Hoxhaj: Deklarata e OSBE-së për mungesë sigurie, e papranueshme për ne

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj e ka quajtur të papranueshme deklaratën e djeshme të OSBE-së, në lidhje me kushtet e sigurisë për numërimin e votave të zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë.

Hoxhaj ka thënë që nuk ka asnjë arsye që të vihen në dyshim kushtet e sigurisë për numërimin e votave të serbëve të Kosovës brenda territorit të Kosovës.

Sipas ministrit, fakti që Kosova ka lejuar që edhe serbët e Kosovës të votojnë në këto zgjedhje dhe ka garantuar kushtet e sigurisë flet për përkushtimin e institucioneve të vendit tonë për një proces pa probleme.

Në anën tjetër, edhe komandanti i KFOR-it ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se situata e sigurisë në Kosovë është stabile dhe është përmirësuar dukshëm.

/Telegrafi/