL, CAN, DAN, FRA, ISL, ITA, LUX, NOR, POR, NED, UK dhe USA), në vitin 1952 u shtuan dy vende të tjerë (GRE dhe TUR), në 1955 Gjermania Perëndimore dhe në 1982 Spanja. Mbas vitit 1992, nëpërmjet iniciativave të Partneritetit për Paqe dhe Planit e Veprimit për Anëtarësim të vitit 1999, për herë të parë Aleanca u zgjerua në lindje me 3 vende të ish-Traktatit të Varshavës (POL, HUN, CEK) në 2005 me 7 vende (BUL, ROM, SLO, SLV, EST, LIT, LAT), dhe 8 vjet më parë në 4 Prill 2009, u anëtarësuan Shqipëria dhe Kroacia, duke e çuar në 28 numrin e vendeve anëtare të NATO-s.

Thelbi i Traktatit të Atlantikut të Veriut ose ndryshe i Traktatit të Uashingtonit mbetet Neni 5 i sigurisë dhe mbrojtjes kolektive, i shprehur se: “Një sulm ushtarak ndaj një vendi të Aleancës konsiderohet si sulm ushtarak ndaj të gjitha vendeve anëtare të saj”, apo ndryshe si parimi mosketerian “një për të gjithë e të gjithë për një”. Megjithëse ky nen është aplikuar vetëm njëherë, mbas aktit terrorist të 11 shtatorit në SHBA, i cili mbetet si neni themelor për mbijetesën e Aleancës, i cili aktivizohet vetëm si proces i konsultimit në të gjitha hallkat dhe mekanizmat politiko – ushtarak, dhe i vendimmarrjes me konsensus të të gjitha vendeve anëtare.

NATO ka shtrirje gjeografike në 25 vende Evropiane, 2 në  Amerikën e Veriut (SHBA dhe Kanada), dhe 1 në Euro-Azi, për shkak të Turqisë. Në hapësirën e vendeve të NATO-s jeton një popullsi rreth 1 miliard vetë (1/7 e popullsisë së globit), nga e cila rreth 350 milion ose 1/3 jeton në Amerikë dhe 650 milion ose rreth 2/3 jeton në Evropë. Nga 28 vende anëtare, 27 vende kanë Forca të Armatosura, përveç  Islandës, e cila ka vetëm një roje bregdetare dhe kontribuon me kapacitete civile për operacionet e NATO-s. Vetëm 3 vende, FR, UK dhe SHBA, zotërojnë armë bërthamore, që janë edhe fuqia e politikës së frenimit. Vendet e NATO-s kanë së bashku një forcë të armatosur prej 7,4 milion personel: nga e cila rreth 3,6 milion aktiv dhe 3,8 milion rezervë, si dhe një forcë të dislokueshme prej 3,5 milion. Shpenzimet për mbrojtjen të 28 vendeve aleate arrijnë në 905 miliard US$, ku vendin e parë e zënë SHBA me rreth 670 miliard USD, pastaj vijon UK me 60, Franca 50, Gjermania me 48, Italia me 28.5, Turqia 18, Norvegjia me 7.4 miliard US$ etj, dhe vende të tjera si, Kroacia me 900, Lituania me 570,  Sllovenia me 500, në vendin e 27 Luksemburgun me 362 milion US$, dhe në vendin e fundit fare, Shqipëria që për vitin 2017 ka alokuar 100 milion US$  (12,64 miliard Lek), ose 0.75% të GDP-së.

Këto 68 vjet histori të NATO-s kanë konfirmuar rëndësinë kritike të marrëdhënieve trans-atlantike. Për më tepër kanë provuar rolin jetik të SHBA, përfshi edhe fuqinë nukleare të saj. Edhe pas zgjerimit në 28 vende, barra e SHBA në raport me 27 vendet e tjera aleate është rritur në deri në 80% me 20%, nga rreth 60% me 40% që ishte para viteve 1990. Me të drejtë, Presidenti Trump i ka bërë kohët e fundit një thirrje të fortë lidershipit të këtyre vendeve për të ndryshuar këtë “status quo” të ndarjes më të drejtë të barrës së shpenzimeve. Kjo kërkon që udhëheqësit e vendeve evropiane të angazhohen për një rritje të buxheteve të mbrojtjes në nivelin 2% të GDP-së deri në vitin 2024. Dhe për ta jetësuar këtë si “kriter të fortë”, vetëm para një jave Presidenti Trump, konfirmoi një rritje me 10% ose rreth 54 miliard USD të buxhetit të mbrojtjes të SHBA, që e bën buxhetin rreth 720 miliard USD, më të lartin në historinë e SHBA.

NATO ka mbijetuar si model suksesi, pasi ka transformuar vetveten në formë dhe përmbajtje, duke ruajtur “hegjemoninë në tregun e sigurisë globale” me strategji koncepte, struktura, infrastruktura, planifikim, rregulla angazhimi, modernizim të procedurave dhe kulturës së bashkëpunimit me vendet anëtare. Traktati i Uashingtonit 1949, mbetet “kutia e Pandorës”, pasi jo vetëm skeptikët, mendojnë se nëse “preket ky traktat” do të vinte në pikëpyetje vetë Aleancën. NATO ka mbijetuar sepse ajo ka ditur si të adoptohet me mjedisin e sigurisë globale. Pas luftës së ftohtë, ajo ka miratuar 3 Koncepte Strategjike: në Rome 91, në Uashington 99, dhe Lisbonë 2010. Këto 3 koncepte strategjike përbëjnë “zgjidhje të mençura për mbijetesë” dhe për zgjerimin e hartës dhe peshën e kontributeve jashtë Nenit 5. Po ashtu, në Samitin e Romës (1991) NATO lançoi projektin politik të ‘Dyerve të Hapura’ (Open Door Policy), duke ofruar mundësi të afrimit dhe anëtarësimit të vendeve të lindjes. Kështu, zgjerimi ka shërbyer si një mekanizëm për demokratizimin dhe garanci shtesë për integrimin në BE të 11 vendeve të lindjes. Për fat të keq vetëm Shqipëria, 8 vjet pas anëtarësimit mbetet përjashtim nga ky “rregull”.

NATO është një organizatë politiko-ushtarake me një shumatore sinergjike të fuqisë të 28 vendeve anëtare të saj. NATO nuk e ka ndryshuar nivelin e ambicieve të saj (2 + 6), por nga njëri Samit në tjetrin ajo ka modernizuar sistemin e planifikimit, procesin e vendimmarrjes dhe kapacitetet. Në Kosovë, Afganistan, Irak, Libi, Mesdhe, etj, u faktorizua si struktura më e fuqishme ushtarake e historisë dhe mbetet “shpresa e vetme” për vlerat e lirisë, sigurisë dhe stabilitetit në mbarë botën. Nga prezenca “zero” jashtë territoreve të saj në fillim të viteve 90-të, ajo arriti në një total prej 170.000 trupa në terren në vitin 2012. Në Samitet e fundit të Uellsit dhe Varshavës, Kryetaret e Shteteve dhe Qeverive nënshkruan solemnisht për jetësimin e Planit të Veprimit për Gatishmërinë (RAP) dhe Task Forcën e Gatishmërisë Shumë të Lartë të Aleancës (VJTF).  Rreth 40 mijë personel ushtarak te Forcës së Reagimit të Shpejtë, nga të cilët 5 mijë vetë Forcë e Gatishmërisë Shumë të Lartë janë pjesë e konceptit të prezencës së përparuar të NATO-s në vendet Baltike, Evropën Qendrore dhe Juglindore.

Në datën 24-26 Maj në Bruksel do të mbahet  Samiti i 28 i NATO-s. Kryetarët e Shteteve do të shkëmbejnë këndvështrimet për kërcënimet dhe rreziqet e mjedisit të ri të sigurisë (më të rëndat që nga koha e luftës së ftohtë), për qasjen e re “anti-status quo” të Presidentit Trump, daljen e UK nga BE, shkeljet e hapësirës ndaj “Aleatëve të vijës së parë” (Norvegji/Finlandë, Poloni, 3 vendet Baltike, Turqi), ri-kthimi i ‘MIG-29’, i raketave ‘S-300’ apo ‘Sumadij’ në Ballkan, etj. Doktrina Putin-Medvedev, demonstron rritje të ambicieve gjeopolitike të Rusisë. Buxheti i mbrojtjes për 2017 ka arritur ne 4% të GDP-së, shifër rekord pas 1990. Me gjithë rritjen, buxheti i Rusisë është 15 herë më i ulët se i SHBA dhe 20 herë më i vogël se i 28 vendeve të NATO-s. Por qëllimi është të krijojë perceptimin se bota po ri-kapet nga “ethet e luftës së ftohtë”; të riciklojë mitin e “Carëve të pavdekshëm”; të ushqejë “ushtrinë e nostalgjikëve jo vetëm brenda Rusisë (përfshi Ballkanin)”, të përdorë supermacinë e burimeve të gazit&naftës dhe “krizën e refugjateve” për të lëkundur kohezionin e vendeve të NATO dhe BE.

Shqipëria në 4 prill 2017, 8 vjet pas anëtarësimit ne NATO?. Kjo, siç e ka nënvizuar Presidenti Nishani kjo ngjarje “mbetet arritja më madhore në fushën e sigurisë, ngjarja e dytë gjeopolitike dhe historike pas themelimit të shtetit shqiptar në 1912”. Shqipëria u anëtarësua në NATO pas një periudhe gati 50 vjeçare të një regjimi komunist totalitar.

Po çfarë trashëguam nga komunizmi? Një vend tërësisht të rrënuar, qytetarë të rraskapitur nga paranoja kriminale e përjetësimit të pushtetit të diktatorit Hoxha.  Mbi konceptin “gjithë populli ushtar” dhe mbrojtjen “pëllëmbë për pëllëmbë” u ngritën rreth 1000 reparte ushtarake, 300 mijë bunkerë; 115 mijë forcë aktive dhe 500 mijë rezerviste, një flotë me mbi 100 avionë MIG, dhe më shumë se 120 anije luftarake, etj! Kjo marrëzi, e parashikuar për të luftuar kundër dy Superfuqive së bashku, konsumonte çdo vit deri në 25% të GDP të qytetarëve të vendit më të varfër të Evropës. Vendi ngjante si 2 pika uji me modelin e sotëm të Koresë së Veriut, por që nuk zotëronte armë bërthamore, pra nuk kërcënonte kurrkënd, por vetëm keq-konsumonte vetveten dhe e rrokullisi në mjerim Shqipërinë dhe shqiptarët. Mbi këtë trashëgimi fatkeqe, në vitin 1992, Shqipëria u orientua pa hezitim drejt sigurisë dhe vlerave Euro-Atlantike (NATOs).

Me këto reforma, Shqipëria në 4 prill 2009 meritoi anëtarësimit në NATO ndërsa në Tetor 2013 nënshkroi me Komandën e NATO-s për Transformimin (ACT) përmbushjen e kritereve teknike të anëtarësimit të plotë. Në rrugëtimin e integrimit, vendi u transformua nga një vend konsumator në një vend kontribuues për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe global. U rrit niveli  i ambicieve dhe cilësia e kontributeve në operacionet ndërkombëtare. Prej vitit 1996 rreth 8000 ushtarakë kanë marrë pjesë në operacionet në Bosnjë, Irak, Afganistan, Kosovë, Gjeorgji, Ukrainë, Mali, etj, nga ku theksojmë se në 2012 arriti një kontribut me rreth 500 vetë njëherësh.

Në këtë udhëtim, Shqipëria ka qenë sa përfituese aq edhe kontribuuese me peshë në jetësimin e iniciativave dhe projekteve të SHBA dhe NATO-s, për ta çliruar Ballkanin nga tradita e përgjakshme e konfliktit, duke kontribuar në Ndërtimin e Paqes, Masat e Mirëbesimit Reciprok dhe stabilitetin e rajonit. Buxheti i mbrojtjes arriti në 2% të GDP-së, nga ku mbi 25 % e të cilit u alokua për projekte madhore të modernizimit, si: Vëzhgimi i Hapësirës Detare, Anijet e Patrullimit, Helikopterët, Forcat Speciale, Uniforma, Kursi i Lartë i Sigurisë, Qendra e Studimeve Strategjike, dixhitalizimi i të dhënave të personelit, projekti shembullor i demontimit të municioneve të trashëgimisë së regjimit (rreth 300 mijë ton), muzeu dhe imazhi i FA; nënshkrimi i 10-ra marrëveshje mirëkuptimi për Forcat Speciale, Inteligjencën, Protokollin e Parisit/SOFA, shkëmbimin e informacionit të klasifikuar, etj.

Për këto reforma dhe arritje, Shqipëria meritoi përcaktimi zyrtar të Aleancës “një ndër 5 vendet model për reformat, buxhetin e mbrojtjes,përmbushjen e detyrimeve dhe kontributeve për NATO-n”. Udhëtimi drejt Anëtarësimit, nuk është politizuar dhe as privatizuar, pasi është një trashëgimi me vlera mbarë kombëtare, i realizuar me konsensus dhe mbështetje të gjerë publike. Megjithatë, për “ti dhënë Çezarit atë që i takon Çezarit”, si një ndër dëshmitarët dhe kontribuuesit teknik të këtij udhëtimi, duhet thënë se ky projekt dhe kjo arritje historike mban vulën e vizionit, përkushtimit dhe vendosmërisë së qeverisë Berisha, i cili ka iniciuar dhe udhëhequr këtë proces historik transformimesh nga 1992 deri në nënshkrimin e anëtarësimit të plotë në Tetor 2013.

Në memorien e nderit të historisë kombëtare të anëtarësimit në NATO janë të skalitur: Presidenti George Bush; Sekretaret e  Shtetit/Mbrojtjes Baker, William Perry, Rumsfeld, Gates, si dhe gjeneralët e mirënjohur Clark, Stavridis dhe Mattis (aktualisht Sekretari i Mbrojtjes), për  angazhimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në realizimin e aspiratës së Shqiptarëve, për ndërtimin e demokracisë funksionale, shtetin e të drejtës; dekriminalizimin e institucioneve, reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe integrimin në BE. Në këtë datë meritojnë mirënjohje emër për emër, të gjitha stafet në Departamentin e Shtetit, Pentagon, Ambasadë, Zyrën e Bashkëpunimit Ushtarak, Atashetë, etj.

Anëtarësimi i RSH në Aleancë mbetet pa-mëdyshje një histori suksesi. Mjedisi sigurisë ndryshon me mënyrë të paparashikuar, kështu dhe NATO dhe reformat e mbrojtjes janë në transformim të pandërprerë. Anëtarësimi nuk është dhe nuk duhet konsideruar si stacion i fundit, por si riciklimi i një faze të re, me detyrime dhe përgjegjësi shtesë. Prandaj, gjykoj se si të gjitha vendet e NATO-s, Shqipëria duhet të rishikojë me “emergjence” reformën e sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare për zhvillimin e kapaciteteve të afta, në kuadër të nenit 5 të NATO-s, për mbrojtjen e tërësisë territorialë nga çdo kërcënim, në çdo kohë, dhe nga çdo drejtim që vijë; të mbajë barrën dhe të vijojë të kontribuojë në operacionet e Aleancës në Afganistan, Irak, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Ukrainë, etj. Po ashtu, është në interesat jetike të vendit, të zhvillojë  një projekt të përbashkët me Kosovën, të hapur për vendet e rajonit për tu përballur me kërcënimet asimetrike si “terrorizmi, rreziqet kibernetike, konfliktet civile, shtetet e dështuara, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, emergjencat civile, krizën e refugjatëve, etj.

E fundit, por e para nga rëndësia, në çështjet e reformave të sigurisë dhe mbrojtjes duhet të vendosen të parat interesat kombëtare, dhe jo interesat e partisë apo pushtetit të radhës. Gjykoj që më shumë se të tjerat, këto reforma kërkojnë vizion, ekspertizë, gjithë-përfshirje, konsultim dhe konsensus sa më të gjerë. Po ashtu, duhet të shmangim arrogancën politike, të inkriminuarit, diabolikët dhe mediokrit nga sistemi dhe strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare. Kemi nevojë të bëjmë një ri-balancim më të mirë të 3 pushteteve dhe të tejkalojmë konfuzionin e modelin aktual të dominimit të një pushteti ndaj të tjerëve. Kemi nevojë për një paketë ligjore, struktura dhe rregulla angazhimi të integruara në të gjitha hallkat e  zinxhirit të komandimit, nivelet e planifikimit strategjik të FA dhe agjencive të tjera të sigurisë kombëtare. Kemi nevojë të depolitizojmë strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes, të ndalim paragjykimin dhe promovimin biografik të personelit, shpërdorimin politik të pronave, kapaciteteve dhe burimeve të mbrojtjes së FA. Kemi nevojë të mos bëjmë retorike militantiste-nacionaliste me fqinjët në rajon, të mos bëjmë karshillëk-diabolik ndaj interesave mbarë-kombëtare, ndaj kërkesave të presidentit Trump, si dhe ndaj detyrimeve për NATO-n. Kemi nevojë kritike të rritim shpenzimet për mbrojtjen, jo për luks, por për zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, nga 0.75 % në 2017, në 1.2 %, në 2018 dhe gradualisht me 0,2% çdo vit, që në vitin 2024 të arrijmë 2% të GDP-së.

Shënim: Opinionet e këtij artikulli janë tërësisht këndvështrime profesionale të autorit, për shkak të angazhimeve për 18 vjet në strukturat e integrimit në MM/SHP, Përfaqësues i RSH në NATO, Zv/Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, dhe aktualisht në detyrën e Këshilltar Ushtarak të Presidentit.