Veliaj falenderon heronjtë: Shpëtuat një pasuri kombëtare

Zjarrfikësit shpeshherë konsiderohen edhe si heronj të heshtur për punën e madhe dhe plotë rrezik që bëjnë për të shpëtuar jetë njerëzish, prona dhe pasuri. Një prej tyre është edhe 44 vjeçari Lorenc Hatija, pjesë e Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, i cili së bashku me kolegët e tij arritën që falë sakrificës së tyre të shpëtonin nga zjarri një pasuri tw vwrtetw, por kësaj here jo të një individi, por të të gjithë shqiptarëve, siç është fondi i librave të Bibliotekës Kombëtare.

Fotoja e tij në shkallët e Bibliotekës Kombëtare pasi kishte përfunduar misionin e shuarjes së flakëve ka qenë sot ndoshta më e klikuara në rrjetet sociale, ndërsa nuk mungonin shkrimet që vlerësonin punën dhe përuljen e këtyre njerëzve. Një falënderim ka patur për Lorencin dhe gjithë punonjësit e tjerë të Shërbimit Zjarrfikës edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shprehet se falë kontributit të tyre u shpëtua një pasuri kombëtare.

“Faleminderit nga zemra Lorenc Hatia dhe kolegëve heronj të Zjarrfikëseve të Bashkisë Tiranë,  shpëtuan pasuri kombëtare dje tek Biblioteka!”, shprehet Veliaj në falënderimin e vet.