Sekuestrohen në Kapshticë 79 kg kanabis, kishte destinacion Turqinë

79 kg lëndë narkotike kanabis sativa është sekuestruar nga policia kufitare në Kapshticë, ndërsa është arrestuar në flagrancë poseduesi.

Policia ka arrestuar Ardian Dulën, 41 vjeç, banues në Tiranë. Ai ishte drejtues i një kamioni të markës “Scania” dhe synonte të kalonte në drejtim të Greqisë.

“Nisur nga dyshimet e shfaqura, ky mjet u përzgjodh nga shërbimet e Policisë Kufitare, për verifikim në vijën e dytë. Gjatë kontrollit në skaner, u shfaqën dyshime se në pjesën e tavanit të rimorikios, mund të ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike. Konkretisht në brendësi të tubave të cilat mbanin skeletin e mbulesës së rimorkios, u konstatuan tuba të tjerë me ngjyrë portokalli, brenda të cilëve u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale: 79 kg lëndë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa”, njofton policia.

Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi i mësipërm, kishte si destinacion Turqinë. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë.