Koço Kokëdhima: Rama do tërhiqet. Zgjedhjet do shtyhen në vjeshtë

0

Kreu i Lëvizjes “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima ka parashikuar se cili do të jetë qëndrimi i Kryeministrit, Edi Rama për krizën politike. Ai thotë se nëse nuk ka kompromis të shpejt, Rama do të tërhiqet në momentet e fundit dhe zgjedhjet do të shtyhen.

Çdo njeri që ka dy fije mend në kokë e kupton se çfarë do të ndodhë në javët e ardhëshme. Opozita nuk do dalë nga çadra e saj. Zgjedhje pa opozitën nuk bëhen. Edhe LSI nuk nuk mundet të shkojë në zgjedhje pa opozitën, sepse nuk do guxonte të merrte përsipër përgjegjësinë që vendi të hynte në destabilizim e në një spirale të re dhune e konfliktesh.  Me shumë gjasa qeveria do të tërhiqet në momentin e fundit dhe do plotësojë kërkesat e opozitës. Reforma zgjedhore do të miratohet. Zgjedhjet do të shtyhen. Ato do të realizohen në vjeshtë”,- tha Kokëdhima.

Në një takim me mbështetësit e “Zgjidhja” në Shkodër, Kokëdhima ka kritikuar mënyrën sesi po drejtohet vendi dhe Partia Socialiste. Kokëdhima tha se mënyra sesi po hiqen socialistët nga puna dhe se si po promovohen njerës jo profesionistë nga Qeveri Rama tregon mungesë vizoni për qeverisje. “Rama u bë kryeministër me votat e këtyre njerëzve që sot po i shkel me këmbë”,- tha Kokëdhima duke folur për largimet nga puna të socialistëve.

Ai ka folur dhe për situatën në koalicionin e majtë. Sipas Kokëdhimës për shkak të mungesës së vizionit të Kryeminsitit, e majta ka mbetur në aleancë vetëm më PDIU-në. Për të gjitha problemet e keqqeverisjes, Kokëdhima kërkoi që “të mbahet Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së, duhet bashkim i të majtës”.

Kokëdhima tha se kursi politik që po ndjek Rama shumë shpejt do t’a nxjerrë të majtën në opozitë. “Kursi që po ndjek ky lidership po e çon PS-në në opozitë dhe po përgatit rikthimin e shpejtë në pushtet të Partisë Demokratike. E vetmja rrugë që e ndalon rrëshqitjen e shpejtë të PS-së në opozitë, është platforma politike e “Zgjidhjes””,- tha Kokëdhima. Ai shtoi se “bëse nuk reagojmë dhe vazhdojmë të ndjekim me verbëri e servilizëm kryetarin, na pret kaosi, lufta dhe kalimi në opozitë. Kur të ndodhë kjo të gjithë servilët e kryetarit do e braktisin dhe do e shajnë atë më shumë se të tjerët”.

 Fjala e Koço Kokëdhimës gjatë bashkëbisedimit me socialistët e Shkodrës:

“Shkodra i ka dhënë kaq shumë trashëgimisë kulturore, patriotike e atdhetare të kombit shqiptar. Prej këtu dolën në dritë humanistë e mendimtarë të shquar, si Marin Barleti. Këtu plot një shekull më parë, u hap e para bibliotekë shtetërore, që ishte bërthama e parë e bibliotekave publike në Shqipëri. Mëse një shekull më parë, ky qytet ishte plot me përfaqësi të huaja diplomatike dhe qendra më e rëndësishme e Shqipërisë. Shkodra është qendra e katolicizmit shqiptar dhe e famshme gjithashtu për shkollimin islam në të shkuarën. Fotografia shqiptare dhe një nga më të hershmet në botë filloi dhe u zhvillua me Marubin në këtë qytet të bekuar. Futbolli shqiptar nisi prej këtu, në vitin 1908.  Nga kjo tokë kanë dalë emra të mëdhenj si Kolë Idromeno, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Mikel Koliqi, At Zef Pllumi, Millosh Gjergj Nikolla, Tinka Kurti, Simon Gjoni, Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Hilë Mosi, Zef Jubani, Marie Kraja; mjeshtra të humorit si Paulin Selimi, Zyliha Miloti, Paulin Preka, Gëzim Kruja, Zef Deda, Gjosho Vasia, Tano Banushi apo Shtjefën Palushi që bënë të qeshin miliona shqiptarë në vitet e diktaturës.

Në kujtesën e popullit tonë zënë një vend të nderuar futbollistë dhe trainerë me emër nga Muhamet Halili e Loro Boriçi, te Rragami, Bizi e Zhega dhe deri te emrat e sotëm si Salihi, Sinani apo Hysaj. Atleti i talentuar shkodran, Izmir Smajlaj pak ditë më parë u shpall kampion Europe. Në Shkodër, më 11 nëntor 1990, ende pa nisur rënia e komunizmit, dom Simon Jubani mbajti meshën e parë në varrezat katolike të Rrmajit, që i dha fund periudhës së ateizmit absurd. Në universitet kam njohur talente të mrekullueshme nga ky qytet si Gazmend Hoxhën, Elida Barbullushin, Gjon Koliqin e Nuri Domin. Së fundmi kam lexuar poezitë e bukura të 15-vjeçarit Nilidon Pepushaj.

Politika e përgjaku Shkodrën më 2 prill 1991 dhe e zbrazi nga banorët, vit pas viti. Ata të PD-së nuk e kanë vrarë shumë mendjen për ju, sepse e kanë patur votën tuaj të sigurtë, historikisht, ndaj edhe ju përmbytën disa herë dhe as paratë e dëmshpërblimeve nuk ua dhanë. Këta të partisë sime, e quajnë të mbaruar punën sepse ju rregulluan stadiumin dhe harrojnë se populli i varfër nuk mund ta vrasë urinë duke vajtur në stadium. Dëgjova pardje kryetarin e qeverisë, ndërsa shpërndante leje legalizimi të thumbonte kryetaren e bashkisë se ka fjetur këto dy vite. Ndoshta, por qeverisja jonë ka gjynahet e veta ndaj Shkodrës. Rilindja urbane i ka dhënë Shkodrës vetëm 102.7 milionë lekë nga 14 miliardë që shpërndau për vitin 2016 Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve. Kryeqendra e veriut ka marrë 20 herë më pak fonde se Tirana, 9 herë më pak se Korça dhe 5 herë më pak se Divjaka. Qindra familje ende nuk kanë marrë lekët e përmbytjeve nga qeveria e Saliut 7 vite më parë. Papunësia është më e larta ndër qarqet e Shqipërisë. Dhjetra familje ende vijojnë të kërkojnë mbijetesën në Europë, ndërkohë që janë të kërcënuar edhe nga gjakmarrja. Fermerët e Nëshkodrës nuk kanë tregje për të shitur produktet e tyre, që i nxjerrin pa asnjë mbështetje nga shteti. Pashë pak ditë më parë protestën që bënë banorët e Thethit përpara bashkisë. Kërkuan vetëm që t’u hapej rruga nga një dëborëpastruese, sepse turistët e shumtë kanë anulluar prenotimet. Kjo zonë që ka perla të turizmit kulturor, lumor, liqenor, malor e detar është lënë në mëshirë të fatit, ndërsa bregdeti i mrekullueshëm është masakruar nga tutkunët dhe të korruptuarit e pushtetit.

     ZGJIDHJA është një lëvizje politike që lindi si korent në Partinë Socialiste. Ajo erdhi si nevojë e domosdoshme e qytetarëve dhe e socialistëve të thjeshtë për të detyruar lidershipin e Partisë Socialiste dhe kastën sunduese të Shqipërisë që të njohin dhe të respektojnë të drejtat e shkelura e të mohuara të popullit tonë për të ndërtuar një jetë të mirë e të pranueshme, në një vend të lirë, sovran e demokratik. Ajo erdhi si reagim ndaj sjelljeve despotike të lidershipit në parti dhe ndaj keqqeverisjes së Shqipërisë, erdhi si rezultat i zemërimit të bazës së partisë dhe qytetarëve të vendit ndaj sundimit të monopoleve dhe oligopoleve në politikë dhe në ekonomi, ndaj korrupsionit të shfrenuar në çdo sektor të qeverisjes, erdhi si përpjekje për të tejkaluar sistemin e kalbur politik dhe gjendjen e rëndë ekonomike në vend. Është fakt i njohur se vendi ynë është më i varfëri në kontinent, më i prapambeturi në rajon dhe ndër më të korruptuarit në botë. Në vitin 2013 shumica e majtë erdhi në pushtet me premtimin se do e përmirësonte rrënjësisht Shqipërinë e Saliut, qeverisjen dhe ekonominë e vendit. Sot kjo shpresë, për shumë zgjedhës, rezulton një zhgënjim. Vendi është po aq i varfër sa në vitin 2013, është po aq i papunë sa në vitin 2013, është po aq ose edhe më shumë i korruptuar sa në vitin 2013. Lidershipi i Partisë Socialiste ka shpërbërë çdo vlerë e institucion në parti. Ai është totalisht i shkëputur nga baza, nuk respekton asnjë parim e normë demokratike, nuk lejon zgjedhje, çdo përfaqësues emërohet nga kryetari, ngrihen vetëm servilët e tij, merita nuk funksionon. Debati është shuar e shtypur, nuk ka më organe e forume kolegjiale. Kush guxon të mendojë e të shprehet ndryshe nga kryetari, do të përballet me represion shtetëror. Kjo ka çuar në eleminimin e çdo forme të kontrollit dhe ndikimit të socialistëve të bazës dhe qytetarëve të vendit mbi cilësinë e qeverisjes. Qeveria bën si ti dojë qefi, nuk do të dijë ç’mendojnë njerëzit për të. 

 Unë kam denoncuar disa herë aktet burracake të goditjes pa mëshirë e në mënyrë çnjerëzore të socialistëve të thjeshtë që duan reformimin dhe demokratizimin e Partisë Socialiste dhe të qeverisjes së vendit. Represioni qeveritar tregon se lidershipi i Partisë Socialiste s’ka asnjë lidhje me kulturën e ligjit, të lirisë dhe të shtetit të së drejtës. Ky lidership jo vetëm nuk respekton të drejtat elementare të qytetarëve të këtij vendi, por i trajton mizorisht ata.

Në muajt e fundit, Rama urdhëroi pushimet politike nga puna të veprimtarëve të Lëvizjes sonë, Jola Foto, Ted Nasto, Gjergji Robo, Thoma Kordha, Brigels Dervishi, Blerti Diamanti, Nertila Selimaj, Ardit Xhafaj e Silvana Islami. Këta djem e vajza janë njëri më i studiuar se tjetri, njëri më i shkëlqyer se tjetri në të gjitha kuptimet. Këta luftëtarë të lirisë u goditën pa mëshirë nga pushteti që kërkon t’i mbajë përjetë qytetarët shqiptarë dhe socjalistët e bazës nën thundrën e tiranisë së skamjes dhe korrupsionit, nga ky pushtet që synon ta shuajë lëvizjen tonë politike dhe idetë e saj emancipuese. Irena Toshkallari është kolegia jonë e njoftuar pardje për fillimin e procedurës së pushimit nga puna. Këtë procedurë e ka nisur Dritan Leli, me urdhër të Ramës. Irena i bën nder Qendrës së Zhvillimit për Personat me Aftësi të Kufizuara në Vlorë. Ajo u rendit e para ndër të gjithë, në toplistën e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për vlerësimin e aftësive për punonjësit e kujdesit shoqëror. Irena është e fejuar. Ajo dëshiron të martohet dhe të krijojë familje. Ky pushim nga puna e vë në vështirësi të mëdha këtë çift të ri. Atyre ju duhet ta rimendojnë të ardhmen e tyre në Vlorë dhe drejtimin që do marrë jeta e tyre pas kësaj.

      Të gjithë punonjësit e institucioneve të shtetit dhe e gjithë rinia që synon të punësohet në këto institucione, kundërshtojnë me indinjatë pushimet politike nga puna. Këto akte e kanë turpëruar Partinë Socialiste dhe i kanë shkaktuar kosto të mëdha asaj. Pas çdo gaditjeje të pabesë që bëhet kundër veprimtarëve tanë politikë, puna dhe reagimi i gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve të “Zgjidhjes” bëhen më të fuqishme, më të zjarrta, më të vendosura dhe më rezultative. Ne nuk do t’i harrojmë kurrë këto veprime dhe nuk do të reshtim së luftuari për rivendosjen e të drejtave jetike të njerëzve tanë të dënuar me pushime nga puna dhe me shantazhe e kërcënime. Duke na goditur tek buka e gojës, pushteti kërkon të na nënshtrojë, të na dekurajojë, të na frikësojë dhe ta shkatërrojë lëvizjen tonë dhe mendimin ndryshe që po organizohet dhe institucionalizohet në parti. Vetëm Saliu i ka goditur e pushuar nga puna socialistët. Rama u bë kryeministër me votat e këtyre njerëzve që sot po i shkel me këmbë. Ai ka vijuar me represion, kërcënime, shantazhe e pushime nga puna edhe në fshatrat e Himarës. Dje ai urdhëroi pushimin nga puna të Klementinës, një punonjëseje shëmbullore, e cila donte edhe 7 muaj që të dilte në pension. Ky është një akt burracak! Dua t’i kujtoj Ramës se banorët e brigjeve të dritës nuk janë trembur as nga hasmi, as nga pushtuesit dhe as nga bajlozët e detit! Nuk tremben ata burra e gra heroike të Himarës nga pushteti juaj I lodhur! Rradhët e “Zgjidhjes” vetëm shtohen çdo ditë. Në 15 ditët e para të marsit, ne anëtarësuam plot 5 mijë vetë. Zgjidhja do të ketë mbi 20 mijë anëtarë në fund të prillit. Kjo rritje e shpejtë tregon se socialistët dhe qytetarët e thjeshtë të shqipërisë i përkrahin idetë e lëvizjes tonë, duan liri, duan të pyeten, të dëgjohen dhe të respektohen, duan të zgjidhen e të zgjedhin lirisht, duan drejtuesa të arsyeshëm, të logjikshëm, të urtë e modestë, nuk duan drejtues arrogantë, të korruptuar, arbitrarë e të pashpirt. Unë e ftoj Ramën edhe një herë të mos i shkojë më tutje kursit të përçarjes të së majtës sonë, të pranojë mendimin ndryshe, të pranojë “Zgjidhjen” dhe ta çlirojë PS-në nga drejtimi amatoresk, primitiv e autoritarist, nga brutaliteti dhe mjedisi antidemokratik. Ne do fitojmë. “Zgjidhja” do triumfojë. Idetë e saj nuk do të mund të burgosen dhe as nuk do të mbyten me dhunë shtetërore. Politikanët që janë përgjegjës për varfërinë ekstreme, papunësinë, korrupsionin, padrejtësitë dhe gjithë këto fatkeqësi që i kanë shkaktuar popullit tonë gjatë 26 viteve të tranzicionit, tani po përdorin në mënyrë demagogjike tezat dhe fjalëkyçet e programit të “Zgjidhjes”.

E gjithë rinia mbështet platformën tonë. Të gjithë qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë janë dakort me idetë tona politike. Vetëm kryetari dhe një grusht pushtetarësh kanë frikë nga idetë e “Zgjidhjes”. Ne do e mbajmë ndezur debatin në çdo tavolinë, në çdo takim, në çdo veprimtari, në çdo mjedis social dhe politik, në rrjetet sociale e në media. Anëtarët e lëvizjes tonë nuk do tremben nga asnjë formë shantazhi dhe presioni, ata do të përhapin e argumentojnë planin tonë për një Shqipëri tjetër ku mund të ketë shanse e mundësi jete për të gjithë.       Lidershipi i PS-së do të dështojë në përpjekjet e tij për të na izoluar. Socialistë të shumtë anëtarësohen te “Zgjidhja” çdo ditë. Sa më fort na luftojnë, aqë më shpejt rritemi. Socialistët e bazës janë me ne. Të 5 mijë anëtarët e parë të “Zgidhjes” të punojnë për të anëtarësuar nga një socialist dhe qytetar tjetër deri në 30 mars. Ne kemi të drejtën me vete. Ne jemi të qartë e të kthjellët. Kemi respekt për lirinë tonë dhe jemi të vendosur të luftojmë për lirinë e të gjithëve. Ne jemi të disiplinuar. Jemi fitimtarë! Ne dimë të luftojmë, dimë të prodhojmë dhe të shijojmë emocionin e të punuarit të bashkuar, mijëra njerëz si një trup i vetëm. Kjo është Zgjidhja!

      Aksioni më i rëndësishëm për lëvizjen tonë nga sot deri në 15 prill, është shumëfishimi i anëtarësisë, zgjerimi i shpejtë i radhëve dhe plotësimi i strukturave politike dhe ekzekutive në të tre nivelet. Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë të rinjve e të rejave të Shqipërisë, rinisë së punës, rinisë universitare e shkollore që të anëtarësohet te “Zgjidhja”. Ftoj të gjithë socialistët e bazës që të anëtarësohen te “Zgjidhja” si e vetmja platformë thellësisht demokratike në Shqipëri që rivendos dhe jetëson realisht të drejtat dhe liritë politike të qytetarëve shqiptarë. Ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që të anëtarësohen të “Zgjidhja”. Vetëm në këtë mënyrë ata do të shembin regjimin e partitokracisë, do të rrëzojnë diktaturën e shëmtuar të kryetarëve të partive, do të përmbysin tiraninë e skamjes dhe korrupsionit dhe do të instalojnë demokracinë kushtetuese ku populli të mund të marrë në duar fatet e tij.

 E kemi shpjeguar disa herë se ne jemi një lëvizje politike. Nuk kemi bërë ende një parti politike, sepse nuk duam ta përçajmë e zvogëlojmë Partinë Socialiste, duam ta reformojmë atë, ta bëjmë parti të hapur e të lirë, jo parti të oligarkisë së korrupsionit e të hashashit, ta bëjmë parti të njerëzve të thjeshtë, të njerëzve të punës, të njerëzve të varfër e të dobët, të burrave dhe grave patriotë e atdhetarë që duan një Shqipëri të pasur, të pastër, të lirë, sovrane e demokratike. Ne duam ta rikthejmë Partinë Socialiste në shinat e të majtës nga anarkia dhe kaosi ideologjik, politik, kulturor dhe organizativ ku është zhytur.

Në gjysmën e dytë të prillit “Zgjidhja” do të organizojë primaret mikse për kandidatët për deputetë. Në votim, do të marrin pjesë të gjithë anëtarët e “Zgjidhjes” që do të regjistrohen si të tillë deri në këtë ditë. Për t’u regjistruar kandidat në primaret tona një aplikant duhet të marrë minimalisht 500 firma zgjedhësish nga qarku ku do të konkurojë dhe duhet të plotësojë kriteret e ligjit për pastërtinë e figurës së një deputeti. Votimi do të bëhet elektronik. Primaret e “Zgjidhjes” do zhvillohen në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë si dhe në Athinë.  Dëshiroj ta bëj të qartë edhe një herë se nuk po përgatitemi për të dalë me listë alternative më vete nga Partia Socialiste në zgjedhjet e 18 qershorit. Ne do të promovojmë kulturën e zgjedhjeve paraprake, standardin e ri që kërkon e gjithë anëtarësia e bazës socialiste, që kandidatët për deputetë të mos i emërojë kryetari i partisë, por t’i zgjedhë populli i majtë me votën e lirë të anëtarësisë. Ne do t’ia propozojmë kandidatët që do dalin nga primaret tona Partisë Socialiste që t’i përfshijë në listën e saj shumëemërore. Kështu Partia Socialiste mund të shkojë në zgjedhje e bashkuar dhe me një ekip shumë më të mire. U bëj thirrje të gjithë njerëzve të zotë që dëshirojnë të promovohen si kandidatë të së majtës për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, që të regjistrohen pranë degëve rajonale të lëvizjes tonë. Regjistrimi i kandidatëve do të vazhdojë deri në datën 15 prill. Jam i sigurtë se çdo individ që përfshihet në këtë garë jep një kontribut të shquar për përparimin e vendit dhe të shoqërisë shqiptare.

        Ne kemi bërë shumë përpjekje për t’u ngritur mbi spastrimin politik dhe goditjet primitive që bëri dhe vazhdon të bëjë lidershipi i PS-së kundër drejtuesve e veprimtarëve të “Zgjidhjes”, mbi kulturën e përçarrjes dhe luftës pas shpine që ky lidership instaloi në parti. Nëse lidershipi i PS-së do vazhdojë si deri tani këtë politikë të mbrapshtë e thellësisht të gabuar, ai do të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë përpara socialistëve të thjeshtë të Shqipërisë për reduktimin, rrudhjen dhe përçarjen e Partisë Socialiste.

    Ky lidership ka të gjitha përgjegjësitë për degradimin dhe shpartallimin e plotë që i ka bërë partisë nga pikëpamja ideologjike, politike, kulturore dhe organizative, për qeverisjen problematike e të mbuluar nga gafat dhe skandalet e patolerueshme. Kursi që po ndjek ky lidership po e çon PS-në në opozitë dhe po përgatit rikthimin e shpejtë në pushtet të Partisë Demokratike. E vetmja rrugë që e ndalon rrëshqitjen e shpejtë të PS-së në opozitë, është platforma politike e “Zgjidhjes”.

       “Zgjidhja” e çmon si shumë të vështirë situatën e krijuar pas demostratës së 18 shkurtit dhe protestave të pandërprera të opozitës prej 30 ditësh në “Çadrën e Lirisë”, siç e quajnë ata. Kjo protestë është krejtësisht paqësore dhe si e tillë nuk ka asgjë për t’u sharë e kritikuar. Ironia therëse dhe mesazhi i trishtë për ne socialistët e bazës qëndron në faktin se nga “Çadra e Lirisë”, janë kthyer në heronjtë e luftës për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri Berisha dhe ata që bënë Libofshën, që bënë 26 majin, që bënë 97-ën, 21 janarin, Gërdecin e sa e sa histori të tjera! Ky është kulmi! Medet ku është katandisur nderi i Partisë Socialiste! Por fajin për këtë nuk na i ka Saliu.

       Partia Demokratike e instaloi kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Ky ishte krimi më i rëndë që bëri elita politike, krim nga i cili kanë buruar shumica e fatkeqësive të tjera që ky tranzicion rezervoi ndaj popullit tonë. Kam pritur dhe e ftoj edhe një herë Lulëzim Bashën t’u kërkojë falje shqiptarëve për krimet elektorale të Partisë Demokratike ndër vite.

       E majta nuk u distancua, por iu bashkua kësaj kulture. Prandaj Shqipëria nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme. Të dy palët vjedhin, blejnë dhe trafikojnë vota. Partia Demokratike ka braktisur parlamentin dhe proteston në shesh sepse mendon se zgjedhjet janë të rezikuara nga paratë e hashashit dhe reforma e munguar zgjedhore. Padyshim që zgjedhjet e 18 qershorit nuk mund të jenë të lira e të ndershme.

     PD-ja kërkon qeveri teknike dhe reformë zgjedhore. Qeveria është e strukur në cep për shkak të përfshirjes së zyrtarëve të policisë të shtetit në ekonominë kriminale të kanabisit dhe në trafiqet e lëndëve narkotike. Qeveria duhet të largojë menjëherë të gjithë funksionarët e implikuar nga shërbimi i Policisë së Shtetit. Partia Socialiste duhet të largojë nga qeveria dhe parlamenti politikanët dhe zyrtarët e lartë të saj që janë përfshirë direkt apo indirekt me trafikantët ose me trafikun e mariuanës.

     Qeveria është në pozitë të vështirë për shkak të aferës së 1300 konteinerëve me mbetje të rrezikshme që besohet se janë groposur në Shqipëri dhe të përpjekjeve të saj të fshehta për të miratuar ligjin që do të lejonte tranzitimin e mbetjeve të rrezikshme përmes Shqipërisë, pavarësisht se vendi ynë nuk ka asnjë kapacitet për të tranzituar mbetje të rrezikshme. Partia Socialiste duhet të nxjerrë përgjegjësinë politike dhe të largojë nga funksionet e larta ata që mashtruan ambjentalistët dhe zgjedhësit në vitin 2013 dhe u përpoqën t’i hapin rrugë hyrjes së mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri në dy vitet e fundit. Projektligji për importimin e mbetjeve nga jashtë duhet të refuzohet përfundimisht. Socialistët dhe shqiptarët nuk i duan mbetjet dhe plehrat e huaja në Shqipëri. Si mund të lejojë import dhe tranzit mbetjesh një vend që është i mbytur nga korrupsioni dhe mafia e drogës livadhis si të dojë?!  

    Qeveria është në pozicion të keq për shkak të koncensioneve rrënuese e të paimagjinueshme në mjekësi e gjetkë që i shkatërrojnë financat e shtetit shqiptar pa asnjë përfitim të rëndësishëm për popullin, pa asnjë përfitim edhe për vetë mjekësinë. Këto konçensione duhen anulluar. Qeveria duhet të diskutojë, argumentojë e kërkojë mbështetjen e Kongresit dhe Asamblesë Kombëtare për vendime e zhvillime politike dhe ekonomike me rëndësi strategjike. Partia Socialiste nuk është për të duartrokitur koncensionet e Ramës dhe Ahmetajt. Qeveria nuk mund të vazhdojë të bëjë gjëra që ia ulin kokën dhe i turpërojnë socialistët.

       Projekti “1 miliard” është një aventurë e re dhe shumë e rrezikshme e qeverisë. Për botën e zhvilluar këto lojëra që do të bëjë qeveria jonë janë të njohura e të tejkaluara që nga fillimi i shekullit të 19. Projekti “1 miliard” është një mënyrë për të marrë një miliard dollarë borxh të fshehur për buxhetin e shtetit, me interesa shumë të larta e të papranueshme, që do investohen në projekte që nuk janë fizibël, nga kompani që do i fitojnë punët pa tendera, por vetëm duke parapaguar 10 deri në 20 për qind të vlerës për sekserët e pushtetit. Ky borxh do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë në 10-15 vitet e ardhshme. Projekti “1miliard” do marrë në qafë dhe do rrezikojë seriozisht që të fusë në kolaps edhe bankat, edhe sipërmarrjet edhe buxhetin e shtetit. Prandaj ai duhet anuluar dhe refuzuar kategorikisht.

    Ky është konteksti i krizës së sotme. Është një kontekst krejtësisht i pafavorshëm për Partinë Socialiste. Këto histori të vështira nuk janë bërë me miratimin e anëtarësisë së bazës, as me miratimin e Asmblesë Kombëtare, as të Kongresit dhe as të Grupit Parlamentar Socialist. Këto nuk janë bërë në interes të socialistëve të thjeshtë. Socialistët e bazës dhe forumet e tyre nuk i pyet njeri, nuk i ka askush në refene. Ata konsumojnë çdo ditë në heshtje politikën e faktit të kryer që ndjek kryetari i tyre.

      Partia Socialiste është vënë në pozitën më të pamerituar jo vetëm për sa thashë më lart, por edhe për çështjen e zgjedhjeve. Qeveria nuk bëri asgjë gjatë këtij mandati për të pastruar përfundimisht zgjedhjet. Kjo është diçka shumë e keqe dhe e pa justifikueshme. Asnjë reformë tjetër nuk është më e rëndësishme se reforma zgjedhore. Reforma për zgjedhjet e lira e të ndershme është reforma e të gjitha reformave, është prioriteti numër 1 në axhendën politike të Shqipërisë, është shumë më e rëndësishme se çdo reform tjetër.

       Qeveria i ikën idiotësisht debatit për zgjedhjet, duke i dhënë një avantazh kolosal opozitës dhe duke na i shitur PD-në si luftëtaren më të madhe për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Në emrin tuaj dua t’ia bëj edhe një herë shumë të qartë lidershipit të PS-së se socialistët e thjeshtë e të vërtetë të Shqipërisë duan zgjedhje të lira e të ndershme, duan zgjedhje me standarde të njëjta si në të gjitha vendet demokratike të botës. Për këtë kanë luftuar gjithmonë socialistët e ndershëm të këtij vendi.

      Mungesa e vullnetit të qeverisë për të vënë në jetë këtë kërkesë të bazës socialiste është një zhgënjim i madh që qeveria i bën luftës dhe aspiratës shumëvjeçare të socialistëve dhe qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të lira e të ndershme.

      Socialistët nuk duan përmirësime gjysmake të standardeve të zgjedhjeve. Socialistët duan një zgjidhje përfundimtare të këtij problemi madhor të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Kush thotë se lufton për shtet dhe nuk lufton me prioritet e në rradhë të parë, për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve, gënjen dhe dëshiron që Shqipëria të vazhdojë të zvarritet në moçalin e vjedhjes dhe trafikimit të votës! Ndërtimi i shtetit ligjor fillon nga zgjedhjet! Drejtësia fillon nga zgjedhjet e lira.   

    Qeveria flet për Vetting-un, sa herë opozita flet për zgjedhjet. Duke mos bërë asgjë për reformën zgjedhore dhe pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve, dhe duke u shtirë si budallai që as nuk dëgjon, as nuk kupton kur flitet për zgjedhjet, qeveria e ka kthyer në një kauzë ekskluzive të opozitës luftën për zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme. Çfarë politike është kjo? Është politikë qesharake, e papërgjegjshme, diletante dhe e rrezikshme.

     Kjo politikë është dhurata më e madhe dhe më e pamerituar që qeveria po i bën opozitës dhe një dëm shumë i rëndë për të majtën shqiptare. “Zgjidhja” qysh në fillimet e saj e ka bërë të vetën kauzën e luftës për zgjedhjet e lira dhe i ka bërë të qartë lidershipit të PS-së me shumë largpamësi se kjo krizë që zhvillohet tani në shesh do të vinte.

     Ne artikuluam qartësisht qysh në verën e shkuar se mafia e drogës ka grumbulluar një fuqi financiare shumë të madhe dhe do të afektojë zgjedhjet, parlamentin, qeverinë, mediat, drejtësinë dhe të gjitha institucionet e tjera. Me milionat e drogës do të blejnë votat e popullit të varfër.

   Ne gjithashtu nuk kemi reshtur gjatë gjithë vjeshtës së shkuar duke ju bërë thirje të gjitha palëve të interesuara, por sidomos qeverisë dhe opozitës të bashkëpunonin për të bërë reformën zgjedhore dhe për t’i dhënë fund manipulimit dhe ndotjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Inisiativa dhe merita për këtë do i takonin me të drejtë Partisë Socialiste, jo PD-së.

      Por qeveria nuk dëgjoi siç nuk dëgjon edhe sot dhe po e çon vendin drejt një krize të shumëfishtë institucionale. Asaj nga një vesh i hyjnë fjalët dhe nga veshi tjetër i dalin. Çdo njeri që ka dy fije mend në kokë e kupton se çfarë do të ndodhë në javët e ardhëshme. Opozita nuk do dalë nga çadra e saj. Zgjedhje pa opozitën nuk bëhen. Edhe LSI nuk nuk mundet të shkojë në zgjedhje pa opozitën, sepse nuk do guxonte të merrte përsipër përgjegjësinë që vendi të hynte në destabilizim e në një spirale të re dhune e konfliktesh.

     Me shumë gjasa qeveria do të tërhiqet në momentin e fundit dhe do plotësojë kërkesat e opozitës. Reforma zgjedhore do të miratohet. Zgjedhjet do të shtyhen. Ato do të realizohen në vjeshtë. Nuk është e pamundur që një kompromis të gjendet me opozitën edhe për qeverinë. Legjitimiteti ose zgjedhja e presidentit të ri do të vihet në dyshim. Trashëgimia e mandatit të kësaj qeverie do të jetë edhe më shumë në pikëpyetje.

     Pavarësisht se çfarë thotë qeveria, kjo është gjëja që besoj se do të ndodhë. Në se ndodh kështu vera do të jetë rraskapitëse për Partinë Socialiste. Në vjeshtë PS do shkojë në zgjedhje në kuotat e saj më të ulëta. PD-ja dhe konkurentët e tjerë do të dalin moralisht e politikisht shumë të fituara nga kjo situatë dhe do shkojnë në zgjedhje edhe me trofeun e reformës zgjedhore dhe të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Partia Demokratike do thotë se në 1991 sollëm demokracinë, në vitin 2016 sollëm dekriminalizimin e politikës dhe në vitin 2017 sollëm dhe imponuam zgjedhjet e lira e të ndershme.

     “Zgjidhja” ka paraqitur shumë muaj përpara se të fillonin protestat e opozitës dhe ndërprerja e veprimtarisë parlamentare të saj projektin për një reformë që i pastron zgjedhjet në mënyrë përfundimtare në Shqipëri. Duhet të marrë fund administrimi i zgjedhjeve nga partitë e mëdha. Komisionet zgjedhore duhet të jenë shtetërore. Basha nuk është distancuar akoma publikisht nga komisionet zgjedhore partiake.

         Nuk mund të reduktohet paraja e drogës dhe paraja e pistë e korrupsionit në blerjen e zgjedhjeve pa identifikimin elektronik të zgjedhësit. Procesi i transportit të kutive të votimit nga QV-të për t’u numëruar në ZAZ, shoqërohet me aq shumë krime elektorale, mbushje e zëvendësim apo bërje të pavlefshme të kutive të votimit. Të transportohen rezultatet dhe jo kutitë e votimit për t’u numëruar. Këtë e zgjidh votimi elektronik. Duhen zhdukur numuruesit e partive që rrinë me ditë e me javë në tavolinat e ZAZ-ve dhe shqyejnë e masakrojnë votat e partive të vogla dhe kandidatëve të pavarur. Këto i zgjidh numërimi elektronik.   

     Kjo krizë e gjen të papërgatitur Partinë Socialiste. Ajo është e çorientuar dhe pa asnjë strategji. Rama shkarkoi 4 ministra, do shkarkojë edhe të tjerë dhe nuk u shpjegoi dot asgjë socialistëve. Në vend që situata të bëhej më e qartë, ajo tani është edhe më konfuze. Çfarë paralajmëruam ne shumë kohë përpara, fatkeqësisht po ndodh.

      Ne paralajmëruam se prodhimi dhe trafikimi ilegal i kanabisit do të dilte jashtë kontrollit dhe do të kthehej në një rrezik të madh për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues në Shqipëri. Parashtruam edhe një strategji të plotë e komplekse për të ndërtuar ekonominë legale të kanabisit dhe kontrollin e plotë dhe të reptë të shtetit mbi këtë ekonomi. Kërkuam që marijuana të mos ishte miniera e artë e mafies së drogës, por një mundësi e mirë për popullin dhe për buxhetin e shtetit.

     Tani aleati ynë më i rëndësishëm, SHBA po na cilëson si rrezik madhor ndërkombëtar. Në themel të krizës së sotme janë paratë e drogës dhe reforma e munguar zgjedhore. Po të na kishte dëgjuar ne kjo qeveri dhe të kish marrë masat në kohën e duhur për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, do të ishte evituar kjo krizë që rrezikon ta degdisë në opozitë Partinë Socialiste.

     Të dashur miq,

     Kjo qeveri ka shumë faje, por mëkati më i madh që socialistët e bazës nuk do ia falin kurrë është rehabilitimi, pastrimi dhe riciklimi i shpejtë i ish- pushtetarëve të Partisë Demokratike. Edi Rama do të mbajë rekordin e trishtë që brenda më pak se katër vitesh i pastroi dhe i vuri në krye të luftës së popullit shqiptar për zgjedhje të lira e të ndershme baballarët e piramidave financiare dhe të vjedhjes së zgjedhjeve të 26 majit, ata që bënë viktimat e Gërdecit dhe që vranë njerëzit tanë në bulevard në 21 janar.

 Partia Socialiste ka një mision të shenjtë: të ndërtojë shtetin modern, të vendosë përfundimisht standardet më të larta të zgjedhjeve të lira e të ndershme si në të gjitha vendet e tjera të civilizuara, të shembë partitokracinë dhe t’u kthejë qytetarëve tanë dhe anëtarësisë së thjeshtë të drejtat të zgjidhen e të zgjedhin lirisht përfaqësuesit e tyre, kandidatët për deputetë, kandidatët për kryetarë bashkish, për këshilltarë, për president, për kryeministër etj.

  Partia Socialiste nuk është e gatshme të dorëzojë pushtetin për mëkatet dhe amatorizmin politik të kryetarit. Ajo duhet të rindërtojë ekonominë kombëtare, duhet të mbrojë vendin nga rikthimi i berishizmit dhe berishistëve në pushtet. Nuk është hera e parë që PS rrezikon të largohet nga pushteti dhe bëhet të kurban i abuzivizmit shumëdimensional të kryetarit të saj. Lidershipi i PS-së e ka përçarë e bërë fije-fije partinë, i ka vënë të gjithë kundër njëri-tjetrit, e përçau të majtën e bashkuar, vrau çdo element mirëkuptimi e mirëbesimi dhe nuk la dy gurë bashkë te e majta. Tani pas katër vitesh partnerët më të rëndësishëm që i kanë mbetur qeverisë sonë janë deputetët e partisë çame. Nuk i fiton dot zgjedhjet qeveria vetëm me të punësuarit e kryeministrit.

“Zgjidhja” kërkon mbajtjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Na duhet një plan dhe reagim i jashtëzakonshëm. Na duhet të riformulojmë një strategji të re, një marrëveshje të madhe për të rivendosur besimin dhe bashkëpunimin e shkatërruar në parti e në koalicionin e majtë dhe midis koalicionit të majtë dhe elektoratit. Në vend të luftës së paprinciptë dhe përçarjeve, të vendoset demokracia dhe solidariteti, rregulli dhe kolegjialiteti. Partia nuk është çifligu i kryetarit. Të ribashkojmë partinë dhe të majtën, të ftojmë në këtë bashkim të gjitha figurat e mira të së majtës dhe të shoqërisë shqiptare dhe të shkojmë të bashkuar që të fitojmë zgjedhjet e reja.

 Kongresi i Jashtëzakonshëm duhet të miratojë masa urgjente për pastrimin e qeverisë nga pjesët e korruptuara e të implikuara në krim e në korrupsion, të zhduket mafia e drogës dhe trafiku i saj, t’i krijohet mundësi bazës së partisë dhe qytetarëve të vendit të marrin pjesë në qeverisjen e vendit, pushtetet të vihen nën kontrollin e ligjit dhe në shërbim të populli, jo ne shërbim e në kontrollin e kryetarit, mediat të lihen të lira, as të mos shtërngohen dhe as të mos blihen, përfaqësuesit në parti e në parlament të zgjidhen me primare e nga baza, jo nga kryetari. T’ia kthejmë popullit pushtetin! E majta të udhëheqë luftën për zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo Saliu, të bashkëpunojë me opozitën dhe të zgjdhë një herë e përgjithmonë problemin e zgjedhjeve në shqipëri. Nëse nuk reagojmë dhe vazhdojmë të ndjekim me verbëri e servilizëm kryetarin, na pret kaosi, lufta dhe kalimi në opozitë. Kur të ndodhë kjo të gjithë servilët e kryetarit do e braktisin dhe do e shajnë atë më shumë se të tjerët. “Zgjidhja” do bëjë të gjitha përpjekjet të mos e lejojë rënien e Partisë Socialiste në opozitë.

Kohët që po përjetojmë janë të vështira. Por ju kërkoj të ruani besimin në vetvete , në ndershmërinë tuaj, në bindjet dhe idealet tuaja. Ato janë ideale të shenjta sepse venë njeriun e thjeshtë në qendër të tyre. Mos ta lejojmë Ramën ta marrë partinë me vete në greminën ku po na çon bashkarisht. Mos ta lejojmë Edi Ramën të kthejë në pushtet Sali Berishën. Kjo është Zgjidhja. Tjetër s’ka. Ne jemi Zgjidhja . Ti je Zgjidhja. Unë jam zgjidhja!”