Pezë/Mësuesja me burrin rrahim barbarisht nxënësit, pasi qëlluan me vezë

Një grup nxënësish të klasës së nëntë në  shkollën “16 Shtatori” në Pezë të Madhe, janë rrahur nga mësuesja Anila Çelmeta dhe bashkëshorti i saj. Ngjarja ka ndodhur në festën e Ditës së Verës, jashtë ambienteve të shkollës. Nxënësit fillimisht nuk u kanë treguar familjarëve për këtë ngjarje. Ata kanë vendosur të flasin me prindërit vetëm një ditë më pas, ku mësuesja ju ka bërë “presion” psikologjik në ambientet e shkollës.

Prindërit, pasi janë informuar rreth situatës, e kanë denoncuar mësuesen dhe bashkëshortin e saj në komisariatin e policisë në Kombinat dhe në emisionin Fiks Fare. Fëmijët tregojnë para kameras së Fiks Fare se kanë frikë nga “hakmarrja” e mësueses.

“Ditën e Verës ne dalim dhe festojmë siç e ka tradita. Atë natë kemi kaluar pranë lokalit të mësueses. Sa jemi larguar pas nesh ka ardhur kjo e fundit së bashku me bashkëshortin me makinë. Na prenë rrugën me makinë, ndaluan dhe filluan të na godisnin. Bashkëshorti i saj më kapi në fyt dhe filloi të më gjuante në fytyrë”, shprehet një nga nxënësit. Disa të tjerë thonë se ka qenë mësuesia e cila i ka goditur me shpulla në fytyrë. Arsyeja, sipas tyre, ka qenë se disa fëmijë kanë qëlluar me vezë në ambientet e biznesit të saj.

Nxënësit tregojnë se pasi janë goditur, të nesërmen mësuesja u është drejtuar në shkollë me fjalë të rënda duke u bërë presion psikologjik.  “Unë u fsheha në kanal nga frika, por e pashë që kërciti shpulla”, shprehet një tjetër nxënës. Disa nxënës të tjerë shprehen: “Na goditi dhe të nesërmen. Na tha që do ja u rregulloj unë vitin që vjen kur të bëjmë mësim së bashku”. 

Drejtorja e shkollës, Afërdita Belba tha se ishte në dijeni të situatës, por ajo u shpreh për Fiksin se nxënësit duhet ta çojnë në drejtori ankesën me shkrim.

“Nxënësit më thanë se mësuesja ju ka thënë do ua rregulloj unë ju vitin që vjen. Unë kërkova që nxënësit ta bëjnë me shkrim këtë ankesë. Do të mbledh komisionin të shqyrtojmë këtë situatë. Përsa i përket dhunës që ka ndodhur jashtë shkollës, do flasin institucionet e tjera. Vazhdimisht ne i çojmë formularë nxënësve për të bërë ankesa në lidhje me raportin e tyre me mësuesit, por ata hezitojnë”, u shpreh drejtoresha Belba./Top Channel/