Shtohen zërat kundër aleancës. Ndreu: Të fitojmë 71 deputetë që të qeverisim pa LSI

0

Ndërsa pritet që PS dhe LSI të vendosin këto ditë për të ardhmen e koalicionit për 4 vitet e ardhshme, nga selia rozë shtohen zërat për një dalje më vetë në zgjedhje. Pas qëndrimeve kundër LSI të Saimir Tahirit, deputetëve Blerina Gjylahmeti dhe Vladimir Kosta është deputeti Pjerin Ndreu ai që flet për krijimin e një qeverie vetëm “socialiste”, duke nënkuptuar kështu një shkëputje nga LSI-ja.

“Të jemi bashkë në një fitore të madhe të Partisë Socialiste të Shqipërisë me 18 qershor, me Edi Ramën kryeministër, me qeveri të plotë të Partisë Socialiste dhe me një shumicë dërrmuese në grupin parlamentar me më shumë se 71 deputetë. Ky është një zotim që ne e kemi marrë në Pukë, në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë”,- u shpreh deputeti Pjerin Ndreu.

Ndërsa koordinatori socialist për qarkun e Shkodrës, Ditmir Bushati u ndale tek reforma në drejtësi, e bllokuar sipas tij nga Partia Demokratike, e cila, siç tha ministri Bushati po synon t’i fusë shqiptarët në një ngërç politik. Ai ftoi të rinjtë dhe gjithë shqiptarët të bënin diferencën në mesin e 18 shkurtit të Partisë Demokratike dhe 18 qershorit të shqiptarëve.

“Shqipëria është përball dy alternativave. Njëra alternative është 18 qershori dhe alternative tjetër 18 shkurti. 18 qershori, për të cilin ne po punojmë do të thotë të përsërisim një kontratë me qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të thellojmë reformat dhe të afrojmë Shqipërinë më Bashkimin Evropian” tha ministri Bushati.

Në gjithë qëndrimet e fundit të Partisë Socialiste nuk flitet për daljen nga kriza politike dhe koston që shkakton në vend bojkoti i PD, por vetëm për aleancat dhe koalicioni.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Kryeministri Edi Rama ditën e sotme, në një aktivitet për Paktin e Mirëqenies Sociale.

Kryeministri u shpreh se vetëm Partia Socialiste ka bërë dhe po bënë reformë. Sipas tij, nëse pushteti do ta marrë çadra (PD) vendi nuk do të ketë as rritje të punësimit, as rritje të të ardhurave për qytetarët dhe as shtet ligjor. “Mjafton të shkosh te çadra dhe t’u thuash hajdeni qeverisni nuk vjen vjeshta pa i parë policët të hanë fara në lulishte, pa i parë zyrat e punës pa i parë zyrat e punës të kthyera në qebaptore dhe floktore, pa i parë persona me aftësi të kufizuar të dalin duke kërkuar të drejtat nga e para dhe nuk vjen buxheti i vitit tjetër pa borxhe. Kjo nuk ndodh se e bëjnë me qëllim, por s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ata e kanë me të mirë me të vetën por nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër”,- tha Rama.

pjerin ndreu

bushati 2