Turqia: Gjermania me dy standarde dhe hipokrite

Turqia e ka akuzuar Gjermaninë për hipokrizi pas mitingut që 30 mijë kurdë mbajtën në Frankfurt, para festimeve kurde të vitit të ri.

Ankaraja u nervozua sepse politikanët turq nuk u lejuan të zhvillonin mitingje ën territorin gjerman, kurse kurdët po.

Kurdët e mbledhur në protestë i bënë thirrje për demokraci dhe i kërkuan turqve kudo që janë që të votojnë jo në referendumin turk të muajit të ardhshëm që në rast se mbështetet, do të rriste ndjeshëm fuqitë e presidentit turk.

Gjatë mitingut në qytetin gjerman, shumë prej kurdëve mbanin simbole të partisë së punëtorëve të Kurdistanit, e cila është e jashtëligjshme në Turqi.

Mes Gjermanisë dhe Turqisë po zhvillohet një përballje e fortë diplomatike, pasi Gjermania nuk lejoi ministrat turq që të zhvillonin demonstrata pro qeveritare në përpjekje për të nxitur turqit që të votonin pro referendumit dy javë më parë.