Kryeministri Rama: Një gjë është e sigurt, zgjedhjet do bëhen në 18 qershor

 “Një gjë është e sigurt zgjedhjet do bëhen në 18 qershor”. Kjo është deklarata që Kryeministri Edi Rama bëri sot nga Shkodra. Rama ka hedhur poshtë një kërkesë të kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili foli dy ditë më parë për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve.

Deklarata e Ramës u bë si shenjë e mosdorëzimit të PS-së përballë kushteve të Partisë Demokratike. Por pyetja që shtrohet tani nuk është se kur do të zhvillohen zgjedhjet, por si do të zhvillohen ato? Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në asnjë proces zgjedhor nëse nuk krijohet një qeveri teknike. Pra, varianti se do të zhvillohen zgjedhje normale më 18 qershor bie. Ose, Qeveria mund të hyjë në zgjedhje pa PD-në, por me këtë skenar nuk mund të flitet për zgjedhje, por më e shumta për votime.

Atëher, çfarë ka dashur të thotë Kryeministri Edi Rama sot në Shkodër, kur deklaroi se e vetmja gjë e sigurt është se do të ketë zgjedhje me 18 qershor? Një qëndrim i tillë tregon se Rama është gati për një marrëveshje me PD-në për qeverinë teknike, ose ka vendosur të mos tërhiqet duke sfiduar rregullat e demokracisë për të hyrë në zgjedhje pa opozitën.

Interesant është fakti se ky qëndrim i Rama vjen ditën e sotme pas takimit me ambasadorët e BE-së dhe Ambasadorin e SHBA-ve. Ky takim me Kryeministrin është i pari që zhvillohet publikisht që nga nisja e krizës politike me 18 shkurt. Ambasadorët e SHBA dhe BE janë takuar rregullisht ditët e fundit me Lulzim Bashën dhe kanë diskutuar për kërkesat e PD-së dhe gjetjen e një zgjidhje politike me mazhorancën. Sot diplomatët mund të kenë shkuar më një plan konkret në takimin me Kryeministrin, Edi Rama. Gjithçka e diskutuar në këtë takim është mbajtur sekret për publikun.

I vetmi mesazh politik për krizën në vend nga Rama është se zgjedhjet do zhvillohen në afatin kushtetues, 18 qershor. Për të realizuar këtë, sipas PD, ka vetëm një mënyrë; qeveri teknike.