Petro Koçi: Ëndrra e PD është 14 shtatori për të sulmuar me armë qeverinë

0

Flet për “Koha Jonë”, zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi: PD e specializuar në grushte shteti dhe në skenarët e destabilizimit

Intervistoi: Redjon Shtylla

”Ish-komando që kthehen në vrasës”, ishte ky përkufizimi që shtypi i dha grabitjeve të automjeteve në rrugën e Rinasit, nga një grup, ku pjesë janë dhe ish-komando. Por zv/ministri i Mbrojtjes, këtë përfshirje të ish-ushtarëve në ngjarje kriminale e sheh si raste sporadike. Petro Koçi, gjatë një interviste për ”Koha Jonë”, vë theksin se “përvoja në FA nuk është nxitëse për përfshirjen e individit në kriminalitet, përkundrazi”. Zv/ministri nuk e mohon që rastet e ndodhura, “janë një shtysë që procesi i vetingut në FA të jetë edhe më rigoroz”. I pyetur për situatën politike, Koçi edhe si kreu i Partisë Socialiste e Vëretetë ‘91, akuzon se PD si një parti pengmarrëse. “Ajo është e specializuar në grushte shteti dhe në skenarët e destabilizimit të vendit. Protesta e PD-së për mendimin tim është një aksion kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme”.

Z.Koçi, ngjarjet e fundit, si krimi makabër në Këlcyrë, grabitja e parave të bankave në rrugën e Rinasit e jo vetëm, kanë si protagonist ish-komando apo ish-pjesëtarë të FA? Këto  ngjarje problematike kanë pësuar një rritje të dukshme, si pasojë e kujt vjen kjo situatë?

Nuk mendoj se numri i rasteve që ju përmendni është i tillë saqë të bëhet fjalë për fenomen të konsoliduar. Duket qartazi se kemi të bëjmë me raste sporadike. Përvoja në FA nuk është nxitëse për përfshirjen e individit në kriminalitet, përkundrazi. Gjatë gjithë veprimtarisë dhe trajnimit në repartet tona, kultivohet lufta ndaj terrorizmit, kriminalitetit dhe neutralizimit të keqbërësve. Por natyrisht ka individë që edhe pse kanë kaluar një përvojë të tillë përfshihen në rrethana keqbërëse për shkaqe që nuk lidhen me uniformën ushtarake. Sidoqoftë rastet e ndodhura janë një shtysë që procesi i vetingut në FA të jetë edhe më rigoroz.

Nëse një ushtarak që është edukuar në të gjitha aspektet, madje edhe më shumë se çdo qytetar si arrin dhe kthehet në kriminel? Sipas jush çfarë faktorësh ndikojnë? Mund të jetë njëri prej faktorëve, misioni ku shkon ushtari apo ka mungesë institucionale në trajtimet ndaj tyre?

Shndërrimi i ushtarakut në kriminel nuk ka lidhje me misionet ndërkombëtare paqeruajtëse. Pasojat e mundshme të shkaktuar nga pjesëmarrja në këto misione kanë natyrë tjetër dhe ndodhin më shumë në rastet e misioneve operacionale ndërluftuese. Në shumë filma artistikë kemi parë raste të tilla kur ushtarakë të përfshirë në operacione të vazhdueshme dhe me viktima pësojnë trauma psikologjike të rënda dhe pas kthimit në vendet e tyre përfshihen në akte dhune apo kriminale. Në rastin e ushtarakëve tanë mendoj se ky faktor është i përjashtuar. Sigurisht që të qënit në ushtri nuk zëvendëson rrethanat e tjera familjare, shkollore dhe shoqërore të formimit dhe edukimit të individit.

Gjatë pjesëmarrjes në misione të huaja, ushtarët përjetojnë trauma psikologjike. Lidhur me këtë, si vepron Ministria e Mbrojtjes? A e përmbush ajo pjesën e saj për trajtimin me psikologë edhe pas misionit apo nuk ofrohet ky shërbim? Cila është zgjidhja që ministria ofron?

Në çdo repart ne ofrojmë shërbim psikologjik. Por e theksoj rastet e përfshirjes së ish-ushtarakëve tanë në veprimtari kriminale nuk janë pasojë e traumave psikologjike. Misionet tona jashtë vendit janë kryesisht afatshkurtra dhe natyra e misioneve nuk ka qenë e tillë që të mund të linte pasoja.

Përsa i përket Ministrisë së Mbrojtjes dhe politikave të saja të trajtimit të veteranëve të rinj të luftës dhe ushtrisë shqiptare. Çfarë programesh të veçanta ka aktualisht ushtria për të kthyerit nga misionet luftuese ushtarake? E përmbush qeveria aspektin e trajtimit financiar pas daljes nga ushtria?

Pas kthimit nga misionet, ushtarakët tanë vazhdojnë karrierën normale në repartet e tyre. Ne kemi përmirësuar trajtimin e tyre në misione nëpërmjet pagesës së veçantë dhe praktikave të sigurimit shëndetësor e jetësor. Pas kthimit nëse ndonjë prej tyre shfaq dukuri problematike ndërhyhet nëpërmjet psikologëve apo trajtimeve të veçanta nga eproret apo vetë Ministria e Mbrojtjes.

Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ministrja Kodheli u shpreh se, “duhet të jemi alert ndaj çdo gjëje që fqinjët tanë bëjnë”. A janë Forcat e Armatosura në gatishmëri për të mbrojtur në çdo rast sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë?

Së pari duhet t’ju them se s’ka asnjë zhvillim ushtarak që të konkludohet se ka ndonjë kërcënim ndaj integritetit territorial të vendit tonë. Sa i përket gatishmërisë për përmbushjen e misionit kushtetues mund të themi me siguri që FA janë në çdo rast të gatshëm për t’iu përgjigjur në lartësinë e duhur rreziqeve që ju supozoni. Ndërkaq, ne për herë të parë pas ndryshimit të sistemit politik kemi ndërmarrë hapa institucionale dhe ligjore  për të përfshirë në mbrojtjen e vendit edhe ushtarakët në rezervë. Janë marrë vendimet e duhura nga qeveria dhe po ngrihen qendrat e mobilizimit të rezervisteve në çdo qark.

Si e komentoni qëndrimin e Kryeministrit Rama për përfshirjen e ushtrisë në luftën kundër kanabisit. Më parë kreu i qeverisë doli kundër përfshirjes së ushtrisë dhe nëse sot ka pohuar, do të thotë që situata është e rëndë dhe kemi një kanabisimit të vendit?

Kryeministri duhet lexuar mirë në atë që ka thënë. Bëhet fjalë për angazhimin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në procesin e zbulimit dhe identifikimit të grupeve apo individëve që merren me këtë veprimtari kriminale. Dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për një angazhim prioritar.

Si e keni parë protestën e PD-së, e cila vijon ende përballë Kryeministrisë? Duhet të japë dorëheqjen Rama dhe t’i lëri vendit një qeverie teknike, siç kërkon PD-ja për të pasur sipas saj zgjedhje të lira?

PD është një parti pengmarrëse. Ajo është e specializuar në grushte shteti dhe në skenarët e destabilizimit të vendit. Protesta e PD-së për mendimin tim është një aksion kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme. PD-ja kërkon pazar për të marrë pushtet në tavolinë. Basha e di që zgjedhjet i ka të humbura. Kërkon alibinë përkatëse. Basha po kërkon një precedent të rrezikshëm për demokracitë perëndimore. Nga ana tjetër është e qartë se aleanca e PD-së me korrupsionin në drejtësi është motivi financiar që energjizon zhvillimin dhe zgjatjen e protestës. Ëndrra e PD është 14 shtatori për të sulmuar me armë qeverinë, 21 Janari për të vrarë kundërshtarët politikë me struktura militarë apo paramilitarë. Është partia e 26 majit të përgjakur, për të cilin Basha dhe Berisha nuk kanë kërkuar kurrë falje. Sidoqoftë rikthimi i Bashës në pushtet do ishte kthim i krimit shtetëror në qeverisje.