Në pritje të Bashës, pas një jave!

0

Një njoftim i orës së fundit tregon se Lulzim Basha niset për SHBA. Me pas në Bruksel. Janë udhëtime zyrtare nga përfundimi i tyre do kuptohet se si do jetë vendimi final i opozitës dhe PD.

Ja njoftimi:

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të niset nesër për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë vizitës disa ditore në Amerikë, Lulzim Basha do të takohet me senatorë, kongresmenë e zyrtarë të lartë amerikanë.Në fokus të takimeve do të jetë protesta e opozitës, kriza politike dhe kërkesa për një qeveri teknike që do të mundësojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Pas kthimit nga SHBA, kryedemokrati Basha do të ndalojë në Bruksel ku do të marrë pjesë në mbledhjen e Partive Popullore Europiane.

Pra deri ditën që do të kthehet Lulzim Basha çadra do vazhdojë punën në mes te Bulevardit. Deri atë ditë do kemi të njëjtin refren opozitar: Nuk futemi në zgjedhje me kryeministër Ramën, nuk do ketë zgjedhje, etj etj. Deri në kthim kot presin edhe nga Ilir Meta që të ndërhyjë për gjetjen e zgjidhjes, pasi zgjidhja është atje, në SHBA. Atje ku do të takojë senatorë, kongresmenë dhe zyrtarë të lartë amerikanë. Atje dhe me ata, nuk ka llafe. Me ata duhen fjalë korrekte dhe premtim korrekt.

Rezultati i takimeve të Lulzim Bashës në SHBA do duket fill pasi ai të kthehet në çadër. Nëse do ketë mbështetje amerikane për çadrën atëhere Edi Rama duhet të gjejë tjetër zgjidhje nga ajo e ditës se dielë pasdite. Nëse Basha ul tonet dhe ofrohet për bisedime, por pa çadër, do të thotë se amerikanët kanë vendosur të zhvillohen zgjedhjet me 18 qershor, por me rregulla shumë strikte dhe të monitoruara nga ata vetë.

Ndaj le të presim Bashën! Kësaj i thonë: Në pritje të Bashës!

Këto ditë Edi Rama, Ilir Meta dhe të tjerë le të rrijnë rehat dhe pa siklete për çadrën. Çadra po fluturon në SHBA.

Spiten Prulli