Blushi: Ilir Meta ta çojë Ramën në mocion mosbesimi në Parlament

Kreu i LIBRA-s Ben Blushi është i bindur se një qeveri me Edi Ramën si kryeministër, është opsioni më i pamundur për të çuar përpara Shqipërinë dhe për të zgjidhur krizën politike në vend.

Ben Blushi i ka propozuar kreut të LSI-së Ilir Meta, se duhet të jetë ai që duhet të çojë në mocion qeverinë Rama, dhe nëse diçka e tillë bëhet, dy votat e LIBRA-s do të jenë pro rrëzimit të kryeministrit.

“Kriza sot është më e thëllë se dje dhe nesër do të jetë akoma më e rëndë se sot.

Fatkëqësisht ne kemi pushtuar veten! Krimi, korrupsioni dhe padrejtësia janë armiq që duhen mundur. LIBRA do të hyjë në zgjedhje por duket sikur zgjedhje nuk ka, apo se mund të shtyhen. Kush i bën zgjedhjet në Shqipëri? Partitë e vjetra! Këto parti janë treguesit më të qartë të dështimit spektakolar për t’i dhënë të drejtën e votës shqiptarëve.

Së fundmi partitë e vjetra janë duke sekuestruar të drejtën për t’u zgjedhur lirisht. LIBRA beson se çdo përpjekje për të hequr nga kutitë krimin dhe korrupsionin është e vlefshme.

Sot ka një debat për zgjedhjet. LIBRA nuk beson se vendi ka mundësi sot të përballojë një bashkëqeverisje të partive të vjetra, për t’i vënë shkelmin vendit. Bashkëqeverisje ka, mund të ndodhë, do të ishte një vjedhje në bashkëpunim. Ne nuk mund të marrim pjesë në shqyerjen në copa copa të vendit. Por nëse do ta bëjnë këtë, të paktën ta bëjnë me kushtin që pas kësaj të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

I them të gjithë atyre që kanë votat në parlamernt, përfshi dhe LSI-në, që është gjysma e qeverisë, që nëse duan të bëjnë mocion për të rrëzuar qeverinë ne do jemi me votat tona pro.

Jemi gati për ta rrëzuar këtë qeveri cdo ditë, ashtu sic jemi gati me të gjitha palët politike për të dialoguar. Por ne nuk jemi gati për të zëvendësuar një qeveri të Edi Ramës me atë të Sali Berishës. Të shkosh nga Rama tek Berisha është më keq të shkosh nga shiu në breshër.”-tha Blushi