Ç’po e dominon sot njeriun dhe “politika” e forcës së pushtetit?

0

Nga Besmira Xhaferasi/Çdo ditë e më shumë ne si shoqëri, po vetëkonstatojmë, po vetëdijësohemi duke u bërë gjithmonë e më tepër dëshmitar “okularë” të ndërtimit të një realiteti shoqëror social, ku bashkëjetesa në komunitet po vështirësohet. Po, s’mund ta mohojmë, po vështirësohet e madje me hapa të frikshëm.

Më tej akoma, sot jetojmë në kushtet të tilla, ku, për shkak të tendencës dhe rritjes së vazhdueshme të prirjes së njeriut modern për pavarësi dhe individualitet, natyra njerëzore po humbet shumë nga thelbi i vet origjinal; i të qënit një qënie bashkësociale (me vetëdije individuale, komunitare, sociale, politike, shpirtërore etj.).

Një ironi domethënëse në këtë rast do të ishte, që, më në fund njeriu t’ia pranonte hapur vetes se (pavarësisht, perspektivës së kahershme të trashëguar për të projektuar vazhdimisht një të ardhme të sigurt e të realizuar), në thelb, jeta e gjithsecilit prej nesh vazhdon të jetë, një sfidë e pagarantuar dhe e pasigurt e së nesërmes që presim. Jo më pak, ne sot jetojmë në rrethanat ku shoqëria jonë postmoderne është zhytur në mbizotërimin e një tregu neoliberalist modern, që në pjesën më të madhe të rasteve nuk njeh kufinj moralë apo nuk ndjek rregullat e lojës së modelit të një konkurence të lirë e të ndershme.

Më saktësisht, ne ndodhemi në kushtet kur ekzistenca e problemeve të shumta me karakter ekonomik, social, politik etj.,jo vetëm nuk ka “zgjidhjen” si përgjigje dhe po sundon shumicën e pjesëtarëve të shoqërisë por, është kthyer tashmë në një problem tipik shoqëror, me një prezencë të përhershme.

Kështu, dimë se, në jo pak raste ndikimi i rrethanave të ndryshme të krijuara si: gjëndja e keqe ekonomike, mosmarrëveshjet e pazgjidhura shoqërore, konfliktet familjare, mosgjetja e drejtësisë në rang ligjor etj,; është bërë shkak dhe burim kushtëzues për nxitjen e sjelljeve apo elementeve veprues negativ në shoqëri. Sa i takon kësaj, mjafton të përmendim shembujt që media po raporton thuajse ç’do ditë: korrupsioni, kronikat e vrasjeve, krimit në familje, vetëgjysitë deri në vetëvrasje etj.

Dhe në të gjithë këtë tablo, ajo çfarë duket se përbën dhe kryefjalën e problemeve, në të cilat qëndrojnë sot vendi dhe shoqëria jonë është pikërisht , mungesa e krijimit të kushteve të domosdoshme, për të patur një autoritet të vërtet në atë që mund ta quajmë ndryshe, kulturë e sundimit dhe zbatimit të ligjit. Kjo kulturë, që parimisht e në kuptimin më të logjikshëm (si për në çdo vend tjetër me demokraci të drejtë e funksionale) duhet të ishte drejtësia si rend ligjor, në vendin tonë është futur në krizë, nuk funksionon ose është harruar duke u bërë hapësira më e ngushtë e gjetjes dhe e veprimit në shoqëri. Përkundër kësaj, ajo çfarë duket që nuk është përjashtim, por një fenomen banal i kohës së pushteve moderne është se: “respektimi i drejtësisë” si pjesa kryesore, që përfaqëson dhe vërteton funksionimin e kriterit moral të një shoqërie, është marrë peng duke u shndërruar në një mjet, në duart e forcës natyrore e zotëruese që bart pushteti. Një shprehje e njohur, që do vlente të përmendej në këtë rast, si argument për të kuptuar statusin simbolik dhe këtë atribut të vetvetishëm të forcës së pushtetit në një shoqëri, është ajo e historianit Lord Acton (1834-1832) kur thotë: “Pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”. Për rrjedhojë, nisur nga kjo pikë vështrimi, në mënyrë të ngjashme do të thoshim se pushteti vetë, si një organizëm veprues historik nuk mund të shihet i ndarë nga organizmat e tjerë veprues brenda një shoqërie (si politika, ekonomia, drejtësia etj).

Kaq, mjafton për t’i konfirmuar edhe njëherë vetes që, në një shoqëri si kjo e jona, po edhe në çdo shoqëri tjetër ku marrëdhëniet e shumëfishta të pushtetit përshkojnë, depërtojnë dhe i japin formë kushtetuese trupit shoqëror, ajo çfarë nuk duhet të mungojë në rëndësinë e zbatimit të saj, është sistemi parimor e funksional i së drejtës. Pra, drejtësia, e kuptuar kjo, si autoriteti i vetëm ligjor që mund të bëj “ligjin e së vërtetës”( në shërbim të vetvetes, jo pushtetit), brenda sistemit rregullator të një shoqërie demokratike, rendi ligjor i së cilës duhet të jetë gjithmonë i pavarur, nga faktorë të tjerë të jashtëm që e cenojnë apo pengojnë funksionimin e vërtetë të saj.