“Fenomeni turk” në Trush dhe kostoja e amullisë së pronësisë mbi tokën

Nga Gjovalin Gjeloshi/Prej ditësh një numër banorësh të fshatit Trush të rrethit të Shkodrës, protestuan dhe akuzuan bashkinë e qytetit të tyre si dhe Ministrinë e Bujqësisë, nëpërmjet drejtorisë së saj rajonale, për padrejtësinë (sipas protestuesve), që iu bë duke i dhënë me qira një sasi toke prej më shumë se 260 ha, një kompanie turko-maqedonase që merret me kultivimin dhe tregtimin e orizit. Arritja e protestuesve, mendoj unë, që sjellja në vëmendje të organeve shtetërore, si atyre vendore edhe qendrore, se pronësia ende e papërcaktuar mbi tokën bujqësore, është shkaku i mosmarrëveshjeve të herëpashershme (jo vetëm rasti i Trushit) të fermerëve ose më mirë me thënë, i pronarëve të vjetër shqiptarë me personat fizikë apo juridikë vendas apo të huaj që tentojnë të marrin guximin të investojnë në bujqësinë e Shqipërisë së trazuar.

Klima mosdashamirëse që u krijua pas vitit 1990 për ish- pronarët e tokave bujqësore, e filluar qysh nga ligjvënësit shqiptarë në fillim të këtyre viteve, vazhdon të manifestohet edhe sot nga zyrtarë të vegjël e të mëdhenj, në forma nga më të ndryshmet: tokat e lira mund t’u jepen  me qira edhe të huajve, por jo t’u kthehen pronarëve; mund të abuzohet me to duke i ndarë edhe sot me ligjin 7501 e shpërndarë tapi alla-demokratiko-socialiste, por jo t’u jepen pronarëve, mund të falen e të jepen me një euro, por jo të shkojnë te i zoti; mund të vidhen e stërshiten sa nga njëri abuzues te tjetri, por jo t’u jepen atyre të cilët demokracia i zhveshi nga pronat. Tokat bregdetare të Shqipërisë nga Velipoja e deri në Butrint: male e moçale, këneta me xunktha e kashtë, mund të ndahen prej kadastrave tona si toka bujqësore, por ato nuk mund t’u jepen si kompensime pronarëve që ligji 7501, “si delja e zezë” në të gjithë grumbullin e ligjeve të Europës post-komuniste, ua mori tokën dhe e ndau për frymë/popullsie.

Të dy qeveritë, si e majta si e djathta; si demokratët edhe socialistët, edhe kur erdhën në pushtet për herë të dytë, nuk lëvizën prej llogoreve që zunë në gushtin e vitit 1991, dhe në programin e tyre për bujqësinë deklaruan se, “nuk ka asnjë ndryshim në ligjin e tokës”. Por shqetësimi im, i deklaruar edhe para udhëheqësve më të lartë të këtij vendi ka qenë dhe mbetet: mirë pajtohem, po pse nuk u zbatua ky ligj? Pse nuk u vunë përpara përgjegjësisë zyrtarët që abuzuan me ndarjen e tokës, kryesisht në zonat bregdetare të vendit, por edhe kudo tjetër. Pse në Shqipëri u lejuan dy standarde në ndarjen e tokave bujqësore: një për zonën kodrinore e malore, pronarët e të cilave shkuan në kufij të vjetër me marrëveshje të plotë, pa pyetur se çfarë shkruan ligji i tokës dhe në zonat fushore, pronarët që formuan kooperativat bujqësore me tokat e tyre, nuk u patën në konsideratë. Shteti kishte të drejtë të ndante tokën e vet me komisione të shoqëruara prej policëve, që në të vërtet nuk e kishte të pakët (tokat e përftuara pas vitit 1945 ishin më shumë se sa ato që u trashëguan në Shqipëri), por jo tokën që shtetasit e këtij vendi e kishin blerë me “napolona me gjel”, siç e njihte populli arin që ishte në qarkullim monetar. Sepse kam bindjen, se po të zbatohej ligji i tokës me korrektësi dhe komisioni qeveritar i tokës bashkë me të gjitha komisionet e ndarjes së tokave në piramidë, nuk do të abuzonte në tjetërsimin  zërave kadastral të tokave, do të gjendeshin shumë mundësi e mënyra për të kënaqur sado pak edhe ish- pronarët, ata që me pronën e tyre krijuan pronën e grupit ose kooperativën bujqësore dhe sot nuk do të ishim në gjendje të papërcaktuar pronësie.

“Ne kemi 25 vite që e punojmë këtë tokë – deklaronin fshatarët e Trushit në protestë,  – sot vjen një firmë turke dhe e merr me qira me 1 euro për metër katror. E kemi trashëguar tokën nga të parët tanë. Meqë shteti kërkon t’ia japë një të huaji, më mirë po e marrim ne. Po kërkojmë diçka tonën, kjo tokë ka qenë gjithmonë e jona. E kemi shfrytëzuar për kullota dhe për mbjelljet e stinës, kryesisht të drithit. Nëse ajo i jepet kompanisë turke,  mbetemi pa tokë dhe nuk do kemi ku t’i kullosim bagëtitë”.

Në këtë shkrim ne nuk do t’i japim rrugë gjendjes pronësore të tokës së lirë të Trushit, as të dhjetëra ha të tokave të tjera anekënd që janë përdorur nga fshatarët bashkërisht prej vitesh edhe kur nuk kanë ekzistuar dokumentet e pronësisë. Po ministria e bujqësisë, ku i paska dokumentet që vërtetojnë pronësinë e saj? Kush është burimi i pronësisë së kësaj toke? Po ministria e mbrojtjes, që ka toka në pronësi në Lezhë apo rrethe të tjera, kush ia dha, me ç’të drejtë mund t’i përdorë ajo si të dojë, t’i japë edhe me qira, kur pronarët e saj janë gjallë? E citojmë edhe një herë, se toka mund të jetë pronë e shtetit vetëm kur ato janë të përftuara nga puna që ka bërë vet shteti, si bonifikimet etj, por jo tokat të cilat kanë krijuar pronën e grupit në kohën e komunizmit. Ligji 7501, pavarësisht se nuk ndryshon thelbin, ai nuk është tabu. Kur vjen puna për të ligjëruar abuzimet, ndryshohen zërat kadastral pa asnjë vështirësi. Ndërsa kur diskutohet që tokat e lira, të pandara të shkojnë tek fshatarët që i kanë përdorur prej vitesh si prona të përbashkëta apo të veçanta, i referohemi ligjit.

Para disa ditësh, përfaqësuesit e një kompanie italiane u paraqitën pranë Bashkisë Lezhë me kërkesën për të investuar në një sipërfaqe të konsiderueshme kodrinore në mbjelljen e arroreve: arrë e lajthi – deri në 600 ha po të ketë, na thanë. Synimi i kompanisë ishte te tokat shtetërore ose pronë e bashkisë. E orientuam biznesmenin (donte të shihte tokat nga afër dhe të merrte kampione për analiza agrokimike e pedologjike) në zonën e komunave të Dajçit dhe Blinishtit. Por çfarë ndodh? “De jure” ato kodrina të bukura të Dajçit e fshatrave të tjera përreth, janë të patrajtuara me ligjin e tokës. “De facto” ato janë të ndara jo vetëm në imagjinatën e atyre fshatarëve që i kanë përdorur gjithmonë, por edhe konkretisht. E njëjta situatë është edhe në mjaft toka kodrinore të zonës së Blinishtit. Atëherë, cila është gjendja e pronësisë së tyre? Sa do të ndikojë kjo amulli në pronësinë e këtyre tokave në “frikësimin” e investitorëve të huaj apo vendas? Kush i siguron ata se, siç i  ndodhi kompanisë turke me fshatarët e Trushit, nuk i ndodh çdo investitori me pretendentët për pronësinë në zonat e tjera? Kjo është një kosto që kushton mjaft në zhvillimin e integruar të bujqësisë. Që frenon iniciativën, edhe kështu të pakët, të disa kompanive të huaja për të investuar. Shtetet socialiste, e aq më tepër ky yni, patën shumë prona në kohë të tyre. Në ekstremitetet e privatizimeve, nuk lanë asgjë për veten. E tash duan të mbajnë “për bishti” një dyzinë tokash djerrishte e nuk u jepen atyre që i kanë pasur gjithmonë: ose pronë të fshatit ose të individëve të veçantë. Kjo pronësi është e ngulitur thellë në memorien e banorëve. Edhe pse kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë, akoma vazhdojnë të njihen me emrat e pronarëve të tyre: ograjat, zabelet, djerrishtet, kodrat etj, dhe ne nuk kemi pse e vëmë në dyshim pronësinë. Asnjë shqiptarë nuk e pranon që ta marrë qoftë edhe me qira prej shtetit a bashkisë, as turku e as italiani ograjën apo djerrishten e tij. Me qira apo me kontratë pranon ta japë vetëm ai vet pronën e tij.

Nëse vlera fillestare e marrjes me qira të tokës së Trushit (siç e raporton vet ministria e bujqësisë), ishte rreth 4.3 milion lek (të reja), që i bie vetëm 16 mijë lek për një ha apo 1600 lek një dy, kjo do të thotë se nuk është respektuar vlera reale e tregut të dhënies me qira të tokave për zonën tonë e cila shkon deri në 4 mijë lek një dy ose 40 mijë lek/ha. (Natyrisht, gjithmonë do të shesësh apo japësh me qira me çmime të ulëta kur toka nuk është e jotja). Nga takimet që kemi pasur edhe në Lezhë me përfaqësues të firmës turko-maqedonase (po bëhen tentativa që të arrihet marrëveshje me fermerët e atyre zonave ku më përpara vitit 1990 është kultivuar bima e orizit), vihet re se ata nuk kanë dijeni për tregun e qerasë së tokës së paku në zonat tona. Ky treg ka funksionuar vitet e fundit, pasi një numër fermerësh kanë guxuar të krijojnë ferma të mëdha duke marrë toka me qira prej atyre që kanë emigruar ose së paku prej atyre që nuk preferojnë ta punojnë vet tokën. Qiraja e tokës në këtë rast është më shumë se sa dyfishi i qerasë me të cilën ministria e bujqësisë ia ka dhënë tokën e Trushit, kompanisë turke?!

Që të mos jemi më përpara fenomeneve të tilla si me turqit në Trush, që na kushtojnë tash e më vonë, a nuk duhet ta kthejmë vëmendjen më shumë ndaj qartësimit të pronësisë mbi tokën bujqësore, tokë kryesisht të asaj kategorie që është refuzuar apo nuk është trajtuar me ligjin “Për tokën” dhe të mos i lëmë si djerrina apo ugare pa zot, kur ato e kanë të zotin e tyre: bashkësinë e fshatit ose individë të veçantë.