Kryeministri hungarez, Viktor Orban: Do vij në Çadrën e Lirisë së opozitës

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka shprehur mbështetje për protestën e Partisë Demokratike në Tiranë. Në takimin që ka zhvilluar sot në Maltë me kreun e PD-së, Lulzim Basha, Kryeministër i Hungarisë Viktor Orban, ka deklaruar se Qeveria dhe partia që ai drejton, si pjesë e Partive Popullore Europiane, mbështet kauzën e opozitës shqiptare.

Burime nga takimi, thanë për “Koha Jonë” se kreu i qeverisë hungareze ka deklaruar se ishte i gatshëm të vinte në Çadrën e Protestës së Partisë Demokratike për të mbështetur aksionin e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Gjatë takimit Basha dhe Orban diskutuan për zhvillimet politike në Shqipëri dhe për kërcënimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare. Basha u shpreh se kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është e lidhur pazgjidhshmërisht me integrimin europian të Shqipërisë.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban deklaroi se Partia simotër FIDESZ i jep mbështetje të plotë aksionit të opozitës që synon garantimin e votës së lirë e të ndershme në vend.